E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, paraqiten fondet e 26 partive

 

BLEDAR HOTI

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vetëm 26 ekspertët kontabël kanë depozituar auditimin e fondeve të partive të përdorura në zgjedhjet e 28 qershorit. Nga 34 parti politike, që janë në objekt auditimi, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Leonard Olli janë depozituar auditimet e 26 subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ndërsa mbesin 8 subjekte pa u kryer auditimi i tyre. Sipas tij, pas paraqitjes së raporteve audituese do të jetë KQZ-ja që do t’i shqyrtojë ato. Sipas burimeve zyrtare pranë KQZ-së, mësohet se ekspertët kontabël të partive të mëdha si PD, PS, LSI, PR kanë depozituar auditimet e kryera. Gjithashtu mësohet se kanë depozituar edhe partitë e tjera si PSD, PDS, G-99, PLL, PBK. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në vendimin e marrë me datën 14 shtator të këtij viti kishte përcaktuar 2 nëntorin si afatin më të fundit të depozitimit të raportit auditues të ekspertëve kontabël, të cilët u përzgjodhën mbi bazën e një shorti të posaçëm. Pas kësaj procedure, KQZ-ja pritet të miratojë me një vendim të posaçëm raportet audituese. Në bazë të nenit 92, KQZ-ja përzgjedh me konkurim një listë të ekspertëve kontabël të licencuar në fillim të vitit zgjedhor. Lista duhet të përmbajë të paktën 20 ekspertë, të cilët e ushtrojnë këtë profesion në 5 vitet e fundit. Procedurat, kriteret e përzgjedhjes së listës paraprake dhe emërimit të tyre përcaktohen me udhëzim të KQZ-së. Në çdo rast një auditor nuk mund të auditojë të njëjtin subjekt zgjedhor për dy zgjedhje radhazi. Buxheti për zgjedhjet duhet të parashikojë edhe fondin e nevojshëm për auditimin e subjekteve zgjedhore. Në këtë përzgjedhje, KQZ-ja bashkëpunoi me Institutin e Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA). Fondet e Partisë Demokratike u audituan nga shoqëria vendase ALB Auditing SHPK, ndërsa ato të Partisë Socialiste nga Mihal Ziu. Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë partia e parë që i ka ra shorti për t’u audituar nga eksperti Theodhoraq Gjosha.
Fondet që auditohen
Pjesë e hetimit do të jenë fondet jo publike dhe publike. Në të përfshihen edhe partitë politike që nuk kanë përfituar fonde nga vendimi i Qeverisë. Në bazë të nenit 90, pika 1, “Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në nenin 89 të këtij Kodi dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë”. Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse duhet të bëhen kurdoherë publike. Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor, jo më vonë se tre ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore, deklaron numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së. Qeveria akordoi një fond prej 60 milionë lekësh për partitë politike parlamentare pjesëmarrëse në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjysmën e këtij fondi e përfituan Partia Demokratike dhe Partia Socialiste.

Raporti i auditit i disa partive të depozituar në KQZ

Partia Socialiste
Partia Demokratike
Partia Republikane
Lëvizja Socialiste për Integrim
Partia Socialdemokrate
Bashkimi për të Drejtat e Njeriut
Partia Demokracia Sociale
Partia Balli Kombëtar
Partia Lëvizja e Legalitetit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›