Skema e tollovisë kombëtare
Shqipëria i ka kushtuar vëmendje të veçantë sigurisë kombëtare prej dekadash.
Pas Luftës së Dytë Botërore s’bëhej fjalë për ushtri e polici, por për ca batalione barinjsh që e kishin ndërruar kërrabën me pushkën dhe, sigurisht, s’dinin të përdornin asnjërën. Për këtë shkak, Enverit iu desh t’i vriste elementët që kërcënonin sigurinë kombëtare.
Më vonë, barinjtë shkuan në Moskë dhe mësuan edhe ndonjë teknike ushtarake veç stalinizmit dhe kështu siguria kombëtare filloi të mbrohej nga ushtria, policia dhe spiunët. Pastaj, dikujt i ra ndërmend se kishte ca shekuj që ishte shpikur teli dhe kështu Partia ndërtoi klonin. Siguria kombëtare u garantua.
Ky është sfondi i shqetësimit për sigurinë kombëtare që ka qeveria e sotme. Pas gazetës “TemA”, radha e objekteve që do të zhvendosen për shkak të sigurisë kombëtare është e gjatë dhe komike.
Ja si do të nisë: meqenëse në Zall-Herr ka një repart ushtarak, të gjitha shtëpitë pranë tij do të zhvendosen në Elbasan. Pastaj, do të zhvendosen shtëpitë më të afërta dhe, në fund, kur të spastrohen të gjitha fshatrat rrotull repartit, do t’i vijë radha Tiranës – e cila do të jetë qendra më e afërt – dhe me rrezikshmëri – me repartin ushtarak.
Por zhvendosja nuk mbaron këtu. Kështu do të zhvendosen të gjitha fshatrat dhe qytetet pranë reparteve ushtarake dhe godinave që do të bëjnë shpërndarjen e kartave të identitetit. Harta demografike ekzistuese do të ndryshojë krejtësisht. Vetëm toponimet nuk do të preken.
Për të mos sjellë ngatërresa, njerëzit do të pajisen me doracakë shpjegues. Udhëtari që thotë: “Dua të shkoj në Tropojë”, do të çohet në Gjirokastër, sepse aty kanë shkuar banesat dhe banorët e saj, për shkak të afërsisë me objektet e rëndësisë së lartë. Ndërsa ata që do të duan të vizitojnë shtëpinë e diktatorit, për shkak se Gjirokastra do të jetë transferuar në veri, do të nisen drejt Tropojës.
Pak a shumë, kjo do të jetë gjithë skema e tollovisë kombëtare.