Traktat paqeje me Serbinë

“E para nuk ka vendim për një dialog politik, por ajo çka mund të them është se Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe secili prej nesh që bartim petkun institucional jemi të gatshëm të takohemi me cilindo përfaqësues të shtetit tjetër në kuptimin si dy përfaqësues të shteteve të barabarta, për interes dhe fqinjësi të mirë, për paqe dhe stabilitet në rajon dhe për integrimin në Union Evropian”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se Kryeministri Thaçi tashmë, disa herë, e ka thënë se mund të ketë edhe takime politike të nivelit të lartë me ata serbë.
I pyetur nga gazetarët se kur priten të ndodhin takimet të tilla të nivelit të lartë në mes Kosovës dhe Serbisë, Kuçi ka thënë se ata nuk ngarendin për takime të tilla, duke shtuar se Kosova nuk ka turp të përfaqësohet kudo, por, sipas tij, të tjerët duhet të kenë turp në raport me Kosovë.
“Ne nuk ngarendim që të kemi takime të tilla. Por ajo çka mund të them është se kudo që përfaqësohet Kosova, si shtet, kudo që ne e kemi pozicionin tonë shtetëror, ne nuk kemi turp të takohemi me askënd. Të tjerët duhet të ndihen keq në raport me ne. Por kjo nuk është diçka që ne po ngarendim dhe duhet ta bëjmë sot ose nesër”, ka thënë ai.
Lidhur me atë se a ka pasur Qeveria presion ndërkombëtar për të hyrë në bisedime politike me Serbinë, Kuçi ka thënë se të gjitha vendimet Qeveria do t’i marrë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, duke shtuar se presioni i BE-së dhe ShBA-së në 20 vjetet e fundit ka qenë pozitiv dhe assesi negativ për Kosovën.
Kurse i pyetur, po ashtu se cila është pritja që Qeveria e Kosovës mendon se do të dalë nga dialogu teknik, apo edhe politik në mes Kosovës dhe Serbisë, Kuçi ka thënë se politikisht edhe nuk është vendosur për këtë gjë, por e ka mendimin e tij personal se të dyja vendet duhet t’i përfundojnë marrëdhëniet e konfliktit me një traktat paqeje.
“Besoj se në nivelin politik ende nuk mund ta japim pëlqimin se nuk ka një vendim të tillë, por është mendim imi personal. Kosova dhe Serbia duhet t’i përfundojnë marrëdhëniet e konfliktit me një traktat të paqes. Traktati i paqes e dimë të gjithë se çka përmban”, ka thënë ai.
Kurse sa i përket asaj se sa mund të arrihet një gjë e tillë kur kemi parasysh se pushtetarët në Serbi janë ata që kanë një politikë pothuajse agresore me retorikën e tyre ndaj Kosovës, Kuçi ka thënë se pozicioni shtetëror nuk ndikohet nga pozitat personale ose perceptimet personale për dikë në Serbi. Kurse për retorikën e tyre ai ka thënë se ajo ka paraqitur kërcënim për Kosovën deri më 15 qershor 1999, ndërsa sot ajo retorikë e dëmton vetë Serbinë dhe popullin e vet, duke e quajtur përsëritjen e asaj retorike sot “sikur ta lëshojmë kasetofonin në vitet e 90-ta”. /kosovapress/