Trajneri Han,me të njëjtëtlojtarë për dyndeshjet e radhës
Trajneri i kombëtares, Ari Han, për dy ndeshjet e radhës eliminatore, me Hungarinë më 11 tetor dhe Portugalinë katër ditë më pas, do t'u besojë atyre futbollistëve që kishte në dispozicion edhe në përballjet e para, me Suedinë dhe Maltën. Lajmi bëhet i ditur për "Sportin shqiptar" nga burime zyrtare në FSHF, që konfirmojnë se holandezi edhe këtë herë do të grumbullojë 22 lojtarë. Edhe pse ndryshimet në momentet e fundit mund të mendohen, nisur nga problemet që mund të dalin gjatë grumbullimit, për trajnerin kuqezi gjithçka është e qartë. Brenda kësaj jave, lista e lojtarëve pritet të zyrtarizohet nga FSHF-ja, por, sipas asaj që trajneri ka dorëzuar në federatë, nuk ka asnjë surprizë. Kështu, për portën janë thirrur tre: Beqaj, Hidi dhe Lika. Në mbrojtje: Dallku, Curri, Vangjeli, Beqiri, Lila, Teli, Vrapi dhe Agolli. Për sa i përket mesfushës, do të jetë Cana, Lala, Skela, Duro, Hyka, i cili mbërrin i fundit në grumbullim, për shkak të angazhimit me Maincin, për të vazhduar me Berishën, Bulkun dhe Bakajn. Ndërsa në sulm: Bogdani, Salihi dhe Kapllani. Ndërkohë, për problemet që kanë pasur me dëmtimet, Kapllani dhe Bogdani janë riaftësuar, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Klodian Duron, i cili nuk ishte grumbulluar në ndeshjen e fundit të Omonias për kampionat. Në një deklarim për gazetën, mesfushori theksoi se nuk ka ndonjë gjë për t'u shqetësuar dhe se do të ishte i gatshëm për Hungarinë, ndërsa nga ana tjetër, mediat qipriote pohonin se 31-vjeçari do të jetë të paktën katër javë larg fushës.
Kombëtarja, stërvitje në stadiumin e Vecsezit
Rezidenca e kombëtares në Hungari do të jetë hotel "Aeroport Budapest". Kuqezinjtë do të nisin grumbullimin më 6 shtator, teksa pritet që rreth pasdites shumica e tyre të jenë akomoduar. Hoteli ndodhet vetëm dy minuta larg aeroportit të kryeqytetit hungarez, më konkretisht në zonën e Vecsezit. I hapur në gusht të këtij viti, hoteli është i vendosur në një zonë të qetë, që i shkon për shtat grumbullimit të kombëtares. Nga aty për të shkuar te qendra e Budapestit duhen 20 minuta. Me katër yje, kushtet e tij janë nga më të mirat, megjithatë, ai më i frekuentuar mbetet nga turistët. Viston e akomodimit në hotel "Aeroport Budapest" e kanë dhënë dy ndihmësit e trajnerit Ari Han, të cilët e kanë inspektuar dy javë më parë. Për zëvendëstrajnerët Teo De Jong dhe Nikolas De Bre, një arsye më shumë për këtë zgjedhje ishte sepse vendi ku kuqezinjtë do të stërviten, është vetëm tri minuta larg. Seancat do të kryhen në stadiumin e Vecsezit, që është me një kapacitet prej afro 15 mijë vendesh, ku luan skuadra me të njëjtin emër, që militon në kategorinë e dytë të Hungarisë. Nga burime pranë trajnerit kuqezi, mësohet se do të kryhet vetëm një seancë stërvitore në ditë. Ndeshja eliminatore, që do të zhvillohet në stadiumin madhështor "Ferenc Pushkash", luhet më 11 tetor në orën 19:45.
Lista për Hungarinë dhe Portugalinë
Portierë
Arjan Beqaj (Anorthosis)
Isli Hidi (Alqi)
Ilion Lika (Terek Grozni)
Mbrojtës
Armend Dallku (Vorskla)
Debatik Curri (Vorskla)
Kristi Vangjeli (Aris)
Elvin Beqiri (Vllaznia)
Admir Teli (Haxhetepe)
Andi Lila (Tirana)
Ansi Agolli (Tirana)
Endri Vrapi (Elbasani)
Mesfushorë
Lorik Cana (Marsejë)
Altin Lala (Hanover)
Ervin Skela (Kotbus)
Klodian Duro (Omonia)
Jahmir Hyka (Mainz 05)
Ervin Bulku (Krivbas)
Elis Bakaj (Partizani)
Sulmues
Erion Bogdani (Kievo)
Hamdi Salihi (Ried)
Edmond Kapllani (Karlsruhe)
Besart Berisha (Rosenborg)
Hungaria, asnjë mungesë ndaj Shqipërisë
Patrioti i Ari Hanit në pankinën e Hungarisë, Ervin Kuman, ka publikuar dje listën e lojtarëve, që do të grumbullojë për dy ndeshjet eliminatore, me Shqipërinë më 11 tetor dhe Maltën më 15 tetor. Në përballjen me kuqezinjtë, Hungaria nuk ka asnjë mungesë. Trajneri Kuman ka thirrur emra të njohur, si Hajnal, Husti apo Dardai, që prej vitesh aktivizohen në Bundesligë. I pari, ish-shok skuadre me Kapllanin te Karlsruhe, ndërsa Husti, autor i golit ndaj Bajernit të Mynihut, luan te Hanoveri me kapitenin e kombëtares, Altin Lala. Edhe pse ka thirrur dy sulmues, trajneri holandez i Hungarisë shpeshherë përdor Hajnalin dhe Hustin në repartin ofensiv. E veçanta e listës së Hungarisë është se janë thirrur katër portierë.
Lista e Hungarisë
Portier: Gabor Babos (NEK), Marton Fylëp (Sandërlend), Laslo Kotelesh (Diosgyor), Adam Bogdan (Bolton).
Mbrojtës: Zoltan Selesi (Strasburg), Laslo Bognar (Red Bull Salzburg), Roland Juhas (Anderleht), Tamash Vasko (Avelino), Zholt Lou (Hofenhaim), Vilmosh Vanzak (Sion), Boldizar Bodor (Roda), Kristian Timar (Pleimuth).
Mesfushorë: Tamash Hajnal (Borusia Dortmund), Zoltan Gera (Fulham), Kristian Vadoz (Osasuna), Pal Dardai (Herta Berlin), Peter Halmosi (Hull), Bolazh Toth (Genk), Akosh Buzaki (QPR), Tamash Koltai (Gyor), Bolazs Dsudsak (PSV), Sabolç Husti (Hanover).
Sulmues: Gergej Rudolf (Debrecen), Shandor Torgele (Ausburg).