E Diel, 1 Nëntor 2026

Transparency International: Korrupsioni, Shqipëria më keq se një vit më parëNga Tema Organizata Transparency International publikoi dje Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (Corruption Perceptions Index (CPI)) për vitin 2009. Shqipëria

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Transparency International: Korrupsioni, Shqipëria më keq se një vit më parëNga Tema

Organizata Transparency International publikoi dje Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (Corruption Perceptions Index (CPI)) për vitin 2009.

Shqipëria për herë të parë pas vitit 2005 ka shënuar rënie në këtë indeks, duke zbritur dhjetë shkallë. Në vitin 2008 Shqipëria renditej në vendin e 85-të, kurse këtë vit është përkeqësuar dhe ka zbritur në vendin e 95-të, duke lënë pas në rajon vetëm Bosnjën, e duke u renditur përkrah vendeve me konflikte të armatosura si Ruanda, Vanautu apo Sri Lanka.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit është një sondazh që përllogarit shkallën e perceptimit të korrupsionit të zyrtarëve publikë dhe politikanëve në 180 shtete të botës. Ai përqendrohet vetëm në perceptime dhe bazohet në 13 anketa dhe sondazhe të ndryshme nga 10 institucione të pavarura të përzgjedhura mes vëzhguesve me eksperiencë, si njerëz të biznesit, ekspertë dhe analistë vendas.

Shqipëria

Vendi ynë shënon 3.2 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2009, nga 3.4 që ishte për vitin 2008, me gjashtë burime të dhënash me standardin e devijimit 0.3 (minimumi 2.8 dhe maksimumi 3.6).

Në zonën e Euro-Azisë, Shqipëria renditet e teta mes 20 vendeve. Në rajonin e Evropës Juglindore lë prapa Bosnjë-Hercegovinën. Vendin e parë në rajon e ka Turqia me 4.4 pikë e pasuar nga Kroacia 4.1.

Të dhënat e këtij studimi u prezantuan dje nga përfaqësuesi i Transparency International Albania, Endri Shabani.

“Në tërësi rezultatet e indeksit 2009 janë shqetësuese. Ato tregojnë se korrupsioni vazhdon të jetë aty ku qeveriset pa transparencë, aty ku institucionet kanë nevojë ende për forcim dhe ku qeveritë nuk kanë zbatuar kuadrin ligjor antikorrupsion”, - deklaroi Shabani.

TIA ka deklaruar se Shqipëria ka sfida të forta përpara dhe vendi duhet të dalë nga apatia e mosndëshkimit.

“Beteja antikorrupsion mbetet një sfidë për qeverinë, parlamentin, gjyqësorin, agjencitë e zbatimit të ligjit, medien e pavarur dhe shoqërinë civile - në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Zbatimi i strategjisë antikorrupsion nga ana e qeverisë, reformimi i gjyqësorit dhe dalja nga apatia e mosndëshkimit ligjor të rasteve korruptive janë sfidë serioze për politikën dhe pushtetin gjyqësor në vend. Transparenca e financave të partive politike mbetet një problem veçanërisht serioz për funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Çështjet ku supozohet se ka korrupsion janë një sfidë për pavarësinë dhe profesionalizmin e gjyqësorit”, - thuhet në deklaratën e TIA.

Rajoni

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) 2009 tregon se korrupsioni mbetet një sfidë serioze për të gjithë rajonin. Të gjitha shtetet e rajonit kanë marrë një notë më pak se 5 (nga 10 pikë të mundshme) duke treguar se ato përballen me një perceptim të lartë mbi korrupsionin në sektorin publik.

Në Evropën Juglindore, pjesëmarrja e pritshme në Bashkimin Evropian nuk ka ndikuar si një faktor kryesor për të nxitur përpjekjet antikorrupsion. “Fakti që në 2008 një fond i konsiderueshëm i BE, i parashikuar për Bullgarinë, u pezullua për shkak të mungesës së progresit në reformat antikorrupsion dhe në drejtësi, tregon që Komisioni Evropian ka forcuar pozicionin e tij në kërkesat për reforma. Gjithashtu nuk është koincidencë që toni i Raport-Progresit të BE për vendet kandidate, i publikuar në tetor 2009, reflekton në një masë të gjerë renditjen e CPI.

Në mënyrë të dukshme, pikët e CPI 2009 për Turqinë dhe Kroacinë (të dyja vende kandidate për në BE), respektivisht 4.4 dhe 4.1, tejkalojnë pikët e Bullgarisë dhe Rumanisë (vendeve më të reja të BE), të cilat morën nga 3.8 këtë vit”, - thuhet në deklaratën e TI.

Pikët më të larta në CPI 2009 i ka marrë Zelanda e Re me 9.4; Danimarka me 9.3, Singapori e Suedia me 9.2; dhe Zvicra me 9.0. Këto pikë reflektojnë stabilitet politik, norma ligjore të qëndrueshme mbi konfliktin e interesit, si dhe institucione publike solide e funksionale.

Zyrtarët e TI bënë të ditur se, “në tërësi rezultatet e indeksit të 2009 janë shqetësuese, sepse na tregojnë që korrupsioni vazhdon të fshihet aty ku qeveriset pa transparencë, ku institucionet ende kanë nevojë për forcim dhe ku qeveritë nuk kanë zbatuar kuadrin ligjor antikorrupsion”.

Renditja e Shqipërisë ndër vite në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI)

Viti 2004

Vendi- 108

Nota e CPI- 2.5

Marzhi 2.0 - 3.0

Viti 2005

Vendi- 126

Nota e CPI- 2.4

Marzhi 2.1 - 2.7

Viti 2006

Vendi- 111

Nota e CPI- 2.6

Marzhi- 2.4 - 2.7

Viti 2007

Vendi- 105

Nota e CPI- 2.9

Marzhi- 2.6 - 3.1

Viti 2008

Vendi- 85

Nota e CPI- 3,4

Marzhi- 3.3 - 3.4

Viti 2009

Vendi- 95

Nota e CPI- 3.2

Marzhi- 2.8 – 3.6

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›