Trajkoviç:Serbia vepron ende me idetë e Millosheviçit

Nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb Rada Trajkoviç ka deklaruar se refuzimi i zyrtarëve të Beogradit për të mos pranuar bisedime direkte me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, meqë nuk e njohin si kryeministër të Kosovës, nuk është veprim i mençur dhe i takon ideologjisë së periudhës së Milloshevicit. Trajkoviç është shprehur se mosnjohja dhe kontestimi i atyre që janë zgjedhur në mënyrë legjitime dhe kanë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, është pjesë e ideologjisë të së kaluarës, e cila duhej të harrohej që në kohën e rrëzimit të Millosheviçit. "E gjithë ajo që është relevante për popullin shqiptar, që del nga rezultatet zgjedhore, është edhe për mua relevante. Ata nuk kanë forcë që ta shohin në sy dhe kontestojnë njeriun, i cili në mënyrë të qartë ka ndikim brenda popullit të vet dhe gëzon mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar", tha Trajkoviç për Radion Evropa e Lirë.Trajkoviç i është referuar një deklarate të sekretarit shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, i cili kishte deklaruar për një televizion serb, se bisedimet me kryeministrin Thaçi janë të pamundura, meqë ai ndiqet nga drejtësia serbe.