Shqiptarët, 10 miliardë lekë në baste
Ndërkohë që sektorë të tjerë të ekonomisë filluan të bien nga efektet e krizës globale, industria e lojërave të fatit bëri krejt të kundërtën
TIRANË- Shqiptarët lanë plot 10 miliardë lekë në lojërat e fatit dhe bastet sportive përgjatë vitit 2008. Referuar të dhënave nga raporti i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për vitin e shkuar, ndërkohë që sektorë të tjerë të ekonomisë filluan të bien nga efektet e krizës globale, industria e lojërave të fatit ka bërë krejt të kundërtën, duke ligjëruar rregullin se ku ka fukarallëk ka edhe kumar.
Në vitin 2007-ë shuma që kishin harxhuar shqiptarët në lojërat e fatit ishte vetëm 6 miliardë lekë , çka do të thotë se krahasuar me vitin e kaluar, tregu i lojërave të fatit në vend është rritur me mbi 65 për qind, duke u shndërruar kështu ndoshta në tregun me rritjen më të fortë.
Të dhënat e mësipërme, janë nxjerrë nga deklaratat e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që bëjnë pikat e basteve, citohet nga zyrtarë të tatimeve, ndërkohë që pranohet se një pjesë e mirë e këtij tregu lundron ende në informalitet duke e zmadhuar shifrën e parave që shqiptarët kanë lënë gjatë 2008-s në kumar.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, e cila gjatë muajve të parë të këtij viti kreu një kontroll të posaçëm për zbulimin e pikave të basteve ilegale, rezulton se në të gjithë vendin ekzistojnë 1500 të tilla, ndërsa dyshohet se 400 të tjera kryejnë aktivitet duke mos qënë të licencuara.
Besohet se industria e lojërave të fatit në Shqipëri është më e madhe nga ajo që paraqesin shifrat zyrtare, duke u shndërruar kështu në një nga tregjet më të mëdha në vend së bashku me telekomunikacionet dhe energjinë.
Ligji
Pas vendimit në janar të këtij viti pë boshatisjen e kazinove elektronike nga ruletat, për t'i dhënë ekskluzivitetin kazinosë së madhe, e cila kishte paguar edhe licencën një miliardë lekë, qeveria miratoi disa muaj më parë një ligj të ri, nëpërmjet të cilit lejon hapjen e ruletave të vogla edhe në kazino të tjera, por duke paguar taksa super të larta.
Kështu, për një ruletë, e cila ka mesatarisht, nga tetë deri në dhjetë pozicione, kazinoja duhet të paguajë një tarifë fikse prej një milionë lekësh në muaj dhe 80 mijë lekë në muaj për çdo pozicion.
Në total kjo e fundit, për një ruletë duhet t'i paguajë shtetit 1.8 milionë lekë. Sipas ligjit gjithashtu, të gjitha shoqëritë e miratuara, duhet të derdhin në buxhetin e shtetit 0.5 për qind të xhiros vjetore, por jo më pak se 1.5 milionë lekë të reja në vit për kazinotë elektronike dhe dy milionë për kazinotë e tjera.