E Diel, 1 Nëntor 2026

Transferimi i Aeroportit të Gjakovës mbështetet nga Italia

“Finalizimi i transferimit të aeroportit ushtarak në Gjakovë në aeroport civil nën menaxhim dhe pronësi të institucioneve të Kosovës, është tregues i qartë i mbështetjes së Qeverisë italiane për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha sot ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila në një takim me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Michael Giffoni.

“Aeroporti në Gjakovë ka rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të Kosovës e posaçërisht për zhvillimin e rajonit të Komunës së Gjakovës. Unë e shpreh falënderimin tim të thellë për përkrahjen tuaj dhe shpresoj që bashkëpunimi i dy vendeve tona në fushën e ekonomisë dhe tregtisë do të vazhdojë të forcohet në të ardhmen”, përfundoi Kusari Lila.

Ministrja Kusari Lila falënderoi ambasadorin Giffoni për përkrahjen që Qeveria Italiane po i jep Kosovës në promovimin e investimeve dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik në mes Kosovës dhe Italisë. transmeton koha.

Ambasadori Giffoni shprehu qëndrimin e Qeverisë së Italisë për mbështetjen e zhvillimin ekonomik të Kosovës. “Italia mbështet zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe ne po punojmë vazhdimisht në promovimin e investimeve italiane në Kosovë” tha ambasadori Giffoni.

Italia dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira ekonomike dhe tregtare. Italia është partneri më i fuqishëm i Kosovës për eksporte. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013 Kosova ka eksportuar në Itali mallra me vlerë prej rreth 40 milionë euro, më shumë eksporte se në çdo vend tjetër. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›