E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrimtarët e kutive: Blushi dhe Dokle

Përveç Rruzhdies, ka edhe Salman Ruzhdie, i cili shkruante se shkrimtarët dhe politikanët janë natyrisht rivalë, pasi të dy grupet kërkojnë ta plazmojnë botën sipas imazhit të tyre dhe luftojnë për të kontrolluar territorin e tyre. Por sot këto dy kategori janë shkrirë në një dhe kufiri nuk po kuptohet se ku është. Ndër socialistës Ben Blushi e hapi shtegun, kurse gorani Namik Dokle e ndoqi me zell. Nuk mjaftonte një shkrimtar afër orbitës së mediokritetit, por i shtohet edhe një koleg tjetër. Epiqendra e prodhimit letrar zhvendoset brenda kufijve socialistë. Si shpesh herë hasim thënien se “nëna e të çmendurve është gjithmonë shtatzënë”. Mirëpo kësaj radhe seriali i rivrasjes së Homerit na paraqitet në imazhin e qenit bastard që kap me dhëmbë bishtin e vet, duke u rrotulluar si një dervish Capadoccia. Në kohët moderne edhe muzat kanë ndryshuar, shkrimtari goran ka përzgjedhur për t’u frymëzuar një muzë të thinjur, një burrë që ka probleme me drejtësinë si koncept vital: Spartak Ngela. Ky muzë pa namuz modern gjatë protestave për kutitë ia paskësh dhënë idenë për një dramë të re. Nga akademia soc-komuniste do të propozohet që Nobeli i ardhshëm për letërsi t’i jepet shkrimtarit psikedelik Ben Blushi ose Nami Dokles.

Gjithsesi dy shkrimtarët e mëdhenj, të njohur, të ekzaltuar me formim socialist, pasi falimentuan të bëjnë politikë, i janë futur rrugës për të marrë sadakanë nëpërmjet librave. Duket se këtu ka shërbyer si model magnetizues rasti i “Të jetosh në Ishull”, ku pasurimi i shpejtë me letërsi provokative plot teza DanBraun-iste bëri kwrdinw në imperializmin e mediokritetit. Afërmendsh, për ta lançuar kësaj radhe në mbretërinë e bashkuar të librit, Namik Doklen, është investuar skafisti i botimeve Fatmir Toçi, i cili sapo e kish toçitur pak nga defteri Ben Blushin në miniKPD-në e fundit të 24 shkurtit. Momenti është i përshtatshëm, pasi kjo logjikë minimalistike u ndoq edhe në dhënien e çmimieve për letërsinë, gjatë vitit të shkuar.

Natyrisht Blushi e fitoi për vitit 2009 këtë çmim, kurse Nami Dokle po tenton ta spostojë boshtin, sipas “tërmetit” të tij dramatik në 2010-n. Në vitin apokaliptik 2012, sipas kalendarit Maya do të jetë vetë Edi Rama që do të shkruajë librin me titull “Katër kavalierët e krizës së kutive të Rruzhdies”.

Letërsia shqiptare po kthehet në një super-market gjigant ku çdo njeri mund të shesë mallin e tij, sepse ligjin në republikën e letrave e bëjnë çetat e profetëve të rinj. Natyrisht, s’ka ardhur akoma fundi pasi AI është gjallë. Romani shqiptar pas gothës Kadare do të pësojë një truamë aq të madhe sa edhe basifondet e letrave do të dalin në qarkullim, siç përzihen ujërat e bardha me të zezat.

Oniriku Namik Dokle me akt-dramat “Dënimi i dytë i Homerit” ka të drejtën e kryezotit të hyjë në ortekun e mediokritet, nuk e ndalon askush, pasi ngjan se qiellzat e shijes letrare janë në emigracion.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›