E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesa e mazhorancës/Ka ardhur koha për heqjen e imunitetit, opozita duhet të bashkëpunojë

Kryeministri Sali Berisha foli dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së dhe për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Shefi i ekzekutivit e konsideroi luftën kundër korrupsionit, si një betejë të vështirë dhe të kushtueshme, por që duhet sfiduar me sukses. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha ftoi opozitën të bashkëpunojë me shumicën parlamentare, për t’i dhënë goditjen e merituar korrupsionit dhe ryshfetit, i njohur si babëzia e njeriut. “çështja e parë madhore, është çështja e imuniteteve. Shqipëria ka ndërtuar me sukses të padiskutueshëm, në saj të përkushtimit të mazhorancës 2005-2009 dhe mazhorancës në vazhdim, njërën ndër betejat më të vështira, njërën ndër betejat më komplekse, por dhe më jetike, atë kundër korrupsionit. Beteja kundër korrupsionit, zonja dhe zotërinj deputetë, është më e vështira e të gjithë betejave të tjera, sepse ajo para së gjithash është betejë me babëzinë e lindur të njeriut, të gjithsecilit. Njeriu, në mrekullinë e fenotipit të tij ka dhe gjenet e babëzisë. Po t’i referohemi librave fetarë, tundimi është baza e çdo mëkati. Dhe ne këtë betejë e vazhduam me sukses sepse e filluam nga vetja jonë, ky është rregulli i artë i saj. Iu përmbajtëm këtij rregulli, bëmë gjithçka për të vendosur standarde, të cilat kufizonin babëzinë e lindur të njeriut, dhe mendoj se nga kjo më shumë se nga çdo gjë tjetër kanë përfituar qytetarët shqiptarë. Unë jam i vetëdijshëm se ata sërish i mundojnë aktet e korrupsionit, sepse sërish ka korrupsion, por vetëm një gjë duhet t’ju informoja: se kjo betejë që bëri të mundur 5.2 miliardë dollarë më shumë në katër vitet që shkuan sesa në katër vitet para tyre; se pa këtë betejë do të kishte qenë absolutisht e pamundur anëtarësimi i Shqipërisë në NATO; ndërtimi i korridorit të kombit; dyfishimi i rrogave të arsimtarëve; asfaltimi i 6000 kilometrave rrugë në katër vjet; ndërtimi apo rindërtimi i 1100 shkollave; shtrirja e internetit në çdo shkollë, e shumë e shumë reforma të tjera. Kjo betejë është e pandërprerë, vazhdon në rrafshin e penalizimeve, për çka ne duhet të përgëzojmë”, tha kryeministri. Berisha solli në vëmendje se si opozita e ka kundërshtuar ligjin “Për imunitetet”. Kryeministri tha se opozita duhet ta aprovojë pa kushte ligjin, pasi ai shkoi në Komisionin e Venecias dhe ka ekspertizën më të shkëlqyer të këtij Komisioni. “Partia Demokratike në opozitë shtatë vjet më parë paraqiti në Parlament ligjin për heqjen e imunitetit të deputetëve. Partia në pushtet në atë periudhë e refuzoi atë në mënyrë kategorike, me ardhjen në pushtet në vitin 2005 sërish paraqitëm ligjin për heqjen e imunitetit të deputetëve, për heqjen e imuniteteve në tërësi. Sërish, forca tjetër politike e kundërshtoi në mënyrë absurde, se kur një opozitë kundërshton heqjen e imunitetit nuk ka veprim më absurdë që mund të bëj. Pas pesë vitesh nga ajo periudhë, uroj dhe dëshiroj, që Partia Socialiste të ketë kuptuar gabimin që bëri me refuzimin e ligjit. Ligji është një ligj i shkëlqyer, të nderuar zonja deputete dhe zotërinj deputet, ky ligj shkoi në Komisionin e Venecias, u shqyrtua dhe ka ekspertizën e shkëlqyer të këtij Komisioni, i cili në parim pranon heqjen e imuniteteve për veprën e korrupsionit. Në Shqipëri nuk duhet të ketë imunitarë ne raport me korrupsionin, pavarësisht nga komentet, por kjo mazhorancë, dhe në kundërshtim flagrant me bindjet e saj, në kundërshtim të hapur me të gjithë opinionin e vet, ka votuar dhe do të votojë çdo kërkesë që qeveria apo gjykatat e vendit do të paraqesin për anëtarët e saj për imunitetet”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›