Transparencë për masakrën e Tivarit, fshihet serial-killeri Ramiz Alia
Kryeministri Berisha ka kërkuar ngritjen e menjëhershme të një komisioni hetimor për masakrën e Tivarit, e cila u mori jetën mijëra shqiptarëve të Kosovës, pas bashkëpunimit të turpshëm të komunistëve të Enver Hoxhës, nëpërmjet brigadës së Ramiz Alisë dhe nacional-komunistët e Titos. Berisha: “Ramiz Alia s’mund të lajë duart, të përgjigjet për krimin ndaj 5 mijë të rinjve shqiptarë”
Një javë pas deklaratës në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat se ish njeriu i fundit i nomenklaturës komuniste, ish Presidenti Ramiz Alia, duhet të japë llogari për masakrën e Tivarit, dje shefi i ekzekutivit, Sali Berisha, kërkoi nga Kuvendit ngritjen e një komisioni hetimor, për zbardhjen e gjenocidit më të rëndë që i është bërë popullsisë shqiptare, ku dhe dyshohet për një plan të organizuar nga forcat komuniste të kohës.
Sipas kryeministrit, ky gjenocid u ndihmua, u bashkë organizua, nga klika barbare e Tiranës, pasi ekzistojnë të gjitha dokumentet, se të rinjtë kaluan kufirin në Morinë dhe përshkuan territorin e Shqipërisë në këmbë gjer tek Hani i Hotit, për të mbërritur më pas në Tivar, ku edhe u ekzekutuan barbarisht nga milicia serbe. “Gjenocidi Tivarit është një nga gjenocidet më të mëdha në historinë e luftës së dytë botërore deri më sot. Për shqiptarët kjo përbën vrasjen më masive ndoshta në historinë e tyre. Gjenocidi i Tivarit nuk është një fantazi, por është vepra më e shëmtuar, më e rëndë që ka ndodhur ndonjëherë mbi këtë komb. Ata të cilët u mblodhën derë më derë, në të gjitha trevat shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, nuk ishin oficerë, siç ishin oficerët polakë, që u ekzekutuan në Katin, por ata ishin lulja e kombit shqiptar. Ishin djemtë e familjeve shqiptare të cilët u ekzekutuan vetëm e vetëm për t’u pakësuar shqiptarët. U ekzekutuan mbi platformën më barbare dhe në qoftë se në Katin u ekzekutuan burra me uniformë, këta ishin djem të cilët një pjesë e mirë e tyre nuk kishte marrë pjesë në asnjë lloj veprimi, në asnjë anë dhe shumë prej tyre kishin luftuar me flamuj kombëtar kundër pushtuesit. Viktimat për frymë tek shqiptarët janë së paku dy herë më të mëdha se sa tek polakët. Ky gjenocid u ndihmua, u bashkë organizua, nga klika barbare e Tiranës. Mos harrojmë se ekzistojnë të gjitha dokumentet, se ata kaluan kufirin në Morinë dhe përshkuan territorin e këtij vendi në këmbë gjer tek Hani i Hotit. Dhe këta kriminelë shqiptarë, që morën pjesë në këtë masakër duhet të marrin ndëshkimin e tyre ekzemplar, si një kusht i domosdoshëm që shpirtrat e tyre të prehen të qetë. Ekzistojnë të gjitha dokumentet dhe kur diktatori Ramiz Alia vetëm pak ditë më parë do të deklaronte se: t’i gjejnë kosovarët se kush i bëri. Nuk mund t’i lash duart xhelat kaq lehtë ndaj këtij akti. Ndaj dhe Parlamenti duhet të filloj me vendosmëri Komisionin Hetimor parlamentar, të vendos bashkëpunimin me të gjitha parlamentet e vendeve përreth, të mblidhet çdo dokument, çdo fakt, çdo dëshmi, ende ka të gjallë, ka dëshmi, ka prova, dhe t’i bëhet botës, t’i bëhet shqiptarëve në radhë të parë e qartë se ku shkoi lulja e rinisë shqiptare, se çfarë roli luajti klika barbare e Enver Hoxhës, dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilën, keni konstatuar tani se po përpiqen ta rikthejnë me ardhjen e bllokmenëve në krye të Partisë Socialiste”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri i bëri thirrje edhe deputetëve që të nisin punën për ngritjen e komisionit hetimor.
“Zotërinj, Katini shqiptar duhet të dal në dritën e diellit. Ramiz Alia ka qenë në funksione ndër më të rëndësishmet. Ramiz Alia ka qenë në atë periudhë, komisar i divizioneve që shkuan në Kosovë dhe të tjerë, në qoftë se ata nuk duan të thonë të vërtetën mbi këtë gjenocid, e vërteta do u nxirret atyre, dhe do të mbajnë të gjithë përgjegjësi për atë që bënë një prej krimeve më të rënda në historinë e këtij kombi. Komisioni parlamentar i ngritur duhet të bashkëpunoj ngushtë me Parlamentin e Kosovës, duhet të bashkëpunojë ngushtë me Parlamentin e Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, ne do të vlerësonim shumë mbështetjen e këtyre parlamenteve në nxjerrjen në pah të njërës prej të vërtetave më të zeza në historinë e Ballkanit, gjenocidit të Tivarit”, tha Berisha.
Kryeministri shtoi se kur të rinjtë janë ekzekutuar, ekzistojnë dokumente të shkuara, në një platformë se, “duhet t’i shkatërrojmë shqiptarët”.
Në këtë kontekst, Berisha solli në vëmendje deklaratën e kasapit të Ballkanit, Milosheviçi, i cili i deklaroi në 99-ën gjeneralit të NATO-s, Clark, se do i kishim shfarosur shqiptarët, por nuk na lejuat ju.
“Kur i ekzekutuan mbi bazën e asaj që kasapi i Ballkanit, Milloshviç, do t’i deklaronte gjeneralit Wesley Clark se: i vramë, i vramë shqiptarët, do t’i vrisnim të gjithë po nuk na latë ju. Këta janë, dhe ky është ky që na thotë se i dinë kosovarët. është gjak shqiptari i themi këtij diktatori. Do ta dijë çdo shqiptar, kanë kaluar nga Morina në Hanin e Hotit, në territor të Shqipërisë, dhe nuk mund t’i fshehësh duart e krimit, siç kërkon t’i fshehësh. Ti dhe kushdo tjetër të jetë i implikuar në këtë masakër. Duhet studiuar roli i të gjithë atyre që e kryen, sigurisht, i takon edhe Parlamentit të Kosovës të hetojë, por kjo është çështje e tyre, dhe në qoftë se ka edhe atje Kainë edhe ata duhet të marrin ndëshkimin qe meritojnë”, deklaroi kryeministri Berisha, duke i kërkuar kryetarit të grupit, Astrit Patozi, që ky komision të ngrihet pranë parlamentit me kohën, mjetet dhe gjithçka në dispozicion.