Çdo ndeshje, për fitore

Xherdan Shaqiri është i mbushur me ambicie, para fillimit të sezonit të ri. Mesfushori kosovar thotë se Bavarezët duhet ta kenë dëshirën për ta fituar çdo ndeshje, nëse duan të jenë të suksesshëm në sezonin 2012/13.
Përfaqësuesi zviceran iu bashkua gjigantit nga Bundesliga këtë verë nga Baseli, ndërsa është i vendosur që aventura e tij në Gjermani të nis në nivele të larta dhe të luftojë për trofe të çmueshëm.
“Është e rëndësishme që ta kesh dëshirën për ta fituar çdo ndeshje dhe të dalësh fitues në duelet kyçe. Bayerni ishte i paaftë ta bënte këtë sezonin e kaluar”, ka thënë Shaqiri për uebfaqen goal.com. “Ne e kemi të mbuluar çdo pozitë si është më së miri dhe është e qartë se duam ta fitojmë titullin e kampionit në Bundesligë”, shtoi ai.
Futbollisti gjilanas më pas është rikthyer të flasë për paraqitjen e Bayernit në Liga Total Cup, derisa shton se mezi e pret sfidën e Superkupës së Gjermanisë ndaj kampionit aktual, Borussia Dortmund.
“Të dyja ndeshjet në Kupën e Ligës ishin teste të mira për ne. Ato na u përshtaten për mrekulli në përgatitjet tona për sezonin e ri. Është e rëndësishme të zhvillojmë sa më shumë ndeshje. Duhet t’i fitojmë ndeshjet vendimtare, si ajo me Dortmundin. Kjo është ajo që ka rëndësi në këto momente”, përfundoi Shaqiri.
Bayerni do të luajë me Dortmundin më 12 gusht, në kërkim të trofeut të parë të sezonit që po fillon.
Heynckes: Shaqiri, talent i madh
Trajneri i Bayern Munichut, Jupp Heynckes ka lavdëruar përforcimin e ri, mesfushorin kosovar Xherdan Shaqiri pas një tjetër paraqitjeje të tij pozitive në fitoren 1-0 kundër Hamburgut të dielën.
Shaqiri kësaj radhe nuk shënoi gol por me lojën e tij mori çmimin e futbollistit më të mirë të takimit e më pas u lavdërua edhe nga Heynckesi. “Shaqiri është talent i madh, ai i ka të gjitha aftësitë për pozitën të cilën e mbuloi sot”, deklaroi Henyckes pas ndeshjes për uebfaqen zyrtare të Bayernit.