E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjalori i tetë dhjetorit



Tetë dhjetori bëri një rregullim të historisë. Nëse tirani kishte menduar se kishte fashitur çdo shpresë për trazirë, 8 dhjetori dha shembullin e kryengritjes. Një natë ndau historinë. Rebeluesit ndaj sistemit, një grusht djemsh dhe vajzash studentë konviktorë, kapërcyen rregullin. Dolën nga godinat e errëta të Qytetit Studenti për t’iu drejtuar kryeqytetit me një shpërfillje ndaj sistemit të hekurit dhe dhunës.

Ata ngjitën në majë të natës dritën e guximit. Përpara kishin sistemin e diktaturës së proletariatit, sampistët, anëtarët e byrosë, pleq të rrjedhur dhe mizorë, strukturat e krimit të fshehtë, skuadriljet e pushkatimit pa gjyq, ushtrinë dhe urrejtjen ndaj lirisë.

Tetë dhjetori prodhoi lirinë, forcën e ecjes dhe sendërtimit të fjalorit të ri politik.

Tashmë fjala komitet qendror ishte një përqeshje, ndërsa kalec vetëm një nofkë. Një byroist ishte një matuf, ndërsa një polic një mjeran i pashpresë. Një pjesë e shoqërisë kishte dalë nga rreshti dhe gjendej në rrugë në kërkim të Evropës. Shoqëria e kazermës po shpërbëhej. Sloganet “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe “Liri - Demokraci” e tronditën nga themelet Komitetin Qendror dhe Sigurimin e Shtetit. Liri, demokraci, barazi, NATO, Perëndim dhe mosbindje është fjalori i ri i tetë dhjetorit.

Ajo natë me gjithë spontanitetin e saj, zuri të papërgatitur sistemin e diktaturës së proletariatit. Në mesnatën e 8 dhjetorit 1990, kur batalione të dhunshme të regjimit ngritën dorë kundër Azem Hajdarit dhe bashkëstudentëve të tij, Partia e Punës së Shqipërisë, me gjithë strukturat e saj, e vendosi veten në anën e kundërt të historisë. Për këtë shkak, por edhe për të tjera më të rënda që do të vinin më vonë, Partisë së Punës (sot Partia Socialiste) i mungon 8 dhjetori.

Ky nuk është një detaj i vogël. Është krejt historia e PS-së ndaj pluralizmit. Më saktë, mospranimi i tij, kundërshtimi nervoz që zë fill me 8 dhjetor 1990.

Përleshja kishte filluar për jetë a vdekje, mes dy sistemeve, në mes dy formacioneve, edhe pse më të pabarabartat në botë. Njëkohësisht më të ndryshme. Studentët kishin vetëm ëndrrat e lirisë dhe zemrat e forta, ndërsa PPSH-ja kishte mekanizmat e dhunës që do të ndërsente mbi studentët. Që nga ky moment bashkëstudentet e Azem Hajdarit nuk ishin më konviktorë të thjeshtë që e kishin ngrysur atë natë pa darkë dhe në errësirë, por luftëtarë të lirisë, ndërsa ata që ishin në anën tjetër, muri i kalbur i Berlinit, zgjatimi i telave me gjemba që kishin mbajtur të izoluar vendin për gati 50 vjet.

Atëherë kur gati na kishin lënë shpresat për një ndryshim, studentët ndezën zjarrin, ku gjërat do të shiheshin më mirë.

