Topi: Do plotësojmë të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një interviste dhënë për një televizion hungarez, shprehet se vendi po bën përpjekjet maksimale për plotësimin e detyrimeve që do të bëjnë të mundur liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. “Rruga për t’u integruar në Bashkim Evropian është një rrugë më e gjatë, sepse përveç vlerësimeve gjeo-strategjike, kërkon edhe realizimin e disa standardeve të domosdoshme për integrim. Kështu që ne jemi në një proces realizimi reformash, por nga ana tjetër na duhet të realizojmë disa standarde që kërkohen me ngulm nga familja evropiane. Kemi zhvilluar dhe vazhdojmë të zhvillojmë një betejë të përditshme ndaj fenomeneve të korrupsionit, i cili nuk mund të realizohet thjesht në sensin e përgjithshëm, por mbi bazën e ligjeve dhe funksionimit të institucioneve specifike, që veprojnë luftën kundër korrupsionit. Po punojmë edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, pajisjen me pasaportën biometrike që është një kërkesë bazë e Bashkimit Evropian. Po punojmë për përafrimin e legjislacionit për ta standardizuar atë me legjislacionin e vendeve të Bashkimit Evropian dhe është një rrugë e cila vërtet është e vështirë, por besoj është e realizueshme brenda afateve, të cilat na janë përcaktuar në pyetësorin e Bashkimit Evropian”, shprehet Presidenti Topi. Sipas kreut të shtetit shqiptar, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte një aspiratë e vjetër e popullit shqiptar, i cili e mbështeti atë në një masë absolute. “Mund t’ju them që për çështjet e anëtarësimit në NATO, Shqipëria ka pasur treguesin më të lartë të mbështetjes së shoqërisë. 94-95% e shoqërisë shqiptare ka përkrahur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, çka tregon që ka qenë një aspiratë e thellë e popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e aleancës më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë. Kështu që anëtarësimi ynë në NATO është pritur me një festim madhështor në Shqipëri dhe presupozohet që Shqipëria vërtet është futur në listën e partnerëve besnikë të kësaj aleance për paqe dhe për siguri”, shprehet kreu i shtetit.