E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transparenca e majtizmit tonë edvinist, një hipokrizi groteske

Majtizmi ynë ka dhe një bisht përsipër: është majtizëm enverist. Kjo do të thotë se PPSH-ja jonë përvetësoi edhe pas vdekjes së Enverit, atë gjëmë të ruajtjes së terrorizmit stalinist, pasi destalinizimin e hoqën qafe të gjitha vendet komuniste të Lindjes europiane, qysh në vitin 1956, gjer në 1990-n. Kur ato vende nuk kishin dënime politike dhe kur në ato shtete zunë fill disidencat, te ne dënoheshin me varje poetët, siç mund të përmendet rasti tragjik i Havzi Nelës, në vigjilje të proceseve demokratike. 44 vite të gjata plus, të diktaturës komuniste!

Kongresi 10-të i PPSH-së e shndërroi këtë parti në PS. Kësisoj PS-ja, që nuk e nisi kongresin nga i pari, u quajt “parti emërndërruar” e cila, ndonëse përvetësoi emrin e partisë së Betino Kraksit, nuk trashëgoi aspak europianizmin e saj...

E gjithë ajo zhurmnajë hipokrite në vijim, me kryefjalë rinovimin, është në thelb një orvatje e trashë për të paraqitur si nuse të re një plakë shtiracake, me një kozmetikë keqane, me të gjitha huqet e fshehura, por edhe të tejdukshme, të enverizmit që lamë pas.

Në Itali Stalini, tanimë, nuk përmendej fare. Ndërsa te ne Stalini fshihej nën mantelin e Enver Hoxhës. Nuk përmendej në vendin tonë se, duke qenë antishqiptar (gëlltitja, por edhe e vërteta që e konsideronte Shqipërinë si plaçkë tregu), kjo do t’i jepte diktatorit shqiptar damkën e antikombëtarit. Prandaj: Urrá! – për Enverin (në Pezë, në muret e brendshme të Ministrisë së Jashtme të P. Milos, në thirrjet histerike të P. Komuniste të legalizuar fill pas ’97-s) , sipas vetisë kalimtare, kishte edhe kuptimin e ovacioneve për Stalinin, me një fshehje prapa gishtit, - siç është një shprehje. Për të gjitha këto vodëvile, historiografia e vërtetë e mëvonshme do të bëjë transparencën e vërtetë, që do të bjerë ndesh me fjalën e shfiguruar rëndshëm transparencë të PS-së së tanishme.

Në këto indicie del e plotë fizionomia e të sëmurit të molepsur me hilet e mashtrimit, të hipokrizisë dhe, doemos, të mungesës tërësore të transparencës.

Për këtë farë të majte që është e ngërthyer nga mungesa e minimumit të sinqeritetit, si edhe e mbrujtur me njëqind hilera, mund të jepen prova të panumërta. Si rrjedhojë, PS-ja e sotme është negacion i transparencës .

Zgjedhjet që u pasuan me manifestimin e njerëzve të çarmatosur në Shkodër, e mbytën revoltën popullore në dhunë të përgjakshme. A u bë ndonjë transparencë për zgjedhjet? A u bë ndonjë transparencë për urdhëruesit e këtij krimi, jo për sikarët apo për dorasit, që nuk mund të shtinin pa urdhër! Një fjalë e urtë shkodrane thotë: “Ma i keq gërgasi se dorasi”. Ministri i brendshëm i Ramizit, tanimë numri dy i PS-së, G. Ruçi, a mund të na saktësojë se cilët, konkretisht, e dhanë urdhrin për këtë plojë? Apo u mbyll masakra me një gjyq-farsë komunist? E bash ky njeri, në emër të PS-së së EdRamës na flet, gjer në ngjirje, me lajtmotiv “transparencën”!

