E Diel, 1 Nëntor 2026

Transporti dhe zhvillimi i tij në Shqipëri

Nga Sadedin Çeliku

Zhvillimi ekonomik në tërësi dhe ai i transportit në veçanti është kusht mjaft i rëndësishëm për efektivitetin e bizneseve. Nga përdorimi dhe zhvillimi i transportit varet shumë rentabiliteti i çdo biznesi në vendin tonë. Aplikimi i teknologjisë së avancuar në përpunimin e mallrave në portet detare konsiston në rritjen e aftësisë përpunuese të mallrave, uljen e kohës së përpunimit të mallrave, uljen e kostos për ton/m3 të mallrave të përpunuara, uljen e dëmtimeve të mallrave dhe përcaktimin e efektivitetit ekonomik. Aktualisht, teknologjia e përdorur në përpunimin e mallrave është e pranueshme dhe mbeten për t’u përmirësuar masat organizative, përshtatur kjo me teknologjinë që përdoret. Për përpunimin e anijeve që shkarkojnë kryesisht miell, grurë, misër, çimento rifuzio etj., është e domosdoshme ndërtimi i sillosave, por jo në portin e Durrësit, i cili ndodhet në qendër të qytetit, sepse dëmton rëndë mjedisin. Mundësitë për ndërtimin e tyre janë në hapësirën e gjerë që rezervon bregdeti shqiptar. Pra, ato duhen bërë në porte apo miniporte të tjerë. Për të qenë të saktë, le të marrim shembull Italinë, ku portet detare dhe përpunimet e mallrave janë të specializuara dhe në funksion të mjedisit, krahas rregullave të tjera. Triestja është port i specializuar për mallra të ndryshme, Ravena për ushqimin e pulave dhe prodhimet artistike që zënë kubaturë, Empidokle, për plehra kimike, Livorno, La Specia, Marina di Carara, për minerale, porti i Catanias, për gurë mermeri e kështu me radhë.

Për shkak të pozicionit gjeografik dhe shtrirjes së hapësirës detare është plotësisht e mundur të realizohet një gjë e tillë. Ndërtimi i sillosave me një kapacitet rreth 20-25 mijë tonë dhe shkarkim efektiv 350 tonë/orë do të ndikonte shumë pozitivisht në lehtësimin e portit të Durrësit dhe uljen e kostos së përpunimit. Teknologjia moderne e kohës, ajo e përpunimit të kontejnerëve në portin e Durrësit, ka vend për t’u parë për shkak të volumeve dhe kapaciteteve përpunuese. Ai terminal që ekziston sot në portin detar Durrës nuk plotëson nevojat tona në rritje, po të mbajmë parasysh dhe tranzitimin e mallrave për Maqedoni. Ai ka nevojë për një staf të kualifikuar, të cilin nuk e kemi dhe informatizimin e gjithë këtij sistemi. Pra, kjo teknologji ka efektivitet mjaft të lartë. Në mënyrë që të intensifikohen dhe rriten vëllimet e transportit të mallrave me hekurudhë, jo vetëm mallrave masive, por dhe ato që janë të paletizuara, duhet të përdoret e njëjta logjikë që sipas karakterit të mallit të destinohen në kalata të specializuara apo miniporte, ku do të ndërtohen sillosat dhe ku ka transport hekurudhor. Transporti me kontejnerë ose, siç e quajnë, transporti door to door (transporti nga dera në derë ose nga prodhuesi te konsumatori), është transporti më me leverdi që ekziston. Njësi prodhimi, të cilat kanë mjaft afër stacionet hekurudhore ka mjaft, si fabrika e miellit, Kashar, fabrikat e çimentove, Fushë-Krujë, Elbasan, të cilat e bëjnë transportin me mjaft kosto të ulët.

