E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllai i deputetit: Fatmirin e thirrën në pritë

Lavdërim Xhindi, ka rrëfyer dje se vëllai i tij, nuk kishte pasur konflikte apo presione përpara vrasjes


"Sapo parkoi makinën dhe u fut në shtëpi, dikush e thirri dhe ai doli për të parë se kush e kërkonte


TIRANE- Lavdërim Xhindi, vëllai i deputetit të vrarë Fatmir Xhindi, ka udhëtuar gjithë natën e së shtunës nga Volosi i Greqisë, ku jeton dhe punon për të mbërritur pranë familjes së tij në Roskovec të Fierit, ku gjithashtu banonte edhe vëllai i tij më i vogël, deputet në Parlamentin e Shqipërisë, Fatmir Xhindi.

Burri i thinjur që tashmë ka kapërcyer të 50- at, ka gjetur një çast për të rrëfyer natën e të shtunës, kur është nisur nga Greqia sapo ka marrë vesh për një problem që kishte pasur i vëllai.

Ai tregon se nga komunikimet që ka pasur me vëllezërit dhe të afërmit e tjerë ka dëgjuar se dikush e kishte thirrur nga jashtë përpara se të ndodhte ngjarja. Ndërkaq ai rrëfen se deri sa ka mbërritur pranë familjes nuk ka pasur dijeni mbi faktin se ishte vrarë vëllai i tij Fatmiri, por i ishte thënë se vëllai i madh nuk ishte mirë.

"Më morën në telefon dhe më thanë se vëllai i madh ishte pak keq dhe se bëja mire të vija në Shqipëri". Xhindi është munduar të tregojë momentet e vështira të familjes së tij, të të shtunës në mbrëmje.


Z. Xhindi si e keni marrë vesh vrasjen e vëllait tuaj Fatmirit ?


Unë jetoj dhe punoj në Greqi prej shumë vitesh. Në profesion jam ekonomist por kam emigruar herët dhe atje kam punuar prej kohësh. Mbrëmë ndodhesha në shtëpi dhe më morën në telefon nga shtëpia, për të më thënë se vëllai i madh nuk ishte mirë. "Vëllai i madh, nuk është mirë.

Bën mirë të vish në Shqipëri,- më tha vëllai i vogël që më mori në telefon. Sapo më tha këtë llaf, unë menjëherë u bëra gati dhe u nisa, për të ardhur, pasi nuk e dija si do shkonte situata. Por aspak nuk po mendoja se situata do të ishte akoma edhe më e rëndë. Kurrë nuk e mendoja që të kishin vrarë Fatmirin.


E morët vesh kur mbërritët ?


Po. Në mëngjes ndoshta nga ora pesë, unë mbërrita në Roskovec pashë që kishte dhjetëra uniforma policie dhe shumë njerëz që lëviznin rrugëve. Kur mbërrita në shtëpi pashë se diçka nuk shkonte.

Aty kuptova se diçka më tepër e rëndë duhej të kishte ndodhur se sa ajo që më kishin thënë në fillim. Aty më thanë që ishte vrarë Fatmiri. Gjithçka mund të kishte ndodhur, por nuk arrij ta besoj edhe tani që Fatmiri është vrarë dhe nuk jeton më.


Policia ka thënë se ai është qëlluar nga afër, kur sapo kishte parkuar makinën. A keni dijeni si ka ndodhur kjo ?


Nga sa më kanë thënë vëllezërit dhe të afërm të tjerë, dje pasdite Fatmiri kishte qenë në fshat tek ullinjtë. Ishte njeri që nuk kishte problem të punonte dhe dje kishte prerë barin e ullinjve në fshat në Kurjan.

Si kishte mbaruar atje, kishte ndaluar tek lokali i Bujar Kukalit, ky këtu në majë të fshatit dhe kishte pirë një kafe me ca njerëz. Si kishte mbaruar kafen kishte zbritur poshtë në Roskovec. Ai kishte zbritur nga makina dhe më pas ka shkuar për të hyrë në shtëpi. Nga sa di unë ai kishte hyrë në shtëpi dhe dikush e paska thirrur. Por nuk e di saktësisht.

Sapo e kanë thirrur, Fatmiri kishte dalë për të parë se kush e kishte thirrur, dhe ka dalë te makina e kishin qëlluar. Më pas kishin dalë kunata, djali i Fatmirit dhe vëllai tjetër Iliri, që kishte shkuar atje. Ata kishin parë se ai ishte qëlluar me armë zjarri disa herë.


Policia ka nisur hetimet e saj për zbardhjen e motiveve të ngjarjes dhe autorët e mundshëm të krimit, a ka pasur ndonjë konflikt Fatmiri pasi flitet si pistë kryesore ajo e motiveve të pronësisë ?


Kategorikisht as Fatmiri, e as ne si familje, nuk kemi pasur probleme pronësie. Këtë jua them me bindje sepse gjithçka që ne kemi marrë e kemi marrë në bazë të ligjit të vitit 1991. Pavarësisht kësaj, dua të them se edhe tokat që kemi marrë sipas ligjit ne i kemi i kemi marrë po në ato prona që kemi pasur në aktete tona të pronësisë pra sipas kufijve të vjetër.


A keni dijeni për konflikte të tjera, apo vëllai juaj të ketë shfaqur shqetësim kohët e fundit apo më parë ?


Edhe për këtë ne si vëllezër asnjëherë nuk kemi pasur të dhëna apo informacione që ai të ishte konfliktuar me njerëz të ndryshëm, për shkak të detyrës apo për shkaqe të tjera që lidhen me punën apo me jetën e tij private. Edhe për kërcënime, ai nuk na ka folur asnjëherë. Vetë natyra e tij, si njeri nuk të bënte që të shkoje për ta kërcënuar apo për t'i bërë shanatazhe. Kjo na e shton akoma më tepër brengën dhe dhimbjen e humbjes së tij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›