E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqyrtimi i dokumenteve nga ministria, Presidenti i miraton”

Ligji i ri, flet Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani

Sipas draftit të përgatitur nga dikasteri i Bujar Nishanit, me grumbullimin e informacionit mbi të dënuarit dhe më pas dërgimin e listës te kreu i shtetit, do të merret ministri.
Presidenti, i cili deri dje ngarkonte me përgjegjësi një grup juristësh për verifikimin e dokumenteve, tani nuk do t’i duhet të shqyrtojë alternativat që mbërrijnë nga Ministria e Drejtësisë, por thjesht t’i miratojë ato.
Sipas ministrit Nishani, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, kjo nuk është një vjedhje kompetencash, por lehtësim i punës së kreut të shtetit në përzgjedhjen e të amnistuarve. Po ashtu sipas tij, përveç faljes duhet të aplikohet më dendur një lloj tjetër dënimi. “Bëhet fjalë për krimin e organizuar, për trafiqet. Natyrisht që asnjë prej këtyre veprave penale nuk përjashtohet. Kriteret ndaluese janë qartazi të përcaktuara për ato vepra penale të cilat janë të renditura në dispozitë. Për rrjedhojë, qoftë me masën e kryer të ekzekutimit të vendimit penal, qoftë pastaj dhe të elementëve të tjerë, ai mund të përfitojë apo mund edhe të mos përfitojë. Nuk mund të bëjmë një përjashtim. Ajo që desha të nënvizoj është fakti se përveç institucionit të faljes që është më hierarkiku në këtë drejtim ka dhe një sërë mekanizmash të tjerë të cilët përmes ligjeve dhe institucioneve të tjera funksionojnë dhe kanë eficencat e tyre në këtë frymë”, u shpreh ministri Nishani.
Ndryshe nga procedura e deritanishme, ministria e Drejtësisë ose presidenti duhet të njoftojnë dhe argumentojnë refuzimin e faljes brenda një afati të caktuar.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, tha se sistemi i faljes të jetë më i aplikueshëm për rastet kur pala e dëmtuar është shtetit dhe jo kur është individi apo personi. “Falja mund të ushtrohet ose mund të jetë me procedura për vepra penale që janë në drejtim të shtetit pasi kuptohet që shteti është më i fortë, më human në drejtim të faljes, ose të cenimit, të goditjes, kurse duhet të jenë më të shtrënguara ndaj personit. Duhet ruajtur edhe ana psikologjike që ka vendi jonë për shkak sepse ne kemi shumë pak vite që kemi hequr dënimin me vdekje”, vuri në dukje ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›