E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, së shpejti me ambasadë në Emiratet e Bashkuara Arabe

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, priti në një takim Ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe në Republikën e Shqipërisë, Abdelhadi Alkajah, rezident në Athinë, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale. Gjatë takimit u vlerësuan niveli i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe u shpreh besimi për zhvillime të reja në të ardhmen në rrafshin ekonomik dhe kryesisht në fushën e investimeve. Treguesi konkret është dhe hapja së shpejti e Ambasadës së Shqipërisë në Abu Dhabi. Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri Meta shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme që pala emiratase ka dhënë lidhur me financimin e projekteve me rëndësi për Shqipërinë, siç është edhe financimi i ndërtimit të Aeroportit të Kukësit. Po kështu Meta falënderoi për angazhimin e Emirateve të Bashkuara Arabe për të financuar një pjesë të rrugës së re Tiranë-Elbasan, përmes fondit të Abu Dhabit. Gjithashtu, ai shprehu mirënjohjen e Qeverisë shqiptare për kontributin që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dhënë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë, duke ndaluar posaçërisht në njohjen që i është bërë nga ky vend shtetit të Kosovës. Meta shprehu dëshirën për të pritur së shpejti Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Nga ana e tij, Ambasadori Alkajah theksoi se miqësia mes dy popujve do të konsolidohet më tej dhe siguroi për gatishmërinë e qeverisë emiratase për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik midis dy vendeve si në planin dy palësh dhe atë shumëpalësh.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›