Apo Taku kërkon të na flasë për “transparencë”, pikërisht ai që bëri antitransparencë në komisionin e famëkeq Ngjela! Komisioni i Spartakut e zvetënoi transparencën për atë dhunë pushtetrrëmbyese të ’97-s, për të cilën kanë dalë disa libra të dokumentuar në mënyrë të papërgënjeshtrueshme, që kanë bërë vërtet transparencë dhe jo hi syve për atë mynxyrë që e çoi vendin tonë në nivelin zero të ecurisë demokratike. Nuk i paska parë S. Ngjela fotot e atyre librave që përmendëm, me koka të prera të ruajtësve të rendit, rrogëtarë të shtetit, që s’kishin prekur asnjerí? Po gra vampire, që thithnin gjak njeriu jo në kuptimin metaforik, të cilave do t’ua kishte zili edhe vetë Drakula? Liza u bë, mandej, deputete në parlamentin me njerëz butaforikë të PS-së, që dolën nga kinsezgjedhjet e 29 qershorit të 1997-s, të quajtura zgjedhje domenesh (Mos hajde këtu për propagandë zgjedhore se ja ku e ke litarin, në degën e rrapit!)? Zgjedhje që as emrin nuk e meritojnë të tillë. është bërë transparencë për këtë farsë zgjedhjesh? Nuk i di këto Ngjela? Por edhe Komiteti i zgjedhur nga të humburit në firmat huamarrëse ka një mori faktesh, të dokumentuara në fac símile, se cilës kategori politike, ndër politikanët VIP ishin përnjollosur në këto firma. I ngarkuari pësëist, Farudin Arapi, ishte ngarkuar për të bërë transparencën. Ky iu përvodh sfidës që i bëri për ballafaqim në TV kryetari i këtij Komiteti ku me dokumente dilte në shesh jo transparenca, por e kundërta e saj, si: Shitja e një helikopteri të “Vefës”, me vlerën e një autobusi gjysmë të konsumuar! (Në kllapë duhet të themi se Vefën nuk mundi ta nxjerrë dot “piramidale” Farudini, në një gjyq që pati nismën e tij për të shtuar dozat e “transparencës”, gjyq i cili dha verdiktin e padëshiruar se Vefa nuk ishte piramidale për hir të aseteve të saj të shumta dhe të numrit të madh të të punësuarve në ndërmarrjet e Vefës! Për “transparencën” socialiste në këtë çështje mund të flitet shumë. Por, meqë e kemi fjalën te transparenca Ngjela, duhet të themi edhe këtë, që është jo pak “pickuese” për hilerat e këtij komisioni. Se, në dokumentacionin e bollshëm të Komitetit - shoqatë, gjendet edhe emri i S. Ngjelës, si përfitues vetjak në këto firma: Nëse do ta mohojë, - por edhe pa e mohuar, - do të kemi rastin t’ia nxjerrim këtë fakt në fac símile, për ta shikuar më qartësisht dyfytyrësine e ushtarit të bindur të EdRamës, në këtë zurnà qesharake për t’i vënë një aureolë qesharake transparencës socialiste të Edvinit, të G. Ruçit dhe të demagogëve të tjerë. Në këta të tjerët hyn, për fat të keq, edhe Preç Zogaj, përveç Muç Nanos, Andrea Stefanit dhe proselitit me damkë, Mero Bazes. Për ta mbyllur me Takun, i porositim lexuesit një artikull të argumentuar, të trajtuar me hollësira datash dhe faktesh, artikullin më të dokumentuar e më të analizuar me seriozitet, të botuar si profil politik të “aleatëve” të kryetarit të PS-së, me titullin “Opozitarët e Edvin Ramës” në rubrikën Speciale të “55-s” së datës 24. 03, 2010. Në këtë studim të papërgënjeshtrueshëm, Ngjela profilizohet jo vetëm si bredharak partish, por edhe si neofit pa parime, i cili, nga vënës i kandidaturës për t’u bërë lider i Partisë së Legalitetit (12 prill 1998), kalon në antimonarkist, teksa e quan atë regjim që mëtonte ta përfaqësonte, si me “kushtetutë absolutiste” (në një intervistë në NTV, më 27 dhjetor 2009).

