“Opozita, përparësi në reformën elektorale - mazhoranca do të miratojë çdo propozim të sajin”
Reforma zgjedhore/ Kreu i mazhorancës Sali Berisha, ftesë për bashkëpunim kreut të opozitës
Kancelaritë perëndimore dhe në veçanti Bashkimi Evropian ka kërkuar nga faktori politik shqiptar nisjen nga puna të hartimit të reformës zgjedhore. Rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Brukselit, janë që reforma të gjejë konsensusin e gjerë të forcave politike si dhe të miratohet me pajtimin konsensual pozitë-opozitë. Nisur nga një fakt i tillë, është mazhoranca ajo që i shtrin dorën e bashkëpunimit opozitës socialiste.
Nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje kreut të opozitës Edi Rama se, reforma zgjedhore është një detyrim i komunitetit ndërkombëtar, ndërsa për hartimin e saj, do të ketë përparësi të veçantë opozita.
“Garantojmë plotësisht opozitën shqiptare dhe komunitetin ndërkombëtar se ne mbetemi të angazhuar për një hapësirë të plotë në reformën zgjedhore, për t’i dhënë përparësi në këtë reformë propozimeve të opozitës për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Këto rekomandime, një pjesë e mirë e tyre janë adresuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Të tjerat kanë gjetur mishërim të shkëlqyer në vendimet e Gjykatave të vendit. Pra, edhe një herë, ne mbetemi të vendosur që në reformën zgjedhore përparësi të marrë opozita”, u shpreh kryeministri Berisha.
Gjithashtu ai i kërkoi Partisë Socialiste që amendamentet specifike lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do bëhen në bazë të reformës së re zgjedhore, t’i dërgojë në Komisionin e Venecias dhe në Departamentin Juridik të OSBE/ODIHR.
Sipas kryeministrit, mazhoranca është e gatshme t’i votojë pa asnjë kusht dhe pa asnjë koment.
“Në reformën zgjedhore opozita të hartojë amendamentet dhe t’i dërgojë në Komisionin e Venecias dhe në Departamentin Juridik të OSBE/ODIHR, në mënyrë që mazhoranca t’i votojë ato pa asnjë lloj hezitimi, pas opinionit nga këto dy institucione. Mazhoranca propozon angazhimin e këtyre dy institucioneve, jo për të krijuar ndonjë kundërshti apo rivalitet ndaj tyre, por për traditën e bashkëpunimit me të dy institucionet. Është OSBE/ODIHR që ka dhënë një kontribut shumë thelbësor në reformën zgjedhore në Shqipëri. Është edhe Komisioni i Venecias që ka bërë ekspertizë të shkëlqyer, shumë të çmuar, të Kodit Zgjedhor. Ndaj dhe ne jemi dhe do mbetemi të hapur ndaj të dy këtyre institucioneve për të vendosur standardet më të mira ndërkombëtare që opozita dëshiron.
Përsëri unë dua të ftoj opozitën të hartojë amendamentet, t’i dërgojë ato në Komisionin e Venecias e në Departamentin Juridik të OSBE/ODIHR dhe kjo mazhorancë do t’i votojë pa asnjë kusht, pa asnjë koment. Mendoj se kjo është fryma e kompromisit maksimal, e koncesionit maksimal që i shërben vendit”, tha kreu i qeverisë.
Siç dhe kuptohet, Partia Demokratike dhe mazhoranca në tërësi, “dorë hiqen” nga çfarë do lloj ndërhyrje lidhur me hartimin e reformës elektorale, ndërsa ekskluziviteti i saj do t’i takojë edhe njëherë palës së opozitës, ashtu siç edhe u veprua në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, ku PS ishte firmatarja e certifikimit të formulës zgjedhore.