Transporti publik në Tiranë, si në Evropën e 1950-s
Shkurtimisht pa e analizuar më thellë, vetëm duke krahasuar parametrin e shpejtësisë tregtare si një parametër më i kapshëm nga udhëtari, niveli i transportit qytetas (kolektiv) në vendin tonë është ai i Evropës së viteve 1950-1954. Në vendet anëtare të UITP sot në vitet 2009 realizohet një transport qytetas me shpejtësi tregtare prej 20 kilometrash në orë, si dhe tentohet për të ardhmen të arrihet në nivelet e 22 kilometrave në orë. Me keqardhje e themi se në vendin tonë ky parametër është në nivelet e 10 kilometrave në orë.
Shprehemi kështu për faktin se, me këtë nivel të infrastrukturës që kemi sot, ky parametër shumë tregues i nivelit të këtij transporti, të mund të ishte të paktën më i lartë nga ai i propozuar nga kompania “TRANSURB”, Belgjikë, shumë e njohur në botë në fushën e studimit në transport. Ajo në studimin e saj të kryer për metropolin e Tiranës në vitet 1996, në kuadrin e programit “PHARE” financuar nga Banka Botërore, rekomandonte në ato kushte jo të mira të infrastrukturës, që shpejtësia tregtare të ishte në kufijtë e 14 kilometrave në orë.
Sot kur kemi një infrastrukturë shumë më të mirë, mendojmë se me investime jo të mëdha dhe me një planifikim afatshkurtër në fushën e rikonstruksionit dhe përdorimit të sinjalistikës elektronike me semafor të trafikut të qarkullimit rrugor, do të bëhej e mundur arritja e parametrit të shpejtësisë tregtare, në vlera të kënaqshme dhe shumë më të larta nga atë që e karakterizon sot këtë transport.
Por kjo nuk mund të bëhet me frymën e shenjtë, të kujtdo qoftë, specialist apo drejtues të Pushtetit Lokal, pa një impenjim total dhe korrekt në organizimin, drejtimin dhe financimin e këtij transporti, gjë të cilën ua ngarkon ligji. Kjo doli shumë qartë dhe bindëse edhe nga referimi i përfaqësuesit të Bashkisë së Tiranës, ku u përqendrua në studimet e bëra në planet perspektive të zhvillimit urban të metropolit, të cilat do të kërkojnë shumë kohë dhe investime për t’u realizuar.
Pushteti Lokal i Tiranës mendon se duke e deleguar shërbimin me këtë transport subjekteve private, si dhe duke hartuar me të një kontratë, detyra e tyre ka përfunduar.
Po t’i hedhim një sy kalimthi kontratës së hartuar nga Bashkia e Tiranës me subjektet private, cilido qoftë me një sens pozitiv vëren se ka të bëjë me një dokument të hartuar si nga forma, ashtu dhe përmbajtja me një nivel jo profesional tekniko-ligjor.
Në analizë të fundit, transporti qytetas për Tiranën metropol, prezantohet me parametra që dëshmojnë në mënyrë shumë sinjifikative për një nivel të ulët, që nuk premtojnë arritje në një lëvizje të qëndrueshme.
Dihet shumë mirë se lëvizshmëria jep mundësi individuale për të hyrë në shërbime të rëndësishme dhe si e tillë është një bazë e nevojshme e jetës njerëzore.
Tirana si dhe të gjithë qytetet në botë, përballet ndoshta me një nivel më të lartë me modelin e lëvizshmërisë së paqëndrueshme.
Transporti qytetas është një nga zgjidhjet më të mira sot, në kushtet e rritjes së lëvizshmërisë së popullit, në një klimë zhvillimi ekonomik të paqëndrueshëm në të gjithë botën. Lëvizshmëria e qëndrueshme tregon ç’është në rrezik në përpjekjen bashkëkohore në ndreqjen e bilancit të kostos dhe të dobisë në sektorin e transportit.