I ka përvetësuar EdRamës tiparin e tij më të keq: atë të të çekuilibruarit. Ky i fundit, nga “antikomunist” pa tru, nga i ekzaltuar dhe paranojak që propozonte që të gjithë komunistët të vareshin në litar (!) (në të famshmen “Refleksione” në bashkëpunim me ekstravagantin Ardian Klosi), na u shndërrua në një enverist të tërbuar, protagonist në vetë të parë për ditirambet ndaj diktatorit shqiptar në Pezë! Kështu, opozitarizmi i tanishëm i E.Ramës i ka të gjitha të dhënat për zhvatje staliniste të pushtetit, pasi i humbi zgjedhjet e 28 qershorit, për shkak të rradakes së tij megalomane dhe me të meta mendore. Fill pas zgjedhjeve doli një fjalë-bombë kundër tij, jo vetëm nga kundërvepruesit e të pestëve, që morën emrin LMN, por edhe nga një elitë e së paku 50 e më tepër njerëzish të shquar të PS-së, një bashkësi që tani është rritur në mënyrë eksponenciale. Kjo fjalë që e shtangu Edvinin fillimisht dhe s’e kishte gjetur ende atë rebusin që e bëri flamur për të kopanisur të tijtë, brenda partisë, ishte personalizim. E personalizoi, pra, partinë, domethënë i mori përsipër të gjitha vetë duke shpërfillur me një mujshí tiranike elitën e partisë. E bëri vetë të gjithë propagandën e çoroditur; nuk paraqiti asnjë perspektivë, asnjë program partie (paçka se u justifikua se kishte mijëra e mijëra faqe, që s’i njihte askush, “të futura” në atë kjoskën qesharake në qendër të sheshit kryesor me gropa-gropa); u tregua joluajal me partitë e vogla aleate, që mbetën në mëshirë të fatit dhe kryetarët e tyre, ndonëse kishin dalë dikur deputetë me vota alla-tetëvjeçar); përçmoi LSI-në, majtizmin më të madh majtist, më me prestigj të dukshëm më lart se partitë vocërrake të tjera të pavotuara, apo të votuara si në tetëvjeçar (G. Ruçi i kishte tallur këta kryetarucë se kishin një autobus zgjedhësish!). Personalizimi ishte bërë me një propagandë jobindëse ndaj fshatarëve, të cilëve kryetari E. Rama u jepte leksione mbjellje-korrjesh në ato inkursionet me autobusë vajzash me buzë qumështore dhe djemsh miturakë, si edhe me kasketat e vjetra të tipit të këpëdarëve injorantë, që iu futën një fushate zgjedhore të parakohshme, me shpenzime të mëdha bashkiake, e të tjera, e të tjera. Natyrisht se me zgjedhjet e personalizuara kësisoj, LMN-ja ose Lëvizja për Mendimin Ndryshe, i kërkoi dorëheqjen sipas nenit 28 të Statusit Peshku mbeti për një kohë të gjatë jashtë ujërave. Afër ngordhjes, u gjet pishina rivitalizuese: ndonëse të gjithë kundërshtarët brenda partisë, jo vetëm ata të LMN-së, por edhe më gjerë, i kërkonin dorëheqjen, ai (me ndihmën e atyre ndaj të cilëve nuk pipëtinte, se ishte i kapur dhe ata ishin ustallarë të regjur si çakallozë që në kohën e mëkatarëve enveristë), i dhanë në dorë shkopin magjik: që të vetëshpallej si fitimtar! Qeshi dynjaja me këtë thagmë autizmi: Po monitoruesit ndërkombëtarë që i ndoqën zgjedhjet me sytë katër e që thanë se janë nga më të mirat? Po 20.000 komisionerët që duket se ishin unanimë dhe e bënë KQZ-në të votojë 7:0 ? – Kollaj, - thanë ustallarët: Komisionerët i shpallim tradhtarë. Sa për ndërkombëtarët, gjejmë ndonjë nga ata të rrallët të ish-lëvizjes marksiste që kishin depërtuar në institucionet europiane, duke u bërë antistalinistë, siç bëri emër Krushovi, paçka se të vrisnin për Stalinin para se të ndërronte kursi. “Mjafton të thotë ai i këtij tipi një fjalë të mirë për ne, kundër numëruesve dhe ne e bëjmë qimen tra: Nga 1 për 100 e bëjmë 100 për 1”!

Në të vërtetë këto nuk janë hamendësime. Na janë gërryer veshët me atë tekun që ka folur për numërim jo të mirë. Po ata 99 të tjerët (për të folur statistikisht në një kampion prej 100 individësh), kanë thënë se zgjedhjet janë nga më të mirat e standardeve zgjedhore, gjatë të gjithë tranzicionit shqiptar? Kuptohet sesa respektohet kjo transparenca e shkretë.

Sa për transparencën në lidhje me Mendimin Ndryshe, do të zgjateshim për të provuar sesa demokratikë janë pasuesit e Edvinit. Ata e ndjejnë veten përpara kërcënimit të përjashtimit nga partia. Ndaj qeverisjes, qysh tani sillen duke përdorur gjuhën e ultimatumeve. I kanë për zemër gjullurditë rrugore, aq të bukura për mirazhin magjik të ’97-s, të vënies së pushtetit në dorë, me anë të dhunës. Por populli nuk u zë besë. Se ua ka provuar qeverisjen gjatë të tetë viteve të qeverisjes, të cilat e zvarritën vendin sa për tetëdhjetë vite në prapambetje.

Le të kenë parasysh thëniet e njëzëshme të të gjithë personave me prestigj ndërkombëtarë: Bojkoti është një veprim i dënueshëm në ditët e sotme. Rrumujaxhinjtë e EdRamës bëjnë sikur nuk e kanë dëgjuar këtë porosí. Madje duan të mbetet si e padëgjuar edhe për popullin, që ka mësuar, tanimë, të mos hajë bar, - siç e porosiste Enveri, për të ruajtur karrigen. Dhe ngulmojnë të mos merret vesh, në emër të... transparencës!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›