E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berlusconi-Brown, kundër proteksionizmit

Tani për tani mbetet vetëm një hipotezë, por ideja për të shtetëzuar bankat është kthyer sërish nga kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni. "Liderët botërorë po punojnë për të gjetur zgjidhje për krizën ekonomike ndërkombëtare. Mbi tavolinë janë hedhur ide të ndryshme, madje dhe një që duket sikur bie në kontrast me sistemin kapitalist, domethënë shtetëzimi i bankave", ka deklaruar Berluskoni gjatë një konference për shtyp, pas takimit me Kryeministrin e Britanisë së Madhe Gordon Braun. Shefi i qeverisë italiane, duket sikur është nxituar disi, kur është shprehur se bëhet fjalë vetëm për një hipotezë se sistemi bankar në Itali është i qëndrueshëm. Deri më tani nuk na ka ardhur ndonjë kërkesë për rikapitalizimin e bankave, duke përdorur mjetet e qeverisë. Kjo duhet të na qetësojë në lidhje me gjëndjen e bankave italiane. Shtetëzimi i tyre është vetëm një hipotezë", ka shtuar Berluskoni. Ndërkohë që kryeministri britanik Braun theksoi se qindra miliona njerëz janë varfëruar si rezultat i krizës globale. Braun ka nënvizuar se liderët botërore janë të vendosur që në samitin e G20-ës dhe më pas në atë të G8-ës, të ndërmerren masa specifike për të tejkaluar vështirësitë e kohës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›