Përmirësimi i transportit qytetas të pasagjerëve dhe kualiteti i shërbimit të tij është kyç në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm urban nga pikëpamja sociale, ekonomike dhe mjedisore.
Kualiteti i lartë i transportit qytetas publik është çelësi i arritjes së një lëvizshmërie të transportit urban. Transporti qytetas publik ka një rol shumë të rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve të trafikut, në planifikimin dhe konsumin e kohës, në problemet e ndotjes së mjedisit nga gazrat e emetuara në atmosferë dhe zhurmat nga mjetet lëvizëse me motor. Ai redukton në mënyrë mjaft efektive numrin e makinave në qarkullim në qytet. Prej kohësh ka trokitur dhe vazhdon të trokasë në derë me tone të forta dukuria e asfiksimit të qarkullimit rrugor dhe mendojmë, se nuk do të jetë e largët koha kur pasojat do të jenë më të rënda dhe të papërballueshme, riparimin e të cilave do të ketë kosto shumë të lartë si për komunitetin ashtu dhe për Pushtetin Lokal, që direkt ka përgjegjësi ligjore.
Pra, z. Rama, si kryetar i bashkisë së këtij qyteti, mundohuni një herë ju lutem të merreni me problemet e këtij transporti kaq të nevojshëm dhe të dobishëm për komunitetin. Me këtë besoj se do të ndërgjegjësoheni njëherë e përgjithmonë në vërtetësinë e atyre ndërmarrjeve tuaja publike në drejtim të mbrojtjes së mjedisit urban, duke stimuluar lëvizjen me biçikletë, për të mos krijuar në opinion edhe për këtë shijen e fasadës. Gjithashtu, nisur nga këto fakte të nevojës dhe të dobisë së këtij transporti për komunitetin, natyrshëm nëse do të ndërgjegjësoheni për detyrën që ju kanë besuar në drejtimin e pushtetit lokal të këtij komuniteti, ju dalin një sërë detyrash që kërkojnë prononcim serioz për zgjidhje.
Bashkia e Tiranës si përgjegjëse direkte ligjore e shërbimit në këtë lloj transporti duhet të ndjekë politika të reja favorizuese në organizim, drejtim e financim të tij. Gjithashtu, me planifikim afatshkurtër duhet të kryejë investime në drejtim të infrastrukturës rrugore dhe riorganizimit e përmirësimit të trafikut të qarkullimit rrugor, në favorizim direkt gjithmonë të qarkullimit të mjeteve të transportit qytetas (kolektiv) publik.
Nga ana e Bashkisë së Tiranës duhet të merret në konsideratë me përparësi subvencionimi i këtij transporti, detyre kjo të cilën ua ngarkon ligji.
Duke e parë problemin si një kusht në drejtimin direkt të rritjes së frekuentimit të këtij transporti nga udhëtarët, përsëri pushtetit lokal i del përgjegjësia ligjore për t’u interesuar dhe arrije një rishkim të tarifës së biletës dhe të një grile favorizuese për udhëtarin.
Pushteti Lokal gjithashtu duhet të jetë i prirur për të zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme një politike ndërgjegjësimi të udhëtarëve mbi avantazhet e padiskutueshme të këtij shërbimi:
a) në drejtim të shpenzimeve më të vogla nga ato të transportit personal b) në mbrojtjen e mjedisit nga gazrat e emetuara në atmosferë dhe zhurmat nga mjetet e motorizuara c) në ndikimin e efektit serë dhe d) në shtimin e vendeve të punësimit etj.
Realizimi i këtyre detyrave përbën një kusht të nevojshëm dhe të domosdoshëm si dhe kërkon një kohë limit që të jenë të përfshira politikat shtetërore, për një konceptim evropian të transportit qytetas ose kolektiv publik. Gjithashtu kërkon që institucionet përkatëse të jenë të hapur në ecurinë e realizimit të detyrave dhe përgjegjësive në respektimin e standardeve evropiane në maksimumin e mundshëm.
*Specialist në fushën e transportit