E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operohet Bogdani, humb Kombëtaren

 

JORGIS MEMO

Në momentin më të mirë të tij, Erjon Bogdani pëson një dëmtim të rëndë në ndeshjen Kievo-Udineze, që do ta lërë jashtë fushave për të paktën një muaj. Lajmin e konfirmon për “Panorama Sport”, vetë lojtari i Kombëtares, i cili me keqardhje pranoi se sot do të kryejë një operacion në mollzën e fytyrës. Ai sqaroi se dëmtimi ka ardhur si pasojë e një përplasjeje të fortë me mbrojtësin Zapata në ndeshjen e fundit. Kështu, sikur të mos mjaftonte dëmtimi në gju ndaj Milanit, vjen edhe ai në fytyrë për 32-vjeçarin, që tani shpreson shumë të rikthehet të luajë ndaj Sampdorias, më 22 nëntor. Ndërkohë, as që bëhet fjalë që Bogdani të jetë pjesë e Kombëtares për ndeshjen miqësore me Estoninë, që do të luhet më 14 nëntor. Për më tej, ja si u shpreh vetë sulmuesi kuqezi:   
Erjon, mediat italiane raportojnë se jeni operuar në mollzën e fytyrës, një ditë pas ndeshjes me Udinezen. Si është e vërteta?
Pas konsultave që pata me doktorët e klubit, u vendos që t’i nënshtrohem operacionit. Ndërhyrja nuk është bërë ende, por është lënë për nesër (sot).
Atëherë, çfarë ndodhi në ndeshjen e së dielës?
Siç dihet, unë u futa në pjesën e dytë kundër Udinezes. Gjatë lojës (mendohet të saktësojë minutën, por nuk e mban mend) ndodhi që kërceva me kokë në një dyluftim me mbrojtësin e Udinezes, Zapata, dhe aty theva mollzën e fytyrës. Ishte një goditje e fortë, që faktikisht nuk e ndjeva shumë për momentin, por më pas rezultoi e tillë, kështu që tani duhet t’i nënshtrohemi patjetër një ndërhyrjeje kirurgjikale faciale. U mërzita se gjithçka ndodhi nw minutat e fundit.
Sa kohë mund të qëndroni larg fushave pas operacionit që do të bëni?
Sipas mjekëve këtu, unë mund të qëndroj larg fushave për një periudhe gati një mujore, por duke parë edhe kalendarin, tani them që, shyqyr Zoti që ka një pushim kampionati për shkak të ndeshjeve të Kombëtares. Megjithatë, së pari më duhet të kaloj me shumë sukses këtë operacion, sepse nuk është i lehtë, gjithnjë sipas bisedës që kemi bërë me doktorin. Më kanë thënë që pas operacionit do të kem për dy javë të vendosur në fytyrë, dy proteza hekuri dhe kjo natyrisht që do kujdesin maksimal. Unë do të humbasë tashmë ndeshjen e radhës në kampionat me Parmën, gjithashtu miqësoren me Kombëtaren. Duke menduar, shpresoj që të rikthehem ndoshta në ndeshjen kundër Sampdorias.
Keni marrë një dëmtim të rëndë në momentin më të mirë dhe keqardhja është më e madhe, apo jo?
Këto janë gjëra që ndodhin në futboll. Ky sport i bukur, natyrisht që ka të mirat dhe të këqijat e veta, por që ne si futbollistë, duhet t’i pranojmë të gjitha. Ndjej një keqardhje të madhe, sepse vërtetë dëmtimi erdhi në një moment, ku dhe gëzoja një formë shumë të mirë. Sidoqoftë, për mua tani është e rëndësishme që të bëhet një operacion i suksesshëm.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›