E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çaushi: Portet tona, të hapura për Serbinë

Ambasadori shqiptar në Beograd flet për revistën serbe “Cord”

Ballkani po ecën në një logjikë të ndryshme nga ajo e së kaluarës, ndaj dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë zhvillohen në një kontekst të ri. Ky është thelbi i qëndrimit të ambasadorit shqiptar në Serbi, Shpëtim çaushi, dhënë revistës serbe në gjuhën angleze “Cord”...

Shkëlqesi, cili është opinioni juaj për marrëdhëniet ndërmjet vendeve të rajonit krahasuar me pesë vjet më parë. Kanë ngelur në vend apo ka një ecje përpara?

Unë i përmbahem mendimit se, karakteristika kryesore e rajonit tonë, Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi, veçanërisht në vitet që ju përmendni, nuk është stanjacioni, por lëvizja përpara në zhvillimet e reja që ofron kontinenti ynë, Europa. Stanjacioni në rrafshin ekonomik, mund ta gjykosh si një pauzë, e nevojshme për një temp më të lartë në ecjen në rrugën tonë të përbashkët drejt demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Kjo pauzë mund të jetë ndikuar edhe nga ndryshimet gjeopolitike që kemi përjetuar në rajonin tonë në vitet që shkuan, si një determinizëm historik, i cili po menaxhohet në mënyrë progresiste, paqësore dhe demokratike. Pauza që kaluam na është imponuar edhe nga kriza ekonomiko-financiare globale, e paparashikuar edhe nga vendet më të zhvilluara të botës. Mendoj se rajoni ynë, në tërësi, ka bërë progres. Unë nuk jam skematist, e shoh drejt dialektikën e zhvillimit, ndaj jam edhe optimist në këtë tendencë pozitive të ecjes së rajonit tonë.

çfarë roli ka Shqipëria në këto marrëdhënie?

Shqipëria gjithnjë ka mbajtur një qëndrim konstruktiv dhe të moderuar në politikën e saj të jashtme, edhe në situatat më dramatike që ka kaluar rajoni ynë. Aktualisht, ne i kemi ofruar çdo vendi të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Serbinë, një politikë të hapur bashkëpunimi, pa paragjykime. Shqipëria i është përkushtuar seriozisht proceseve të integrimit europian, është tashmë anëtare e NATO-s, ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Marrëdhënieve me Serbinë i kushtojmë një vëmendje të veçantë dhe prioritare, pasi ato krijojnë një atmosferë zhvillimi pozitiv në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Konstatohet se si në Tiranë ashtu edhe në Beograd, këto marrëdhënie vlerësohen dhe kanë predispozicion të zhvillohen me një ritëm të shpejtë.

A mendoni se ngjarjet në Kosovë mund të ndikojnë në kufijtë e rajonit, madje edhe në shtetet e tjera të botës?

Kufijtë do të bëhen simbolikë gjatë procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Unë i shërbeva vendit tim për rreth 7 vjet si ambasador i Shqipërisë në Këshillin e Europës në Strasburg. Atje, pata rastin të shoh nga afër transformimin “natyral” të kufijve shtetërorë në kufij simbolik, virtual, të hapur, shembull kooperimi human dhe material. Këta kufij, vetëm rreth 60 vjet më parë, mbartnin brenda vetes ngarkesat shekullore të armiqësisë midis Francës dhe Gjermanisë. Sot, këto dy vende janë shembull të demokracive europiane, faktorë të fuqishëm zhvillimi në tërë kontinentin tonë, një format të një miqësie të admirueshme.

Që në fillim Shqipëria ka luajtur rol aktiv në ngjarjet në Kosovë. Cili është roli i Shqipërisë sot dhe cila është strategjia afatgjatë në lidhje me Kosovën?

Mund të them se për çështjen e Kosovës nuk ndajmë të njëjtin mendim me palën serbe dhe kjo është e njohur. Ne mbajmë të njëjtin qëndrim me 65 vendet që e kanë njohur shtetin e Kosovës. Ne mendojmë se kjo i shërben stabilitetit në rajon. Nuk është e tepërt të nënvizoj se shumica e shteteve të BE-së ndajnë me ne të njëjtin qëndrim.

