Ferdinand Xhaferaj fiton përballjen e parë publike me Vangjush Dakon
Thellohet skandali i kandidatëve të Edvinit, Vangush Dako injoron studentët, s’u përgjigjet pyetjeve të tyre
Kandidatët për kreun e bashkisë së Durrësit në zgjedhjet e 8 majit, Ferdinand Xhaferaj dhe Vangjush Dako, kanë zhvilluar dje në mesditë debatin e tyre të parë për problematikat e qytetit, në auditorin kryesor të universitetit “Aleksandër Moisiu”. Përballja mes dy kandidatëve ishte organizuar nga stafi akademik dhe senati dhe u zhvillua mbi bazën e kritereve të përcaktuara prej tyre. Kandidati i koalicionit opozitar “Aleanca për të ardhmen”, Vangjush Dako, e vlerësoi mjaft të suksesshëm mandatin e tij të parë në krye të bashkisë, që sipas tij, ka arritur të zbatojë projekte për infrastrukturën, gjelbërimin dhe ndriçimin në disa nga lagjet e harruara të Durrësit. Në ekspozenë e tij, kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Ferdinand Xhaferaj, theksoi se Durrësi gjatë katër viteve të fundit “është zhvilluar në mënyrë krejtësisht kaotike, duke hedhur beton pa fund në interes të firmës private të kryebashkiakut Dako”. Vizioni i ardhshëm i qytetit, tha ndër të tjera kandidati Xhaferaj, do të lidhet edhe me praninë e universitetit, studentët dhe pedagogët e të cilit janë një potencial bashkëpunimi në të ardhmen. Sipas tij, “ndërtimi i kampusit universitar prej 54 ha në veri të qytetit është vetëm pjesa fizike e projekteve të përbashkëta që do të ndërmerren nga bashkia dhe universiteti në dobi të qytetit”. Por, atëherë kur kandidatët po bashkëbisedonin me studentët, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre, Vangjush Dako ka refuzuar të japë përgjigje. Ai gjatë gjithë kohës është munduar të shmangë pyetjet direkte të studentëve, të cilat kishin të bënin kryesisht me përgjegjësitë e pushtetit vendor lidhur me shërbimet që duhet të ofrojë bashkia e Durrësit. Dako, ndonëse s’ka dhënë shpjegime përkatëse për mundësitë dhe shërbimet që ofron bashkia e Durrësit aktualisht, s’ka ngurruar të kritikojë pushtetin qendror, duke i atashuar atij përgjegjësi që në të vërtetë i takojnë pushtetit lokal. Debati mes dy kandidatëve rivalë për postin e kryebashkiakut të Durrësit u bë më i nxehtë kur u trajtuan çështjet e punësimit dhe kur Xhaferraj mbrojti idenë e shfrytëzimit të të gjitha resurseve që nga trashëgimia kulturore deri te mundësitë që jep tregtia dhe transporti.
Përballja mes dy kandidatëve për bashkinë e Durrësit kishte ngjallur interesimin e madh të studentëve dhe pedagogëve, të cilët bënë një sërë pyetjesh lidhur me kushtet dhe përfshirjen e tyre në jetën e qytetit bregdetar.
Fier, kandidati i PD-së, Ilir Bele: Abuzimet e kryetarit të bashkisë Baftjar Zeqo po vrasin harmoninë urbane të qytetit
Kandidati i PD për kryetar bashkie ne Fier, Ilir Bele, ka zhvilluar sot një takim elektoral me qytetarët e lagjes “Kastriot” dhe komunitetin e biznesit. Bele ka akuzuar bashkinë se e ka lënë në harresë komunitetin e biznesit dhe qytetarët e kësaj lagjeje. Madje, ai ka akuzuar edhe për shpërdorime dhe abuzime me fondet në ato pak investime që janë kryer në këtë zonë të qytetit. “Bashkia ka abuzuar me tenderin e rrugës “Andon Profka”- u tha ai qytetarëve. Më pas, Bele u ndal te biznesi i ndërtimit, i cili është asfiksuar, ndërkohë që kërpudhat dhe betonizimet pa projekte po vrasin harmoninë urbane të qytetit. “Fieri është një nga qytetet më të fuqishme përsa i përket biznesit të ndërtimit. Janë me dhjetëra kompanitë fierake të ndërtimit që operojnë edhe në qytete të tjera të vendit si, Tiranë, Sarandë, Vlorë etj, ndërsa puna në qytetin e tyre ka rënë drejt pikës zero”- tha Bele.
Ai u ka premtuar mbështetje maksimale banorëve dhe biznesit. “Ne do të ofrojmë një klimë ideale për lulëzimin e biznesit dhe përmirësimin e infrastrukturës së kësaj lagjeje”- shtoi ai. “Ne jo vetëm që do ta çmojmë biznesin e ndërtimit, por edhe do ta orientojmë, duke krijuar me të një partneritet të ngushtë për t’i shndërruar fytyrën qytetit të Fierit”- tha Bele. Sipas tij, pallatet e reja do të orientohen drejt zonave ku ka hapësira të bollshme për krijimin e parqeve dhe zonave të gjelbëruara, në ato zona ku ka studime të mirëfillta urbanistike, me qëllim ruajtjen e planit urban, si dhe favorizimin e tregut të shitjes së apartamenteve.
Gjirokastër, Sinojmeri: Flamur Bime ka abuzuar me taksat e qytetarëve
Kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për bashkinë e Gjirokastrës, Genc Sinojmeri, kritikoi politikat e rivalit te tij, kreut aktual të bashkisë, Flamur Bime, në administrimin e taksave. Në një takim me banorët e Gjirokastrës, Sinojmeri e quajti të gabuar faktin që lekët që paguajnë taksapaguesit, kreu i bashkisë, Flamur Bime, i përdor për vende pune elektorale. “Vetëm në dy muajt e fundit, kryetari i bashkisë ka punësuar me të ardhurat nga taksat më shumë se 25 vetë jo vetëm në bashki, por dhe në ndërmarrjet në varësi të saj”- tha Sinoimeri. “Punësimi i qytetarëve duhet të jetë prioritar, por kjo që po bën Bime nuk ka lidhje me politikat bashkëkohore të punësimit, por thjesht me politika të vjetruara elektorale. Taksapaguesit paguajnë që të bëhen investime në shkolla, në rrugë, në lulishte etj, dhe jo të blihen vota”- deklaroi më tej kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për bashkinë e Gjirokastrës, Genc Sinojmeri.