Arrestohen 4 persona,midis tyre edhe një femër
Vrasja e dyfishtë në Mamurras
Identifikohen dhe arrestohen autorët e vrasjes së dy të rinjve mbrëmjen e së dielës në Mamurras.
Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Lezhës, bënë të ditur se, rreth orës 21.45 të mbrëmjes së diel, në hyrje të qytetit të Mamurrasit u vranë me armë zjarri 23-vjeçarit Arsid Rama dhe 25-vjeçari Albert Seiti.
Pas kryerjes se veprimeve të para hetimore e procedurale, si dhe informacioneve të marra nga burime të ndryshme u arrit të identifikohen autorët e krimit.
Për të ndihmuar në zbardhjen e kësaj ngjarje si dhe kapjen dhe arrestimin e autorëve në ndihmë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë shkuan Specialistë të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, si dhe forca të repartit FNSH Shkodër, ku gjatë gjithë natës ushtruan kontrolle në postblloqe e pika vëzhgimi për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje.
Në këtë operacion, mësohet se u përfshinë rreth 120 forca policore.
Gjatë gjithë natës midis të dielës dhe të hënës, si edhe në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në vazhdim të operacionit të koduar “Këmbëngulja” është bërë i mundur kontrolli dhe krehja e të gjithë vendeve dhe zonave të dyshuara. Si rezultat i këtij operacioni, rreth orës 17.30 min në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i automjetit me të cilin pas ngjarjes ishin larguar autorët, Automjet u gjet i braktisur në fshatin Borizanë të rrethit Krujë. Ndërsa rreth orës 20.30 të mbrëmjes së kaluar, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i autorëve të kësaj ngjarje të cilët janë shtetasit, Diamantin Preçi 23 vjeç, me banim në qytetin Milot, Bledar P. 17 vjeç, me banim në qytetin Milot, Rudolf Ndoci 23 vjeç, me banim në qytetin Milot, si edhe 20-vjeçarja Emi Allamani, me banim në qytetin e Mamurrasit. Ndërkohë, mësohet se në cilësinë e provave materiale u sekuestruan, dy autovetura, dy automatikë kallashnikovë, një pushkë M-63, si dhe 6 aparate celulare.
Materialet në ngarkim të këtyre personave i janë referuar Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Kurbin për veprat penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, e kryer në bashkëpunim, si dhe armëmbajtje pa leje, parashikuar nga nenet 79/dh, 25, dhe 278/2 të Kodit Penal.