E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet faqja e internetit për rritjen e fëmijëve

Bashkia e Tiranës Në adresën www.femijet.al do të tërhiqet mendimi i prindërve për problematikat që kanë me çerdhet

Një faqe e posaçme interneti është hapur në adresën zyrtare të Bashkisë së Tiranës, për t’ju përgjigjur pyetjeve që prindërit mund të kenë për fëmijët e tyre. Në këtë faqe, sipas përfaqësuesve zyrtarë të bashkisë, mund të gjenden edhe shumë informacione të tjera për qytetarët e kryeqytetit. Kjo adresë e re interneti është hapur nga Qendra Ekonomike për Zhvillimin dhe Edukimin e Fëmijëve në Bashkinë e Tiranës. Drejtuesit e kësaj qendre, e cila merret me menaxhimin e çerdheve dhe kopshteve të kryeqytetit, kanë synuar jo thjesht pasqyrimin e punës së tyre, por më shumë vendosjen e një ure lidhëse me prindërit, nëpërmjet komunikimit dhe këshillimit për problemet e rritjes së fëmijëve të tyre. Nëpërmjet adresës www.femijet.al që prej pak kohësh është në dispozicion të të gjithë të interesuarve, synohet që të tërhiqet mendimi i prindërve në lidhje me problematikat që ata kanë me çerdhet, por në të njëjtën kohë edhe të informohen për menaxhimin e tyre, për mënyrën se si trajtohen, se si ushqehen dhe se si edukohen fëmijët e tyre në këto institucione publike.

Faqja ka rubrika dhe informacione të ndryshme. “çfarë bën gjatë ditës fëmija im në çerdhe? çfarë mëson? Kush punon me të? Si ushqehet? çfarë përfitojmë fëmija dhe unë nga çerdhja? Sa duhet të paguaj këtë muaj? Kur? Si? çfarë më ofron psikologu, punonjësi social dhe mjeku i çerdhes? Kush i drejton dhe menaxhon çerdhet? Ku të drejtohem për t’u regjistruar në çerdhe? Si zhvillohet fëmija im”? Janë dhjetë pyetjet e prindërve, por bashkë me to mund të gjenden edhe përgjigjet përkatëse të atyre që menaxhojnë çerdhet. Dhe akoma më shumë mundësi për t’u argëtuar, apo kaluar kohën në mënyrë të këndshme me fëmijët tuaj. Këndi ku mund të ngjyrosësh, të qeshësh apo të luash.
www.femijet.al është vetëm në fillimet e saj. Stafi i Qendrës Ekonomike për Zhvillimin dhe Edukimin e Fëmijëve, premton se kjo faqe interneti do të vazhdojë të pasurohet gjithnjë e më shumë me informacione dhe këshilla të nevojshme për prindërit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›