Trajtohen fëmijët kështu?
Para dy ditësh, në ambientet e ish-Metalurgjisë në Elbasan pashë disa fëmijë të dilnin duke brohoritur nga një godinë e përdorur dikur si fjetore për punëtorët kinezë. Mendova se do ishte ndonjë ekskursion shkollor i organizuar në këto ambiente! Por kur u afrova, pashë disa mësuese me këmisha të bardha, klasa me banka, nxënës që po pastronin oborrin e shkollës. Në ato ambiente aq pranë oxhaqeve tymuese, ndotëse, prej janarit ishte spostuar shkolla e fshatit Katund i Ri i komunës Bradashesh. Spostimi kishte ardhur si pasojë e rikonstruksionit të shkollës ekzistuese.
Drejtori, i cili druhej të fliste me një student të gazetarisë, i cili rastësish u ndodh aty për një detyrë kursi, e justifikonte këtë spostim në këto ambiente super të ndotura me mungesën e godinave të tjera dhe së pushteti lokal, nuk kishte se çfarë të bënte.
Kështu fëmijëve, në emër të dijes dhe arsimimit iu është dhënë tym metalurgjiku e ndotje mbeturinash, rrezik aksidentimi nga kamionët e mëdhenj që kalojnë përditë aty.
Më thanë edhe se kanë rënë në marrëveshje që ta mbajnë të fshehur këtë fakt, sa të mbarojë rikonstruksioni i shkollës ekzistuese. Edhe mësuesit e pranonin se shkolla e improvizuar është mbuluar nga pisllëku dhe lagështira dhe se po sëmuren, por për mos t’i lënë nxënësit pa mësim, janë të detyruar të punojnë aty. Por ajo që më çuditi më shumë ishte fakti se, në qoftë se shkolla e Katundit të Ri do të spostohet në shkollën e rikonstruktuar, vendin e saj në ambientet e Metalurgjisë do ta zërë një shkollë tjetër e zonës.
Duke i çuar fëmijët edhe më pranë ndotjes që ka pllakosur Elbasanin dhe zonat përreth e duke i rrezikuar atyre shpeshherë edhe jetën. Normale është kjo?