E Diel, 1 Nëntor 2026

Fifa World Player, fëmijët e artë të futbollit



Kristiano Ronaldo, fituesi i “freskët” i “Topit të artë”, është midis pesë lojtarëve që do të diskutojnë trofeun “Fifa World Player”, ose ndryshe lojtari më i mirë në botë, për të cilin votojnë trajnerët e ekipeve kombëtare (përfshirë dhe Ari Hanin) dhe kapitenet e skuadrave përfaqësuese (përfshirë dhe Altin Lalën). Lista fillestare e publikuar nga FIFA ishte me 23 kandidatë, por tashmë ajo është reduktuar në pesë futbollistë: spanjollët Fernando Torres (Liverpul) e Xavi (Barcelona), braziliani Kaka (Milan), argjentinasi Lionel Messi (Barcelona) e, natyrisht Kristiano Ronaldo (Mançester Junajtid). Çmimi do të jepet gjatë një ceremonie luksoze, më 12 janar në Zyrih të Zvicrës. Fituesi i vitit të kaluar (2008) ishte Riki Kaka, i cili fitoi edhe “Topin e artë”. Po cila është fëmijëria e pesë yjeve që kanë pushtuar këtë vit botën e futbollit.
MESI, XHUXHI I ARTË
Lionel Mesi, argjentinasi trupvogël i Barcelonës, përditë e më shumë krahasohet me Diego Maradonën. Në moshën 21 vjeç është shndërruar në një nga futbollistët më të çmuar e më popullorë të planetit të futbollit. Argjentina beson te ai për të ngritur Kupën e Botës në vitin 2010 në Afrikën e Jugut, pasi më parë ai ka ngritur Kupën në Kampionatin Botëror të të rinjve në vitin 2005. Barça e mban si një nga lojtarët më emblematikë të saj dhe Mesi është i aftë të elektrizojë tifozët më “Kamp Nou”. Me gjatësinë vetëm prej 169 centimetra, ndeshjet e para i luajti në qytetin e tij i lindjes, në Rozario, ku u aktivizua me fanellën e Neuell's Old Boys. Viktimë e një dëmtimi, Leo, që ishte i gjatë 111 centimetra në moshën 10 vjeç, la Argjentinën në fillim të viteve 2000 për t’u trajtuar në mënyrë speciale për të rritur gjatësinë. Mesi ka arritur disa suksese: 16 vjeç luan në ekipin e parë; 17 vjeç shënon golin e parë në Ligë dhe 18 vjeç shndërrohet në një yll duke djegur çdo etapë. Bluza e tij me numër 19 është bërë një minierë ari për klubin e tij. Golat e tij e lejojnë Mesin e vogël të jetë pjesë e “fantastikëve”.
KAKA, SEKS-SIMBOL
Në një intervistë për revistën e famshme “GQ”, për fituesin e “Topit të artë 2007” Kaka nuk parashikohet kështu një e ardhme trajneri apo menaxheri, por një njeri i impenjuar me çështjen e fesë. “Në fund të karrierës do të doja të bëja priftin evangjelist. Do të më pëlqente shumë. Është një detyrë e rëndësishme”, - thotë braziliani i Milanit për revistën. “Më duhet të studioj teologji, të bëj një kurs, të njoh thellësisht biblën. Nuk është kaq e lehë të aplikosh në shoqëri sot rregullat e shkruara mijëra vite më parë. Pikërisht kjo është detyra e një pastori të mirë: të aktualizojë mësimet e Biblës”. Kaka vlerësohet si një seks-simbol për të gjithë bashkëkombësit e tij. Ai vazhdon të jetë edhe një idhull për të gjithë publikun femëror. Në një sondazh të organizuar nga “Esporte Espetacular" për lojtarin më të bukur në botë, futbollisti i Milanit ishte në krye me 57% të votave, teksa Bekam mori 32% dhe Toti 12%.
KRISTIANO, MARKA “CR7”
