Audi prezanton modelin më të fuqishëm “R8”
Para debutimit zyrtar në Panairin e Automjeteve në Detroid, Audi ka prezantuar modelin e tij më të ri, “R8”. Pas modeleve kabriolet A5 dhe S5, prodhuesi nga Ingolstadti ka shfaqur edhe më të fuqishmin “R8”, i cili është i pajisur me motorin V10 prej 5.2 litrash nga Lamborghini Gallard, i cili nën kapakun e motorit të Audit zhvillon saktësisht 525 kuaj fuqi. Megjithatë, kjo do të duhej të ishte e mjaftueshme që më i fuqishmi R8 të arrijë shpejtësinë 100 kilometra në orë për 3.9 sekonda si shpejtësinë maksimale prej 315 km/h. Së bashku me motorin vjen edhe marshi prej gjashtë shpejtësish R-Tronic. Përsa u përket ndryshimeve të automjetit, ato janë më të dukshmet me LED, llambat e reja në dritat e shkurtra dhe të gjata, por edhe thithësit anësorë të ajrit tani janë më të mëdhenj për të përmbushur nevojat e motorit më të madh. Modeli R8 zyrtarisht do të paraqitet në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 11 janar 2009, ndërsa çmimi në Gjermani do të jetë 142000 euro.
Ford ofron “Volvo”-n për gjashtë miliardë dollarë
Edhe pse në disa raste spekulimet e mediave për shitjen e “Volvo”-s
janë hedhur poshtë si të pabaza, prodhuesi “Ford” duket se është i vendosur për çmimin e lartë. Sipas informacioneve të pakonfirmuara, “Ford” kërkon për “Volvon” 6 miliardë dollarë, që është më pak nga sa kanë paguar amerikanët për prodhuesin danez në vitin 1999, përkatësisht 6.4 miliardë dollarë. Qëllimi i shitjes së “Volvo”-s nga “Ford”, përveç injeksionit të kapitalit të freskët, do të siguronte edhe më tepër të ardhura te qeveria amerikane tek e cila “Ford”, së bashku me General Motors dhe Chrysler, janë duke kërkuar ndihmë prej 25 miliardë dollarësh. Analistët megjithatë vlerësojnë se përkundër çmimit të arsyeshëm, “Ford” nuk do të ketë fat me shitjen e “Volvos”. Prodhuesi suedez ka deklaruar përfitime 25 për qind më të ulëta në tremujorin e tretë dhe ka qenë i detyruar të kërkojë ndihmën financiare nga qeveria si dhe të largojë nga puna mijëra punëtorë.
“Honda Insight” paralajmëron premierën
Honda ka publikuar fotografinë e parë të modelit serik të hibridit krejtësisht të ri “Insight”. Fotografia e parë e hibridit të ri nga Honda paraqet ngjashmëri të madhe të variantit serik të modelit me konceptin e paraqitur në muajin tetor në panairin e automjeteve në Paris. Siç është ditur edhe nga më herët, hibridi i ri është një limuzinë familjare me pesë dyer, që e vë në lëvizje teknologjia hibride Honda IMA që përbëhet nga elektromotori, motori me benzinë dhe marshi CVT. Për më tepër, modeli është i pajisur me sistemin EDAS (Ecological Drive Assist System) pas të cilit fshihet teknologjia e dedikuar për shfrytëzim optimal të sistemit motorik dhe e gjithë kjo për zvogëlimin e shpenzimit të karburantit dhe gazrave të dëmshme. Honda planifikon që brenda vitit të shesë rreth 200000 njësi të hibridit “Insight” në mbarë botën dhe shitja fillon në pranverën e vitit 2009. Nëse bëhen të vërteta paralajmërimet, “Insight”, me çmimin prej 19.000 dollarësh amerikanë (15.000 euro), do të jetë hibridi më i lirë në ofertë.
“Smart”, tri telefona në një të vetëm
Pak kohë më parë, në konferencën 3GSM në Azi është paraqitur telefoni i mençur (smartphone) me dizajn të pazakontë dhe nën emrin “iCEphone”. Prodhuesi i këtij telefoni, kompania TheMedicalPhone, ka vendosur për një telefon rrëshqitës dhe ajo që e veçon nga telefonat e tjerë është se ai hapet në tri pjesë funksionale. Kjo u mundëson përdoruesve të zgjedhin mes tastierës QWERTY, asaj “keypad” për ata që luajnë me lojëra si dhe ekran të ndjeshëm në prekje prej 3 inçësh. Është interesant fakti që telefoni ka marrë emrin sipas tastit të sigurisë, me shtypjen e të cilit dërgoni lokacionin tuaj GPS dhe informacione të tjera të rëndësishme për të gjitha shërbimet në rrethinë. Telefoni funksionon me sistemin operativ Windows Mobile 6.0 dhe përmban audio dhe player, shfletues të internetit e tjera. Pritet që çmimi i iCEphone të jetë rreth 1.000 dollarë amerikanë. Pritet që pajisja të dalë në treg në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.
G1 i hapur për 399 dollarë
Google gjatë fundjavës ka ndërmarrë një hap interesant për të cilin Apple e ka të vështirë të vendosë. Ai ka ofruar telefonin e parë të mençur të bazuar në sistemin operativ Android, G1, krejtësisht të hapur, prandaj mund të përdoret në cilindo rrjet pa kufizime. Ky version i është dedikuar ekskluzivisht programuesve zhvillimorë, të cilët mund të regjistrohen si të tillë në faqet e Google dhe kjo procedurë kushton 25 dollarë. Pas kësaj ata mund të porosisin pajisjen e cila nuk është e mbyllur në asnjë rrjet për 399 dollarë. Google qartazi pohon se ky version i pajisjes, i cili vjen me versionin e sistemit operativ Android 1.0, nuk është dedikuar për përdoruesit e rëndomtë, por për ata që janë më kërkues. Programuesit zhvillimorë, qartazi, do të vlerësojnë këtë mundësi të testimit të papengesë të softuerit në pajisjen e hapur të kësaj forme. Google aktualisht ka në shitje pajisjen G1 nën këto kushte në 18 shtete të botës, megjithatë pohohet se programi do të zgjerohet edhe në të tregje tjera.
13 Dhjetor 2008