E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajneri Konte perjashton mundesine e perfshirjes ne skandalin e basteve

Fillimisht pati një kontroll në shtëpi dhe përfshira e tij në skandalin e basteve u bë e plotë. Antonio Konte, trajneri i Juventusit, bën pjesë ndër njerëzit që do të hetohen, por menjëherë pas daljes së këtij lajme, ai u shfaq para mediave, pra përpara publikut, në krah të presidentit, Andrea Anjeli, duke hedhur dyshime për procesin dhe duke bërë nënkuptime.
 “Shpreh mospërfshirjen time në këtë skandal dhe po ashtu atë të lojtarëve të mi. E kam treguar gjatë karrierës sime si lojtar dhe tani si trajner se cili jam, se bazohem mbi pastërtinë, ndershmërinë dhe punën. Këtë sezon ne u shpallëm kampionë 3 javë para fundit falë sakrificave të mëdha dhe askush nuk mund të na e shkatërrojë këtë sukses. Habitem që mora një njoftim se jam vënë nën hetim dhe pata një kontroll policor në shtëpi, ndërsa prokurori i Kremonës nuk më ka thirrur asnjëherë për të më marrë në pyetje. Nuk është normale”, vlerësoi trajneri juventin.
Presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, u tregua shumë i qartë lidhur me qëndrimin e tij.
“Antonio Konte do të jetë trajner i Juventusit edhe sezonin e ardhshëm, pa asnjë dyshim. Ne do të marrim pjesë në Ligën e Kampionëve dhe do të synojmë të kemi sukses në këtë kompeticion. Jemi në krah të trajnerit dhe të Bonuçit, që gjithashtu është vënë nën hetim. Antonion e njoh prej 20 vjetësh, e di sesa i ndershëm është. Po ashtu, nga informacionet që kemi, ai nuk ka rol në këtë histori, ndërsa hetuesit i vlerësojmë për punën e dobishme që po bëjnë”, u shpreh ai.
Pra, Juventusi nuk heq dorë nga Konte, ndërsa skandali zgjerohet edhe me Leonardo Bonuçin, mbrojtësin juventin të kombëtares, i cili është nën hetim, por do të mbetet pjesë e përfaqësueses së të kaltërve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›