Berisha thërret mbledhjen e Qeverisë, bën thirrje për një fushatë elektorale të qetë dhe pa incidente

“Policia e shtetit të marrë të gjitha masat për një qëndrim të rreptë ligjor ndaj çdo shkelësi të ligjit“
UPDATE- Shefi i ekzekutivit apeloi sot nga mbledhja e Këshillit të Ministrave që të shmangen me cdo kusht aktet e dhunës gjatë fushatës elektorale të 8 majit. Kryeministri deklaroi para anëtarëve të kabinetit qeveritar se zgjedhjet për pushtetin lokal janë të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe ndaj mbetet primar arritja e standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët. Kësisoj, kryeministri Berisha i bëri apel organeve të rendit të adaptojnë zero tolerancë ndaj çdo lloj abuzimi ndërsa shtoi se zgjedhjet dhe karakteri përcaktohet nga zbatimi i ligjit zgjedhor dhe ligjeve të lidhura me zgjedhjet. “Policia e shtetit të marrë të gjitha masat për një qëndrim të rreptë ligjor ndaj çdo shkelësi të ligjit”- theksoi Berisha. Kryeministri Berisha gjithashtu u bëri thirrje komisionerëve të cilët do të marrin pjesë në zgjedhje të respektojnë ligjin duke shtuar se ata kanë shansin e madh të ndihmojnë në këtë proces duke zbatuar ligjin. Ndërkohë duke iu referuar incidenteve me flamujt, kryeministri Berisha theksoi se të dyja palët duhet të respektojnë simbolet e njëri-tjetrit. “Për sa i përket përplasjes për flamujt unë kam këtë mesazh: Flamujt e spektrit politik janë të pluralizmit dhe ato shkëlqejnë vetëm kur rrinë në tërësinë e tyre sepse pa ata Shqipëria nuk do të ishte siç është. Ata janë flamuj të pluralizmit. Secili të votojë për flamurin e tij, por secili duhet ketë parasysh që edhe flamuri tjetër duhet të respektohet”- deklaroi ndër të tjera kryeministri Berisha.
...