E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvrasja e studentit, babai kërkon 25.000 USD

 

TIRANE – Vetëvarja në qeli e studentit, familja i kërkon Burgut 313 dëmshpërblim 25 mijë USD. Pak ditë më parë palët në proces, babai i studentit të vdekur dhe përfaqësuesit e burgut paraqitën para gjyqtares së çështjes konkluzionet përfundimtare, duke kërkuar i pari dëmshpërblimin, dhe pala e paditur rrëzimin e kërkesëpadisë, ndërsa gjykata pritet që të shpallë vendimin pas dy ditësh. Sipas paditësit Petro Karaj, që përfaqësohet në gjykim nga avokati Genci Terpo, i Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, burgu 313 është institucioni përgjegjës për vdekjen e djalit të tij Mihallaq Karaj, të cilit duhet t’i garantonte jetën pas dërgimit atje me vendimin gjyqësor për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Padia e familjes Karaj nga Përmeti u depozitua në Gjykatën e Tiranës, rreth një vit më parë, ndërsa studenti i Stomatologjisë vrau veten rreth orës 02:00 të mesnatës pas 3 marsit 2006, në qelitë e paraburgimit 313 në kryeqytet. Karaj ishte dërguar në këtë paraburgim vetëm pak orë më parë dhe sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, shkak për kryerjen e aktit ekstrem ndaj vetvetes ishte mospërshtatja e tij me jetën e re pas hekurave të qelisë dhe ngarkesa e rëndë psikologjike. Ai akuzohej për vjedhjen në bashkëpunim të një kompjuteri në një lokal në Qytetin Studenti. Pas kësaj, gjykata, me kërkesë të prokurorisë, vendosi masën e sigurisë burg pa afat, ndërsa menjëherë pas masës ai u dërgua në paraburgim. Avokati pohoni, se me këtë proces ndodhemi përpara një çështjeje të një natyre krejt të veçantë ku paditësi, Petro Karaj, ka pësuar një dëm të pallogaritshëm si rezultat i humbjes së jetës së të birit. Sipas tij, studenti Karaj nuk kishte probleme ekonomike pasi familja ia kishte siguruar atij të gjitha të ardhurat e nevojshme për të vazhduar shkollën dhe për të jetuar në standarde tejet të pranueshme.                             fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›