Në përpunimin e mallrave nga anija, vagoni, kamioni dhe avioni, për grup mallrash, është e domosdoshme të ketë skeda të miratuara teknike e teknologjike, duke patur parasysh teknologjitë e aplikuara në transportin e mallrave dhe manipulimin e tyre. Për të realizuar të gjitha këto duhet paraprirje dhe ndërhyrje në disa sektorë, si në porte (këto nuk mund të realizohen në portet Durrës, Vlorë, Shëngjin apo Sarandë), apo ndërtimin e kalatave të specializuara që nuk kërkojnë shpenzime të mëdha, si Radhimë apo gjetkë. Ky investim do bërë paralel me atë hekurudhor, për shkak të amortizimit që ka pësuar ky sektor. Hekurudha shqiptare me gjatësi rreth 500 km kërkon rreth 120 milion euro, së bashku dhe me terminalet, sinjalistikat dhe investime në pajisje e makineri. Pa investuar dhe në këtë sektor, nuk mund të kemi transport modern dhe me rentabilitet të lartë.

Lidhja e hekurudhës shqiptare me hekurudhën e Maqedonisë, e cila kohët e fundit e dëgjuam nga dy kryeministrat respektivë, i paraprin zhvillimit të hekurudhës në kuadrin e Korridorit 8, qëllimi i të cilit është të realizohet lidhja me Maqedoninë, si dhe në perspektivë, të zhvillojë një urë tokësore të pandërprerë ndërmjet Detit të Zi dhe detit Adriatik për të shmangur ngushticën e Bosforit jashtëzakonisht të ngarkuar, si dhe realizimin në këtë mënyrë të shkurtimit të distancës së transportit detar. Kjo lidhje në pjesën tonë është 2, 8 km, me një kosto rreth 5 milionë euro dhe do vënë në zbatim menjëherë. Më vjen keq të them se një gjë e tillë nuk është programuar në buxhetin e vitit 2009 e kështu më duhet të them se ne ndryshe flasim e ndryshe veprojmë. Ndërkaq, për zhvillimin e transportit në përgjithësi dhe atë detar që lidh pazgjidhshmërisht atë me llojet e tjera të transportit, duhet parë e modifikuar legjislacioni kombëtar e ndërkombëtar, portet detare, transporti i mallrave dhe i pasagjerëve, siguria detare e mbrojtja e mjedisit, rregulloret e transportit të mallrave të rrezikshme me anije, hekurudhë, kamionë etj. Janë bërë prej kohësh studimet e fizibilitetit për aeroportet e brendshme Sarandë, Korçë, Vlorë dhe s’po bëhet gjë. Ato mund ta zhvillojnë mjaft sektorin e turizmit e biznesin në tërësi. Por e keqja është se Shqipëria, ekonomia e saj, sektorët strategjikë, në emër të reformave shikohen si çiflig i disa njerëzve. Para disa muajsh dëgjuam të flitet nga kryeministri i vendit që do të ndërtohet një port detar në Vlorë, që do të jepet me koncesion aeroporti i Sarandës, ndërkohë që gati të gjithë sektorët strategjikë u dhanë me koncesion ose u privatizuan. GJYNAH! Shqiptarët edhe pse të pasur, pasuria e tyre u përvetësua, duke u keqadministruar nga një grusht njerëzish. Sikur të mos kish korrupsion, Shqipëria kushedi ku do të ishte.

Gallup Ballkan më 28 nëntor në sondazhet e saj e nxjerr Shqipërinë vendin më të korruptuar në Ballkan, ndaj dhe shqiptarët besojnë më shumë te Bashkimi Evropian sesa te ZOTI.

Sloganet e premtimet “Shqipëria po ndryshon”; “Ne flasim me gjuhën e veprave”; “Do mbjellim 20 milionë fidanë ullinj”; “Do ndërtojmë central bërthamor apo park energjitik” i kanë lodhur shqiptarët hallemëdhenj. Tashmë, kriza financiare së bashku me efektet e veta negative ka trokitur në ekonominë shqiptare, ku barrën më të madhe do ta mbajë konsumatori shqiptar dhe do të duhen masa serioze dhe efektive që kjo krizë të kalohet me pak dhimbje. Shqiptarët tashmë u mësuan të shikojnë se qeveria merret vetëm me probleme korente, por kurrë me plane afatmesme dhe aq më pak afatgjata. Zoti i ruajtë shqiptarët! Të mos prodhojnë më vepra të tjera si ajo e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, se ndryshe do të mbeten dhe pa bukë.

* Ish-zv/ministër i Transporteve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›