Serbia dhe Shqipëria kanë pasur marrëdhënie mjaft të panatyrshme. Sipas opinionit tuaj, çfarë duhet të bëhet që këto marrëdhënia të marrin një rrjedhë normale? Mund të bëhet kjo pa marrë parasysh aplikimin për statusin e kandidatit në BE, duke marrë parasysh interesat e ndërsjella ekonomike të dy vendeve? Mendoni ju se interesat ekonomike janë më të rëndësishme se ato politike, apo është anasjelltas?

Unë nuk do të komentoja se çfarë marrëdhëniesh kanë pasur Shqipëria dhe Serbia, por do të dëshiroja të përqendrohesha në stadin e tanishëm. Ne i përmbahemi mendimit se, secili vend i rajonit nuk duhet të aplikojë një politikë emocionale, mbështetur në motive të së kaluarës të ngarkuar me urrejtje dhe armiqësi, por të shohim në të ardhmen, të cilën duhet ta ndajmë së bashku, në interes të prosperitetit dhe të ardhmes europiane. Midis Shqipërisë dhe Serbisë aktualisht ofrohen mundësi zhvillimi, bashkëpunimi, veçanërisht në ekonomi, ku ekzistojnë mjaft interesa me përfitim reciprok. Shqipëria edhe në kulmin e krizës financiare botërore, me gjithë ndikimet e saj, ka vijuar me rritje ekonomike, e cila është më e lartë në krejt rajonin tonë. Në vendin tonë janë ndërtuar komponentë të rëndësishëm të infrastrukturës rrugore, të cilat as që mund të mendoheshin edhe pak vite më parë. Ne ofrojmë portet tona të Adriatikut Jugor për transportin e mallrave të Serbisë dhe vendeve të tjera të Europës Qendrore. Vitet e fundit, turizmi ka pasur një zhvillim të admirueshëm. Plazhet tona, ende të virgjëra, janë oferta më e mirë për investitorët e interesuar serbë, po kështu bujqësia dhe industria ushqimore, e cila do të mbështesë akoma më mirë zhvillimin e turizmit. Numri i turistëve të huaj në Shqipëri pritet që në një kohë të shkurtër ta kalojë numrin e popullatës së vendit. Turistët serbë janë të mirëpritur në ujërat tona të ngrohta të Adriatikut dhe të Detit Jon. Ky indikacion ekonomik duhet të ndikojë që edhe politika si në Tiranë dhe Beograd, të jetë më pranë interesave të biznesit dhe zhvillimit ekonomik. Mesazhet aktualisht janë pozitive nga të dy kryeqytetet tona. Vizita në Beograd e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, e cila do të zhvillohet në ditët e ardhshme, mbart me vete këtë zhvillim të shpejtë të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. E një rëndësie të veçantë do të jetë vizita e pritshme zyrtare e kryetarit të shtetit tuaj, Presidentit të Republikës së Serbisë, zotit Boris Tadiç, në Shqipëri, me ftesë të autoriteteve të larta shqiptare, ku do të shënojë një stad më të lartë në marrëdhëniet tona. Ne shpresojmë shumë në këto shkëmbime të nivelit të lartë midis të dyja vendeve tona, të cilat do të shoqërohen me nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh ndërshtetërore.

Procesi i integrimit në BE të të gjitha vendeve të rajonit u ka dhënë marrëdhënieve një shtysë të re. Por, derisa ky përfundim të realizohet sipas jush, çfarë zhvillimesh duhet të ndodhin në marrëdhëniet mes Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë në këtë periudhë tranzitore?

Nuk ka dyshim që integrimi i përbashkët i tërë vendeve të rajonit në BE do të ndodhë një ditë. Sikurse thashë më sipër, BE-ja ofron standarde të barabarta për të gjitha vendet dhe popujt e këtij rajoni, në të cilin kufijtë tradicionalë, në këtë të ardhme të afërt, do të transformohen në simbole miqësie, mirëkuptimi dhe komunikimi human, mendimit të lirë, pa paragjykime. Kjo nuk është vetëm një ëndërr. Ky është një realitet, në të cilin sinergjitë e vendeve tona janë të bashkuara për një qëllim të përbashkët.

Sipas jush, cili do të jetë përfundimi i çështjes së njohjes së procesit të deklarimit të njëanshëm të pavarësisë së Kosovës, e cila mbahet pezull në Hagë?

