E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transportet: Tellallët e PS-së hedhin baltë mbi autostradën e kombit



Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit ka reaguar dje pas akuzave të radhës së Partisë Socialiste për rrugën Durrës-Kukës-Morinë. “Në vijim të spekulimeve të vazhdueshme dhe totalisht të pabaza të opozitës kundrejt kryeveprës shqiptare, autostradës Rrëshen–Kalimash, sot tellallët e mashtrimit të Partisë Socialiste iu rikthyen veprës me tërë pasionin e ngërthyer mes injorancës dhe dashakeqësisë primitive, duke i servirur publikut një seri tjetër të telenovelës së abuzimit”, - thuhet në reagimin e MPPT&T-së. Ministria e Transportit sqaron publikun, duke përshirë Partinë Socialiste dhe burimet e tyre në vepër, se spekulimet e fundit sipas të cilave: By-pass i Gëziqit, i improvizuar për lidhjen mes Urës B101 dhe B106 është ndërtuar për qëllime elektorale dhe i ka kushtuar buxhetit 5 milionë euro; ura B5 dhe B6 janë prishur dhe rindërtuar duke shkaktuar dëm ekonomik; tuneli ka kushtuar 560 milionë euro dhe shkatërrimi i tij, mbyll përfundimisht rrugën me një dëm 1 miliard euro, janë tërësisht të pavërteta dhe mjerisht groteske. Ministria sqaron se “By-pass” i Kolonianit apo i Gëziqit nuk është ndërtuar kurrë nga kontraktori dhe as nuk është paguar asnjë euro për përmirësimin e parametrave gjeometrike të tij. Ministra bën të ditur se kjo rrugë ekzistuese rurale është shfrytëzuar nga kompania për qëllime të ndërtimit të rrugës, dhe si për të gjithë rrugët e tjera të aksesit në vepër nuk është paguar asnjë punim në përputhje me kontratën. “Pavarësisht nga absurditeti i logjikës së zotit Braçe, për hir të sqarimit të publikut, informojmë se njëra nga mbështetjet e urës 5, është afektuar para ndërtimit të saj nga një rrëshqitje dheu, masat për stabilizimin e së cilës kanë detyruar spostimin e mbështetjes së parë të urës. Investitori e ka faturuar koston suplementare drejt kompanive të sigurimit të punimeve”, - thuhet në deklaratën e MPPT&T. Kjo ministri bën me dije se për mbarëvajtjen e punimeve në Tunelin e Thirrës garanton se në kundërshtim me çdo spekulim të opozitës, procesi i stabilizimit të avarisë nëpërmjet masave emergjente të marra, ka përfunduar me sukses. Sipas MPPT&T-së, aktualisht, nën mbikëqyrjen dhe instruksionet e vazhdueshme të ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë të angazhuar në vepër, po punohet intensivisht për të zbatuar projektin e rishikuar të tunelit në zonën qendrore të tij, subjekt i konvergjencave të larta radiale të shkaktuara nga paqëndrueshmëria e masivit tektonikisht të destabilizuar. Puna ka rifilluar plotësisht në galerinë jugore në të dyja anët e shembjes dhe në të gjithë gjatësinë e zonës së afektuar nga deformimet, në një regjim 24 orësh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›