E Diel, 1 Nëntor 2026

Transporti publik, Basha: Shërbim cilësor e shtrirje në të gjithë qytetin

TIRANE - Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvilloi një takim me drejtues të Shoqatës së Transportit Publik të Tiranës.
Përmirësimi i kushteve në linjat e transportit publik, monitorimi i vonesave, si dhe shtrirja e shërbimit në të gjithë Tiranën ishin disa nga çështjet që ngriti për diskutim kryebashkiaku Basha.

“Për ne është e rëndësishme, të përparojmë me një shërbim më cilësor, që do të thotë autobusë të rinj, me të gjithë parametrat funksionalë, me mundësitë që duhen si gjatë dimrit dhe gjatë verës, me frekuencën e duhur dhe të monitoruar siç duhet të lëvizjes, pra pa vonesa dhe të shtrirë në të gjithë qytetin e Tiranës” – u shpreh Basha.

Gjithashtu kryebashkiaku Basha ka kërkuar edhe reduktimin e tarifave për një kategori të caktuar, si pensionistët dhe studentët.

“Të shikojmë se si mund të realizojmë objektivin e Bashkisë së Tiranës, për transport me tarifë të reduktuar, deri në tarifë “zero”, për studentët dhe pensionistët mbi 65 vjeç” - tha Basha

Kryetari i Bashkisë ka ftuar Shoqatën e Transportit Publik, të bëhet pjesë e diskutimit, për të ardhmen e transportit publik, që nga planet për linjat e tramit e deri tek rishikimi i plotë i rrjetit rrugor, me përparësi, korsitë e dedikuara.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›