E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transfertat bankare përmes celularit

07/03/2010 Financa

Institucionet financiare shqiptare do të ngrenë një grup pune, detyra e të cilit do të jetë hartimi i një planveprimi për t’u ofruar qytetarëve mundësinë e kryerjes së transfertave bankare përmes celularëve. Kryeministri Sali Berisha ka thirrur dje një mbledhje të veçantë me ministrin e Financave, Ridvan Bode; ministrin e Shtetit, Genc Pollo; Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, si dhe ekspertë e drejtues nga institucione të tjera financiare, për të diskutuar mbi këtë proces, të njohur si M-Banking. Kreu i Qeverisë, ka theksuar se përdorimi gjerësisht i celularëve nga qytetarët për veprime bankare është një standard që duhet të arrihet me shpejtësi, duke sjellë kështu një zhvillim të madh në përdorimin e internetit. Sipas tij, një mundësi e tillë është një aspekt që lehtëson ndjeshëm dhe ka leverdi të madhe për qytetarët shqiptarë. “Ky është një shërbim i rëndësishëm, të cilin shqiptarët duhet ta kenë sa më shpejt dhe për këtë Qeveria do të hartojë një politikë stimuluese dhe një plan efecient veprimi, në mënyrë që sa më shpejt të kapen nivele të tilla të larta të përdorimit të internetit, nisur edhe nga përdorimi i gjerë i celularëve në Shqipëri”, ka thënë Berisha. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, shefi i ekzekutivit solli shembujt e disa vendeve në të cilat brenda një kohe të shkurtër dhe përmes implementimit të teknologjisë, kjo praktikë ishte përqafuar nga miliona qytetarë dhe ka ndikuar ndjeshëm në cilësinë e tyre të jetesës. Kryeministri Berisha përcaktoi si masë të rëndësishme që duhet ndërmarrë nga institucionet financiare dhe për këtë kërkoi ngritjen e një grupi pune, i cili do të fillojë menjëherë nga puna për të hartuar një plan veprimi në këtë drejtim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›