Presidenti komunist, Ramiz Alia, një vit pas rënies së Murit të Berlinit dhe prerjes së kokës së Çausheskut, dukej qartë se po mashtronte. Ai nuk kishte qëllim të inicionte reforma që preknin thelbin e sistemit, por vetëm të reformonte atë, ta bënte më të manovrueshëm në kushtet e reja botërore. Siç thuhej atëherë “njëfarë Kube në breg të Adriatikut”, por studentët nuk mendonin kështu. Thirrjet e tij se “Shqipëria nuk është as Lindje, as Perëndim” apo “një rast i veçantë” ishin qesharake. Fjalimet e tij të fshehta në Byronë Politike se “edhe bar do të hamë edhe gjak do të derdhim” ishin kobndjellëse. Përpjekjet e tij për të ruajtur edhe Enver Hoxhën edhe sistemin socialist ishin antihistorike. Ato nuk mund të çonin në pluralizëm dhe bash për këtë shkak studentët kishin ngritur krye, duke formuluar terminologjinë e lirisë gjatë një procesi të vështirë të matjes së forcave. Me studentët kishte shumë faktorë. Me regjimin thuajse asnjë. Për studentët ato ditë dhjetori fjala revolucion ishte si fjala “dashuri” apo “ta rrezojmë regjimin komunist” ishte e ngjashme me një si “a do latë darke”, fjala “Poshtë Nexhmije Hoxha” ishte pak a shumë si “zonjushe a dëshiron të bëjmë një vallëzim bashkë”, një rregull rutinë i mbrëmjeve strikte të Organizatës së Rinisë Komuniste në fakultete. Fjala “poshtë regjimi komunist” ishte tamam si “kjo supë e mensës shtatë nuk hahet, pse nuk kërkojmë diçka tjetër më të mirë”.

Ky ishte fjalori i ri që lindi papritmas më 8 dhjetor, por që mund të kishte lindur edhe më 14 janar 1990 në Shkodër, kur u rrëzua busti i Stalinit, më 2 korrik 1990 kur u thyen ambasadat në Tiranë apo në fund të tetorit 1990, kur vendin e braktisi Ismail Kadareja, në shenjë proteste ndaj regjimit. Por vendit i duhej pak kohë për t’u përgatitur për 8 dhjetorin, siç i duhet një kuzhinieri të mirë për të përgatitur një gosti. Ky ishte banketi që studentët i kishin rezervuar regjimit, e thartë, bile e hidhur për byroistët, për bllokmenët, por e nevojshme që vendi të dilte nga izolimi, censura, përjashtimi kombëtar dhe vetëshkatërrimi.

Faktori SHBA, rënia e Murit të Berlinit, dështimi i regjimeve socialiste përgjatë Evropës Lindore, rrënimi ekonomik, papunësia, varfëria ekstreme, kriza e bukës dhe zija e ushqimit ishin kundër sistemit. Shqipëria reale ishte kundër regjimit, Presidenti amerikan Bush dhe “Zëri i Amerikës” ishin kundër regjimit.

Ora e gjykimit kishte ardhur dhe Azem Hajdari ishte një gjykatës i rreptë, por i drejtë. Gjykimi i tij vazhdon edhe sot ndaj Partisë Socialiste, që u gjend atëherë në anën e kundërt të historisë. Ai bëri thirrje të ecnin përpara, të shembnin sistemin gjakatar, i cili po mbante Shqipërinë larg proceseve evropiane. Dominoja e fundit, siç e quanin amerikanët Shqipërinë e asaj kohe, po binte. Pas katër ditë protestash do të lindte edhe Partia Demokratike. Fjalori i tetë dhjetorit do të bëhej terminologji e lirisë dhe e Shqipërisë evropiane, do të bëhej pjesë njerëzore e Partisë Demokratike. Prandaj fjala antimiting, formuluar nga socialistët për përkujtimin e tij 19 vjet më vonë është një kërkim i gabuar.

Tetë dhjetori ishte vetëm një miting-protestë ndaj regjimit komunist dhe ai u përkiste studentëve që themeluan katër ditë më vonë Partinë Demokratike. “Miting”, “shkojmë në miting” apo “si shkoi mitingu” është fjalor i PD-së, ndërsa “antimiting” është një terminologji e Partisë Socialiste, është një kundërvënie...

Fjala miting për herë të parë u përdor nga demokratët në dhjetor 1990, kurse fjala antimiting u përdor për herë të parë nga socialistët në janar 1991, duke u bërë në vazhdim një praktikë e saj kundër PD-së. Qysh prej 11 janarit 1991, kur PS do të organizonte antimitingun e parë në Tropojë, për shkak se Sali Berisha dhe Azem Hajdari, dy udhëheqësit kryesore të PD-së ishin nga Tropoja, deri më sot, dhjetor 2009, termi antimiting ka mbetur në fjalorin e vjetër të PS-së.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›