Kristiano Ronaldo Dos Santos Aveiro. Ky është emri i plotë i fituesit të “Topit të artë 2008”, anësorit të Mançester Junaitid dhe ekipit Kombëtar të Portugalisë. Djaloshi Ronaldo e nisi karrierën te klubi modest C. D. Nacional për të vazhduar më pas te Sportingu. Talenti i tij tërhoqi vëmendjen e specialistëve të Mançester Junaitid, të cilët paguan për Ronaldon, atëherë 18-vjeçar, 12.24 milionë sterlina, ose gati 16 milionë euro në vitin 2003. Në sezonin 2006-2007 ai fitoi titullin e parë në Premier Ligën angleze, ndërkohë që në sezonin 2007-2008 ai fitoi edhe kampionatin, por dhe Ligën e Kampioneve, trofeu më i rëndësishëm europian për klubet. Ronaldo ka fituar “Këpucën e artë” europiane, është shpallur “Futbollisti më i mirë në Botë 2008” i votuar nga sportistët, ndërsa më 2 dhjetor 2008 fitoi “Topin e artë”. Johan Kruj tha gjatë një interviste: “Ronaldo është më i mirë se Xhorxh Best dhe Denis Lau, të cilët ishin dy futbollistë të mëdhenj në historinë e Junaitidit”. Kristiano Ronaldo, emri i dytë i të cilit është vendosur nga i ati i tij, Hoze Dinis Aveiro, për nder të ish-presidentit amerikan Ronald Regan, ka hapur linjën e vet të produkteve “CR7”, ku numri “7” është numri i fanellës së tij. Kristiano Ronaldo ka fituar 30 trofe si lojtar.
Kristiano Ronaldo ka thyer një rekord me Sportingun, duke qenë i pari lojtar në historinë e këtij klubi që ka luajtur me formacionet e U-16, U-17, U-18, ekipin B dhe atë të parë në të njëjtin sezon.
TORRES, “EL NINO”
“El Nino” (vogëlushi në spanjisht), shënoi në finale golin që i dha Spanjës trofeun e Kampionatit Europian 2008. Sulmuesi aktual me pamje femërore i Liverpulit është dalluar për aftësitë e tij të jashtëzakonshme qysh kur ishte 11 vjeç. Por, për herë të parë madrileni e ka prekur topin kur ai ishte vetëm pesë vjeç. Gjyshi i tij ishte një tifoz i madh i Altetikos së Madridit dhe Fernando i vogël trashëgoi dashurinë për Atletikon. Interesant është fakti se Torresi dëshironte të bëhej portier, pozicion në të cilën luante vëllai i tij më i madh. Gjithsesi, në moshën shtatëvjeçare Fernando luajti rregullisht si sulmues. Në moshën dhjetëvjeçare ai shënoi 55 gola për klubin e tij të atëhershëm, Rajo.
Fernando Torres dëshmoi se ishte një jashtëklas përtej moshës së tij dhe se sa mund t’i mbanin shpatullat njomëzake. Në moshën 11-vjeçare ai u bashkua me Atletikon e Madridit, në moshën 12 vjeç ai refuzoi një ofertë të Realit të Madridit, në moshën 15 vjeç kishte një ofertë prej 3 milionë eurosh, në moshën 17 vjeç debutoi me ekipin e parë, në moshën 19 vjeç ai ishte kapiteni i Atletikos së Madridit dhe në 20 vjeç debutoi në Kombëtaren spanjolle.
Sot Fernando Torres është një makinë e vërtetë golash, si me Liverpulin, ashtu dhe me Kombëtaren spanjolle.

Ronaldo, 127 mijë euro në muaj

Ronaldo do të fitojë 127 mijë euro në muaj me klubin e tij të ri, brazilianët e Korinthiansit. Kësaj page bazë do t’u shtohen edhe shpërblimet në lidhje me komercializimin e imazhit përmes bluzave, topave dhe artikujve të ndryshëm. Shifrat janë dhënë nga klubi i San Paolos, nga vetë drejtori i Marketingut, Luis Paulo Rozenberg, gjatë një interviste për një televizion lokal.

13 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›