Për çështjen e Kosovës unë u shpreha më sipër që, për fat të keq, nuk ndajmë të njëjtin mendim me palën serbe. Kam bindjen që edhe Kosova do të jetë prezente në mënyrë aktive në proceset me interes rajonal të zhvillimit, sepse kooperimi me të është pjesë e proceseve të përbashkëta që kemi në kuadrin e integrimit europian.

Sipas rrethanave, pritet që serbët e Kosovës të jetojnë sipas disa kushteve. çfarë duhet të bëhet që serbët të jetojnë në Kosovë pa frikë?

Shkalla e demokracisë së një vendi përcaktohet në mënyrë të veçantë edhe nga të drejtat e pakicave që respektohen në të. Kjo vlen për të gjitha pakicat dhe shumicat kombëtare, kudo që ndodhen. Me siguri, pas proceseve integruese europiane ato do të kenë të njëjtat standarde të respektimit të të drejtave të tyre. Shteti i së drejtës që po dizajnohet nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, do të ketë të njëjtin efekt, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave njerëzore, demokracinë dhe shtetin ligjor, garancinë sociale dhe drejtësinë e barabartë ligjore, pavarësisht nga raca, feja dhe traditat kulturore etj.

Mund të jepni ndonjë koment në lidhje me deklaratën e kreut të Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, mbi statusin e serbëve në veri të Kosovës, në kontekstin e uljes së tensioneve në rajon?

Për këtë deklaratë do sugjeroja të pyesnit vetë zotin Krasniqi, unë nuk kam asnjë koment për të.

Cili është vizioni juaj në lidhje me marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë e Serbisë dhe cilat aspekte përmbajnë potenciale më të mëdha?

Kjo çështje është shpjeguar nga ana ime më sipër, për një bashkëpunim në fushën e ekonomisë, kulturës, investimeve reciproke në industri, bujqësi, veçanërisht në turizëm dhe sferave të tjera me interes reciprok.

çfarë drejtimi do marrin marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë në të ardhmen? Ka një numër të madh shqiptarësh në Maqedoni dhe një minoritet etnik maqedonas në Shqipëri. A janë këta faktorë në marrëdhëniet dypalëshe?

Me Maqedoninë mbajmë marrëdhënie shumë të mira, të fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit në shumë fusha me interes për të dyja palët. Shqiptarët në Maqedoni janë ura të lidhjes së miqësisë midis Tiranës dhe Shkupit. Të dyja vendet tona janë në stade të avancuara të integrimit euroatlantik, një bazë kjo solide për zhvillimin e marrëdhënieve në të ardhmen.

A mendoni se një ditë serbët do të kalojnë pushimet në plazhet shqiptare të Adriatikut apo një klub sportiv shqiptar të stërvitet në malin e Kopaonikut?

Nga të dhënat që kam, bregdetin tonë e kanë vizituar një numër i konsiderueshëm qytetarësh serbë, përveç biznesmenëve dhe të tjerëve që janë të interesuar për lidhje të marrëveshjeve dhe kontratave me karakter ekonomik e tregtar. Gjithashtu di që mjaft shqiptarë e kanë vizituar vendin tuaj të bukur, por shpresoj se në të ardhmen ky numër do të rritet, veçanërisht pas lehtësimit të procedurave të vizave midis të dy vendeve tona. Jam i sigurt që edhe në Kopaonik do të vijnë…

Cilat do të ishin aktivitetet e ambasadës shqiptare në Serbi në vitin 2020, i cili mund të jetë edhe viti kur vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë aëntare të Bashkimit Europian?

Ndonëse është pyetje hipotetike do të dëshiroja të parafytyroja se mbase për një moment ime bijë, im bir apo edhe mbesa ime e vogël, e formuar plotësisht me frymë dhe qeliza europiane, do të ishte ambasador në Beograd, pas njëzet vitesh dhe do të shpresoja që ata kur të kthenin kokën në vite, në ditët tona… të mos më kritikonin apo të mos ankoheshin që i ati i tyre dhe brezi i tanishëm u kishte humbur kohën e çmuar të progresit.

Prandaj duhet të punojmë seriozisht sot, me mendje të hapur, që brezi të mos akuzojë brezin për këtë kohë të shpenzuar më së koti.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›