Tramvaji Kinostudio-Kombinat dhe Unaza e madhe, shumë shpejt një realitet i prekshëm

Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha prezanton programin dhe kandidatin e njësisë 10, z.Blendi Fuga
Lulzim Basha ka bërë publike dje pikat kryesore të planit të ri urbanistik të Tiranës. Koeficienti i vlerësimit të pronës do të jetë më i lartë, si dhe do të krijohen më shumë hapësira publike. Në njësinë bashkiake numër 10, ku prezantoi kandidatin për kryetar të kësaj njësie, Blendi Fuga, Lulzim Basha bëri të ditur se nisja e investimet për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve do të jetë realiteti i parë i prekshëm nën drejtimin e Bashkisë, prej tij. Po kështu, Basha tha se qytetarët e Tiranës nuk do të kenë më nevojë t’i drejtohen bashkisë së madhe për të marrë leje për volume të vogla ndërtimesh, por do ta marrin atë pranë njësisë bashkiake. “Nëse jeni ngopur me politikë, nëse jeni plot me shpresë për një qytet tjetër, nëse jeni gati ta vendosim qytetin tonë të parin, qytetarët tanë të parët, atëherë unë iu them se unë jam gati. Jam në shërbimin tuaj, jam në dispozicionin tuaj dhe do të punoj me mish dhe me shpirt për t’ia arritur kësaj. Do ta nisim me investimet, me ndërhyrjet nga nënkalimet dhe parkimet nëntokësore brenda qytetit, deri në vepra të tilla të cilat sot janë po aq të pamendueshme sa Durrës-Kukës para 5 vitesh, po aq të papërfytyrueshme sa lëvizja e lirë e qytetarëve para 3 apo 4 vitesh, por që nesër do të jenë një realitet i prekshëm për qytetarët e Tiranës. Nga tramvaji Kinostudio-Kombinat, tek Unaza e madhe e cila do të qarkojë qytetin. Në planin urbanistik të Tiranës, dy do të jenë kriteret themelore, koeficienti më i lartë i mundshëm i zhvillimit të pronës private, dhe rifitimi maksimal i hapësirave publike. Çfarë kuptimi ka të vërtiteni me letra në duar, të paguani tarifa pas tarifash, kur ju pikon çatia, për të hapur një dritare të vetme, apo për një volum të vogël ndërtimi. Kjo duhet të marrë fund dhe kjo do marrë fund sepse këto kompetenca dhe shumë e shumë kompetenca të tjera, do të vijnë në nivelin më afër qytetarit tek Kryetari i Njësisë Bashkiake, dhe më pranë jush. Sot unë ju premtoi se nisja e investimit për sistemin modern të ujësjellës-kanalizimeve për qytetin e Tiranës do të jetë prioriteti numër një dhe realiteti i parë i prekshëm për ju, në drejtimin e Bashkisë nga unë”, u shpreh Lulzim Basha në një miting entuziast në njësinë numër 10 në Tiranë.
Kandidati për kryetar të bashkisë së Tiranës, garantoi se pas 9 majit, kur bashkia do të drejtohet prej tij, Tirana nuk do të ketë më vendimmarrës anonim, apo një të vetëm, por të gjithë qytetaret e Tiranës do të jenë bashkë-vendimmarrës për fatet e qytetit.
Erisa Xhixho: 8 maji, sfida e të gjithëve për të ndërtuar diçka bashkë
Kandidatja e “Aleancës për Qytetarin” në njësinë bashkiake nr 5, Erisa Xhixho takon qytetarët “Angazhim dhe mbështetje duke qëndruar pranë dhe duke i dhënë zgjidhje të menjëhershme halleve dhe shqetësimeve të tyre, kjo është ajo që kandidatja për Njësinë Bashkiake numër 5 në Kryeqytet, Erisa Xhixho”- ka premtuar banorëve të kësaj njësie. Prej vitesh, banorët e kësaj lagjeje vuajnë mungesën e një ambienti çlodhës për të moshuarit, por dhe fëmijët e tyre, prandaj gjatë takimit, që Xhixho ka zhvilluar e ta, ata kanë kërkuar ndihmë për këtë situatë, ku territori pranë pallateve të tyre është kthyer veçse në një parkim për makinat që kalojnë aty rastësisht. Nga ana tjetër, Xhixho ka theksuar se 8 maji do të jetë pikërisht zgjidhja e problemeve dhe halleve të qytetarëve, e cila do të jetë një sfidë e të gjithëve për të ndërtuar diçka bashkë. Pasi, sipas saj, këto zgjedhje nuk janë zgjedhje politike, por janë zgjedhje për qytetarin, për zgjidhjen e halleve dhe problemeve të tyre. Xhixho ka premtuar se dëgjimi i halleve të qytetarëve nuk është vetëm pjesë e fushatës, por kjo gjë do të vazhdojë dhe në ardhmen, dhe pas 8 majit në këtë mënyrë çdo gjë do të marri zgjidhje të menjëhershme. “Obligimi dhe angazhimi im maksimal do jetë të çliroj gjithë hapësirat publike që t’i vëmë në dobi tuajën. Çlirojmë këto hapësira, çlirojmë dhe stresin tuaj për ambiente çlodhëse, për ambiente për fëmijët tuaj, dhe për nipërit tuja për t’i çliruar nga çdolloj stresi dhe për t’i menaxhuar këto hapësira që kanë ngelur. Kjo besoj se është një nga detyrat kryesore që kryen bashkia, që t’ju japë ju një mundësi për t’u qetësuar, për t’u relaksuar, për të ndenjur me nipërit dhe mbesat tuaja” u shpreh Xhixho. Duke mbetur në këto argumenta Xhixho u shpreh se,- ka një projekt dhe një ide shumë të mirë se si mund ta zgjidhim këtë çështje. Unë kam një angazhim shumë të madh që është dhe problemi juaj i përditshëm, që e kam hasur dhe nga shumë banorë në takimet e mia është dhe çlirimi i një kapitali shumë të madh që do të ndodhë me zgjidhjen përfundimtare të hipotekave që është këtu afër jush. Me çlirimin e këtij kapitali do të bëhen të mundura investime më të mëdha, që do të thotë se biznese të reja do të hapen kjo do të bëjë të mundur që të punësohen dhe njerëz të rinj dhe njerëz, të cilët do të mund të krijojnë një kapital të tyren dhe për familjen e tyre. “Unë jam e një e re, por që mendoj se kjo është një betejë për hallet dhe për zgjidhjen e tyre, për zgjidhjen e problemeve tona të përditshme dhe unë si banore e kësaj zone jam shumë e angazhuar që kandidatura ime të mos jetë thjesht një sfidë e imja, sepse kjo nuk është një sfidë e Erisa Xhixhos, është sfida e të gjithëve ne për të ndërtuar diçka bashkë”- tha më tej ajo.
...