E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja urdhri i Berishës për të mbyllur gazetën “TemA”

Nga Tema

Gazeta “TemA” boton sot shkresën e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, e cila kërkon largimin me dhunë nga ambientet e saj të shoqërisë që boton këtë gazetë dhe shtypshkronjës së saj, edhe pse shoqëria “Mediasoft Albania” ka një kontratë koncesionare 20-vjeçare, fituar në mënyrë të rregullt, dhe e ka zbatuar atë në mënyrë strikte duke realizuar investime në mjedise dhe makineri. Në faksimile është urdhri i ministrit Nishani, që kërkon largimin nga ambientet e Tipografisë Ushtarake, duke e argumentuar më faktin se aty do të prodhohen kartat e identitetit, dhe gazeta “TemA” cenon sigurinë e tyre.

Për të sqaruar opinionin publik, gazeta “TemA” bën me dije se ambientet e saj dhe të shoqërisë “Mediasoft” janë të vendosura në mjediset e Tipografisë Ushtarake, e cila ka 9 mijë metra katrorë. Shoqëria “Mediasoft” ka 645 metra dhe të veçuara nga ndërtesa e madhe.

Vendi për kartat e identitetit nuk ka asnjë lidhje, as fizike, as afërsie me vendin ku ndodhet gazeta.

Por, duke mos gjetur asnjë pikë të shkelur të kontratës, kryeministri Berisha ka shpikur çështjen e sigurisë kombëtare. Por dhe një gjë e tillë nuk qëndron, për shkak se rrëzohet nga një vendim qeverie, që botohet më poshtë, dhe që është marrë në nëntor dhe që lejon të futë në këto mjedise dhe një

shtypshkronjë tjetër, atë të letrave me vlerë. Kjo tregon se nuk ka rrezik të ketë dhe operatorë të tjerë.

Fakti që duan të nxjerrin vetëm shoqërinë “Mediasoft”, pra gazetën “TemA”, nuk ka lidhje me sigurinë kombëtare, por me vendimin politik të kryeministrit për të bllokuar botimin e gazetës “TemA”.

Dy makineritë e shtypit të montuara aty duan së paku 6 muaj të lëvizin nga ky vend dhe kërkojnë super-shpenzime të tjera për montim dhe çmontim.

Duke llogaritur këto gjashtë muaj para zgjedhjeve, Berisha ka nisur këtë procedurë për të bllokuar gazetën “TemA”, procedurë të cilën do ta kontestojmë në gjyq.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›