Ronaldinjo, golindaj Interit i rikthen buzëqeshjen
STILE TE NDRYSHME - Një prej lojtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, të mrekullueshmit Mane Garrinça, një dorë e panjohur i dhuroi një shkrim në një mur të Rio-de-Zhanejros: "Faleminderit që na dhe mundësinë të të shohim! Ke qenë kënaqësia e popullit!". Bënte finte me një këmbë më të shkurtër se tjetrën dhe i hutonte të gjitha mbrojtjet kundërshtare. Më pas, me përfundimin e ndeshjes, i dorëzohej natës dhe shumë femrave. Ronaldinjo nuk e ka një këmbë më të shkurtër se tjetrën, por edhe ai bën lëvizje marramendëse për kundërshtarët. Pastaj edhe ai është mësuar t'u dorëzohet krahëve të natës dhe shumë femrave. Eshtë mënyra e tij për të luajtur me jetën, gjithmonë me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë. Kaka konfirmon: "Unë dhe Dinjo jemi shokë. Jashtë fushës bëjmë stile të ndryshme jetese, por në fushë duam gjithmonë të njëjtën gjë. Ai është i madh!". Vetë ai shton se "futbolli është argëtim, dhe unë kështu logjikoj. Golin që shënova kundër Interit ua dedikoj tifozëve dhe shokëve të ekipit, që kanë qenë të jashtëzakonshëm. E dëshiroja këtë gol! Në Itali nuk kisha shënuar akoma dhe kjo më mungonte pak".
GJITHÇKA E HARRUAR - Vallëzimi që pason, pikërisht poshtë tribunës së tifozëve kuq e zi, me shallët e Milanit që fluturojnë, është fundi i duhur i historisë. Gjithçka tjetër kalon në plan të dytë. Zhgënjimi i pësuar në Lojërat Olimpike të Pekinit, kritikat e para në Itali, polemikat për netët e vona në Brazil, tërheqja e vëmendjes nga drejtuesit kuq e zi, lajmet që janë një shartim midis thashethemeve dhe kronikës së zezë, madje edhe mosthirrja në kombëtaren e Brazilit nga ana e Dungës. "Në këtë moment jam i lumtur; mendoj vetëm për Milanin dhe fitoren tonë, - përfundon Ronaldinjo. - Jemi në rrugën e duhur dhe duhet të vazhdojmë kështu. Nuk duhet të dorëzohemi! Unë kam ardhur për të fituar, edhe ekipi e dëshiron këtë."