E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transparenca për TEC-in dhe heshtja e Berishës

Besnik Baraj 

Në nëntor të vitit 2003 përfaqësoja Shqipërinë në Bruksel në rolin e zëvendësministrit  të Mjedisit, ku do të ekspozoja progresin e vendit tonë në këtë sektor. Jashtë teme, ngrita këtë problem: “Vlerësojmë shumë kontributin e institucioneve ndërkombëtare për ndihmë financiare, por do t’ju luteshim shumë, kur vjen puna për investime si TEC-i në Vlorë, të na jepni eksperiencën dhe ekspertizën tuaj nëse ky TEC i komprometon kapacitetet turistike të zonës. A mund të ndërtohet ai në një vend alternativ, jashtë gjirit? Fare pranë kemi një zonë të mbrojtur (Narta), a e dëmton ndërtimi i TEC-it atë? Do t’ju ishim mirënjohës nëse na ndihmoni që mos të bëjmë ato gabime që ju mund t’i keni bërë në situata të ngjashme investimesh”.
Përfaqësuesi i BB, i pranishëm në takim i dërgoi mesazh qeverisë shqiptare për këtë qëndrim, i cili ishte vlerësuar si kundër ndërtimit të TEC-it në Vlorë.
Ndërtimi i TEC-it prej rreth 100 megavat tashmë është fakt i kryer. Kjo fuqi edhe në 2003 konsiderohesh jo rentabël. Sot ky TEC për shkak të rritjes së çmimit të naftës do ketë efeciencë më të përkeqësuar. Qeveria shqiptare në praktikat e saja kryen dy gabime. Së pari, ajo nuk operon si Banka Botërore, ku çdo investimi t’i bëjë oponencë, bile nga një ekip i pavarur nga qeveria, që të shoh çfarë u bë mirë dhe çfarë u bë keq. Gabimi i dytë është se përpara se të mendohet për TEC-e të tjerë, e për më tepër me qymyr, duhet menduar si të kthehet në efecient TEC-i i Vlorës. Për fat të keq, interesat korruptive të qeveritarëve bëjnë që të ndërmerren veprime me pasoja në ekonomi, turizëm dhe mjedis.  
U desh raporti i panelit të Bankës Botërore, që ne të mësojmë të vërtetën. Praktika e ndjekur nga BB është një shuplakë për qeverinë shqiptare, lidhur me përgjegjësinë që ajo duhet të ketë përsa i përket mbrojtjes të të drejtave të qytetarëve, ekonomisë së vendit, turizmit, vlerave historike, arkeologjike dhe mjedisit.
Paneli i Inspektimit i BB për TEC-in e Vlorës, ka ngritur shqetësime të forta mbi gjithë procesin e përzgjedhjes së vendit mbi të cilin është ndërtuar termocentrali dhe pasojat e tij në ndotjen e mjedisit. Paneli ka dalë në konkluzionin se në rastin e TEC-it të Vlorës, nuk janë respektuar disa nga dispozitat e politikave të saj, që kanë të bëjnë me vlerësimin e projektit, vlerësimin mjedisor, menaxhimin e pasurive kulturore dhe vlerësimin ekonomik. Theksohet se studimi i fizibilitetit dhe ai i vlerësimit të mjedisit u përgatitën nga një firmë e vetme konsulente. Kjo praktikë e thënë ndryshe paraqet konflikt interesi.
Shqetësimi i qytetarëve të këtij vendi është: A duhet ta bëjë këtë oponencë e vlerësim të investimeve kaq të rëndësishme një ekip ekspertësh të mirëfilltë, i nxitur nga qeveria shqiptare. Nga kush duhet ta marrë vesh qytetari i Vlorës, ai i Krujës, i Durrësit se TEC-i në Vlorë, TEC-et e tjera me qymyr, apo Fabrikat e Çimentos që Berisha ka nisur, paraqesin probleme ekonomike, konflikt me zhvillimin e turizmit, me pasuritë arkeologjike, me shëndetin e banorëve? Nga cili duhet të mësohet se procedurat e ndjekura janë të deformuara dhe nuk janë në dobi të qytetarit shqiptar?
Transparenca dhe serioziteti i Bankës Botërore lidhur me punën e panelit është ajo që ne kërkojmë të adoptojë qeveria shqiptare. Si qytetarë të këtij vendi, është për të ardhur keq, që interesat tona mbrohen më shumë nga praktikat e institucioneve ndërkombëtare se sa nga ato të qeverisë tonë. Është papërgjegjshmëria e qeverisë Berisha në fushën ekonomike, historike, kulturore, mjedisore, sigurisë kombëtare që ne t’i shohim qeveritarët tanë jo si mbrojtës të interesave kombëtare, por si mbrojtës të interesave të palës tjetër, që vjen këtu të ngrejë fabrika çimento 5-fishin e nevojave tona, TEC-e me qymyr shumëfishin e nevojave tona, e duke përfunduar deri dhënien e kufijve detare. Berisha, shitjen e interesave kombëtare, abuzimin ekonomik e ka veshur me petkun e patriotizmit dhe me një retorikë gjoja integruese e globaliste, por që në fakt është denigruese, duke kërkuar që ta kthejë këtë vend në një gropë të zezë, qoftë nga ana ekonomike, ashtu dhe nga vlerat natyrore e mjedisore. Janë këto praktika qeverisëse pa integritet e dinjitet, në mosrespektimin e qytetarëve të vendit, që reflektohen dhe në mënyrën si e shohin qytetarin e Shqipërisë faktorët e jashtëm. Kur një qeveri nuk respekton qytetarin e vet, s’kemi pse të kërkojmë respektin nga qeveritë e tjera. Këto sjellje bëjnë që të na radhisin shpesh në fund të listës përsa i përket nivelit të demokracisë.
E tërë historia e Bankës Botërore me TEC-in, mund të shërbejë si mësim për qeverinë, vetëm kur ka vullnet për ta bërë këtë vend dhe jo kur synohet për ta plaçkitur, sikurse vihet re në përvojat e politikës shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›