E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falja e dënimit, tani me kundërfirmë

Drafti i ri: Dokumentet që duhen plotësuar dhe rastet kur ndalohet falja

Presidenti i Republikës nuk do ta ketë të drejtën ekskluzive të faljes së të dënuarve. Kështu është përcaktuar në draftin e ri për faljen e të dënuarve, i cili në fakt fut një standard të ri i cili krijon një precedent kushtetues, duke vendosur institucionin e kundërfirmës si garanci, ndërkohë që në ligjin themeltar të shtetit, kreu i shtetit jep faljen për të dënuarit. Në relacionin e projektligjit “Për Faljen”, që sapo ka mbërritur në Parlament, ndryshimi i ri justifikohet me standardin europian. “Në të gjitha
legjislacionet europiane si partner në marrëdhëniet institucionale me Presidentin e Republikës, në emër të ekzekutivit shërben ministri i Drejtësisë si drejtues i institucionit më të lidhur me çështjen në kuadër të sistemit të drejtësisë dhe me instrumente të plota për të arritur qëllimin e institucionit të faljes. Në të gjitha këto vende, madje në kuadrin e normës kushtetuese është parashikuar e ashtuquajtura “kundërfirmosje e ministrit përkatës”. Ky aspekt përcaktohet shumë qartë në një pjesë të madhe të draftit të sapomiratuar nga Këshilli i Ministrave. Në nenin 9 të projektligjit theksohet se “ministri i Drejtësisë jo më vonë se 60 ditë nga data e depozitimit të kërkesës i paraqet Presidentit të Republikës praktikën përkatëse së bashku me propozimin e tij për pranimin e kërkesës apo refuzimin për falje. Propozimi i ministrit të Drejtësisë shoqërohet me arsyetimin e plotë ligjor për çdo kërkesë. Presidenti i Republikës nëse e çmon se praktika e përcjellë për faljen e dënimit nuk është e plotë, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës njofton ministrin e Drejtësisë për rishqyrtimin e plotësimin e të metave”. Ndërsa në nenin 10 të draftit theksohet në mënyrë të qartë se “Falja e dënimit ushtrohet nga Presidenti i Republikës me propozimin e ministrit të Drejtësisë. Dekreti i Presidentit të Republikës për faljen e dënimit përmban: gjeneralitetet e personit të dënuar, të dhëna për vendimin gjyqësor të dënimit, veçanërisht për llojin e masën e dënimit, i cili është objekt i kërkesës për faljen e dënimit, referencën në këtë ligj dhe arsyetimin ligjor përkatës, mënyrën e faljes së dënimit sipas rastit tërësisht apo pjesërisht, duke përcaktuar shprehimisht pjesën e dënimit të falur apo llojin e masën e dënimit më të butë që zëvendëson dënimin e dhënë me vendimin gjyqësor”. Sipas draftit, çdokush që kërkon falje dënimi duhet të paraqesë këto dokumente: kopjen e vendimit penal të dënimit, për të cilin kërkohet falja, shkaqet ligjore të kërkimit të faljes së dënimit, kopjen e letërnjoftimit të personit të dënuar, dokumentacionin për gjendjen familjare të tij, të dhëna për arsimimin e për profesionin e ushtruar para dënimit dhe referencën në ligj. Ministri i Drejtësisë duhet që brenda 7 ditëve nga data e marrjes së kërkesës së të dënuarit i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve informacion për veprën penale, periudhën e dënimit dhe vlerësimin e sjelljes. Ndërkaq, një detaj i shtuar në dokumentacionin që shoqëron kërkesën e faljes është informacioni për ecurinë financiare të personit juridik, si dhe pozicioni në treg dhe marrëdhëniet e tij me organet e administratës publike e persona të tjera juridikë. Si kritere ndaluese për faljen e dënimit të personave që gjykata i ka shpallur fajtorë është në rastet kur: vendimi gjyqësor nuk ka marrë formë të prerë apo nuk është bërë i ekzekutueshëm, ka përfunduar ekzekutimi i vendimit, apo ekzekutimi nuk ka filluar për shkak se i dënuari i është shmangur ekzekutivit. Një tjetër kriter ndalues është edhe nëse vepra penale është kryer me egërsi dhe mizori apo kundër fëmijëve grave shtatzëna, a personave që për shkaqe të ndryshme nuk mund të mbrohen.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›