Transferon 2.2 mld lekë te qeveria jashtë planit
Në tremujorin e parë të këtij viti, Banka e Shqipërisë ka transferuar 2.2 miliardë lekë nga fitimet e veta të projektuara për vitin 2010 te Ministria e Financave, pavarësisht se në axhendën e buxhetit të shtetit, kjo shumë ishte programuar të disbursohej më vonë. Lajmi bëhet i ditur nga bilanci i qeverisë që u publikua së fundmi. Qeveria pati planifikuar të tërhiqte vetëm 200 milionë lekë nga fitimet e BSH deri në fund të muajit mars, por vendosi të tërheqë 2.4 miliardë lekë, duke e realizuar planin në masën 1200%. Fitimet e BSH-së sigurohen nga emisioni monetar, si dhe nga interesat e kredive që kjo bankë u jep bankave të tjera. Ministria e Financave i përfiton këto fitime për të mbuluar shpenzimet e veta të zakonshme. Gjatë këtij viti është parashikuar që BSH t’i transferojë Ministrisë së Financave 6 miliardë lekë fitime. Shkaku i transferimit të fitimeve para kohe është thjesht vështirësia financiare e qeverisë, e krijuar nga ritmi i dobët i të ardhurave dhe shpenzimeve në rritje.
#