Tragjedia rrugore në një autobuz 50 vjeçar
Tiranë Ekspertët nuk e kanë thënë ende fjalën e tyre se cilat ishin shkaqet e aksidentit tragjik që e detyroi qeverinë të ulë sërish flamurin në gjysmështizë. Por ajo që drejtori i përgjithshëm i policisë Hysni Burgaj deklaroi, ishte se autobuzi para se të përfundojë në greminë, është përplasur dy herë më pjesën anësore të rrugës, nga ana e malit, pastaj ka dalë në anën tjetër, është përplasur me parmakët mbrojtës dhe pasi i ka shkallmuar, ka përfunduar në greminë.
Sipas policisë, ose shoferi ka pësuar ndonjë infarkt, ose autobuzi ka dalë nga kontrolli, si pasojë e ndonjë defekti, këputje frenash, dëmtimi të sistetmi të drejtimit ose ndonjë defekt tjetër teknik dhe shoferi e ka përplasur mjetin nga ana e malit për të shmangur rënien në greminë, por për shkak të pjerrësisë shumë të madhe të rrugës nuk e ka mbajtur dot nën kontroll.
Ajo që është mësuar paraprakisht është edhe fakti se autobuzi ishte prodhim i viteve 60, që do të thotë se ka rreth 50 vjet që përdoret.
Nuk është sqaruar ende shkencërisht nëse ka qenë një defekt ai që shkaktoi aksidentin, por ajo që dihet është se sot shumica e agjencive të udhëtimit që ofrojnë shërbimet për transport udhëtarësh brenda dhe jashtë vendit, operojnë me autobuzë që janë blerë në vendet të tjera ku ishin përgatitur për tu dërguar në varrezat e mjeteve të vjetra. Në të paktën dy raste aksidentesth me autobuzë në linjat mes Shqipërisë dhe Greqisë, në territorin grek, ekspertët grekë kanë saktësuar se autobuzët janë shumë të amortizuar dhe kjo ka shkaktuar edhe aksidentin.
Në Shqipëri autobuzët tolerohen me aq vite përdorimi sa edhe makineritë bujqësore, pa llogaritur se ato bartin dhjetra jetë njerëzish. Rrugët e Shqipërisë janë bërë dëshmitare të një tragjedie të rëndë, por qeveria jonë do të mjaftohet të thotë se organet tona treguan gatishmërinë maksimale për të bartuar të plagosurit dhe për tu ardhur atyre në ndihmë. Por në asnjë rast autoritete nuk janë ndalur për ta shndërruar atë mësim të madh. Ajo që duhet të bëhet është të bllokohen të gjtihë autobusët e vjetër dhe të vendoset torleancë zero në pikat e kolaudimit ndaj autobusave, kur me 1 mijë lekë baksish, mund të kalosh në test edhe një autobus me gjysmë frena.