I jepet lamtumira e fundit prokurorit Xhevat Hana
Të afërm, miq, kolegë, personalitete të shumta i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit prokurorit Xhevat Hana, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë pas një sëmundjeje të rëndë. Homazhet janë mbajtur në ambientet e Qendrës Kulturore të Ushtrisë dhe më pas trupi i pajetë i prokurorit Hana është përcjellë për në banesën e fundit në varrezat e Tufinës.
Homazhe ka zhvilluar sot kreu i shtetit Bamir Topi i cili ka lënë edhe një mesazh në librin e ngushëllimeve si dhe prokurorja e përgjithshme Ina Rama. Gjithashtu homazhe ka zhvilluar edhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i shoqëruar edhe nga deputetët socialistë Fatmir Xhafa, Taulant Balla, Vasilika Hysi, Ditmir Bushati etj. Homazhe kanë zhvilluar prokurorë, kolegë të tij dhe personalitete të shquara, të cilët kanë lënë mesazhet e tyre në librin e zisë.
Prokuroria e Përgjithshme e vlerësoi Xhevat Hanën si imazhin më të mirë të prokurorit këmbëngulës, që ka si mision ruajtjen e fuqizimin e shtetit, fanatik i zbatimit të ligjit gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë, çka e kish shndërruar atë në një shembull të devotshmërisë tek kolegët.
Ndërsa, Presidenti i Republikës, Bamir Topi duke i shprehur familjes ngushëllimet e sinqerta për ndarjen nga jeta të prokurorit theksoi se “Ndarja nga jeta e Xhevatit përbën një humbje të madhe e të pazëvendësueshme për familjen, për kolegët, për vetë shtetin shqiptar, por edhe për të gjithë ata që kanë pasur fatin të bashkëpunojnë e ta njohin atë nga afër, duke i çmuar gjithmonë përkushtimin ndaj detyrës së vështirë të prokurorit, integritetin e profesionalizmin si dhe cilësitë e tij të spikatura qytetare e njerëzore”
Xhevat Hana, humbi jetën më 5 janar në një spital në Itali, për shkak të një sëmundje të rëndë, ndërkohë që kreu i shtetit, prokurorë e kolege, e kanë quajtur humbje të madhe ndarjen e tij nga jeta. Xhevat Hana, ka lindur në Librazhd më 28.03.1953, e nisi karrierën e tij në organet e hetimit në Mat, në Sarandë në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, e më pas në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa vitet e fundit si prokuror pranë Prokurorisë Për Krimet e Rënda Tiranë. Gjithshtu Z. Xhevat Hana në periudhën 2003-2005 ka qenë Këshilltar Juridik i Presidentit të Republikës, si dhe Ndihmës/komisioner në Institucionin e Avokatit të Popullit.