E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIA: Financat e dyshimta të partive kanë rritur korrupsionin politik

Nga Armand Maho

Transparency International në Shqipëri shprehu dje shqetësim për lënien pas dore të trajtimit të problemeve që lidhen me financat e partive politike. Në një deklaratë për media TIA bëri të ditur se bizneset dhe subjektet private që japin pará, sidomos për fushata, synojnë përfitime të shpejta në interesa të ngushta. Kjo, sipas tyre ka rritur ndjeshëm korrupsionin politik. “Shoqëritë tregtare, të cilat janë financueset më të mëdha, nuk janë të interesuara të formalizojnë këto marrëdhënie dhe donacionet e tyre, pasi në thelb kanë interesa të ngushta për të përfituar në proceset e prokurimeve, privatizimeve, sipërmarrjeve publike etj. Ata kthehen kështu jo vetëm në partnerë në abuzimin me pushtetin, por edhe influencues në vendimmarrje të rëndësishme politike, ekonomike dhe institucionale.

Për këto arsye Transparency International në Shqipëri konstaton se informaliteti, mungesa e transparencës dhe kuadrit ligjor, mungesa e kapaciteteve dhe mekanizmave të kontrollit në financimet kryesisht nga bizneset dhe subjektet private në favor të partive politike, kanë krijuar një terren të përshtatshëm për një nivel të lartë të korrupsionit politik”, - thuhet në deklaratën e TIA.

Sipas kësaj organizate, partitë politike në vend vazhdojnë të cenojnë një nga detyrimet e tyre kryesore kushtetuese, bërjen publike të çdo lloj burimi financiar.

“Ato vazhdojnë të fshehin në mënyrë të vazhdueshme deklarimin e burimeve të tyre private. Në Shqipëri vazhdon të mungojë një kuadër i veçantë ligjor për këtë çështje. Çdo iniciativë për të përfshirë disa elementë në Kodin Zgjedhor, jo vetëm që është e vonuar, por edhe nuk garanton zbatimin e plotë të detyrimeve kushtetuese.

Mungesa e vullnetit politik imponon mungesën e mekanizmave, kapaciteteve, instrumenteve dhe institucioneve, të cilat duhet të garantonin transparencën e procesit të financimeve të partive politike.

Financimet nga subjektet private, donacionet, dhuratat apo ndihmat që japin shoqëritë tregtare në favor të partive politike, mbeten ende një privilegj jashtë çdo kontrolli fiskal dhe ligjor”, - thuhet në deklaratën e TIA. Sipas tyre, vetë partitë politike nuk kanë bërë ende asnjë përpjekje për të ngritur kapacitete dhe për të shmangur vakuumin në struktura me qëllim auditimin e brendshëm të financave dhe kjo gjë vihet re pothuaj në të gjitha partitë politike ne vend.

TIA: Kuvendi t’i japë zgjidhje këtij problemi

TI Albania i ka kërkuar Kuvendit që të mundësojë një diskutim transparent për çështjen e financave të partive politike. “Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore është duke adresuar vetëm disa nga çështjet në Kodin Zgjedhor. TI Albania vlerëson çdo përpjekje për të përmirësuar këtë situatë nga Kuvendi i Shqipërisë, por i quan të pamjaftueshme vetëm disa dispozita, të cilat mund të përfshihen në legjislacionin elektoral, pasi transparenca e financimeve të partive nuk është vetëm një çështje e izoluar në periudha zgjedhjesh.

Duke qenë se shumë pak kohë na ndan nga përfundimi për herë të dytë i afatit të veprimtarisë së këtij Komisioni, Transparency International i kërkon Kuvendit mundësinë e një diskutimi transparent dhe realizimin e një seance dëgjimore me pjesëmarrje të gjerë, si dhe pjesëmarrje të ekspertëve të saj veçanërisht për një çështje kaq kritike siç është financimi i partive politike. Transparency International në Shqipëri, por edhe në mbarë botën ka kapacitete dhe ekspertizë të thelluar për këtë çështje dhe mund ta ndihmonte këtë proces. Transparency International në Shqipëri i ofron bashkëpunimin Kuvendit të Shqipërisë dhe çdo subjekti që ka vullnetin për të hedhur themelet e një sistemi transparent dhe ligjor, i cili do të forcojë demokracinë e brendshme të subjekteve politike, por edhe do të përbëjë një kontribut në konsolidimin e shtetit ligjor”, - thanë drejtues të kësaj organizate.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›