E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti i Tiranës, paratë shkojnë për transportin publik dhe gjelbërimin

Transporti publik dhe mjedisi këtë vit do të thithin shumicën e parave të buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Drejtoresha e Planifikimit Strategjik në Bashkinë e Tiranës, Vasilika Vjero, shpjegon mekanizmin e hartimit të projektbuxhetit, prioritetet e tij, projektet e parashikuara për t’u realizuar si dhe mënyrën e sigurimit të fondeve të nevojshme. Sipas Vjeros, për transportin publik dhe sinjalistikën shkojnë 533 milionë lekë. Mjedisi dhe rikualifikimet urbane do të financohen në shumën 2.5 miliardë lekë, ndërsa infrastruktura rrugore do të financohet në shumën e 1.6 miliard lekëve. Këto projekte nisin udhë me miratimin e buxhetit në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak.
“Në investimet për transportin publik është përfundimi i fazës së gjashtë dhe të shtatë të projektit për sinjalistikën horizontale, projekti i numërtimit dhe dixhitalizimit të godinave (godina, hyrje dhe apartamente), të sistemit të adresave të qytetit të Tiranës, si dhe projekti për transportin multimodal, korsitë e dedikuara dhe të rritjes së sigurisë rrugore. Për zbatimin e këtij të fundit do të ndërhyhet në 22 rrugë dhe 22 kryqëzime për vendosjen e korsive të dedikuara, gjithashtu do të përfundojë ngritja e Qendrës së Menaxhimit të Trafikut, e cila është financuar me një kredi nga BERZH. Do të vijohet me përpjekjen për ndërtimin e dy parkimeve nëntokësore”, - shpjegon drejtoresha e Planifikimit Strategjik në Bashkinë e Tiranës, Vasilika Vjero.
Më tej, Vjero sqaron se ndër projektet që do të vijojnë, është edhe rikualifikimi urban i sheshit “Skënderbej”, ku ka filluar puna për realizimin e fazës së parë të rikualifikimit urban tek pista e aviacionit dhe njëkohësisht do të vijojë edhe faza e dytë e këtij projekti. Do të vazhdojë ndërhyrja për rehabilitimin e shtratit të Lanës tek ura pranë Shkollës Teknologjike, rikualifikimin urban të hapësirës përgjatë rrugës “Lord Bajron”, rehabilitimin e fushës së Sharrës.
Lidhur me shtimin e hapësirave të gjelbra është parashikuar që për vitin 2010 me fondet e Bashkisë së Tiranës do të mbillen rreth 8 mijë pemë. “Infrastruktura rrugore e vlerësuar si prioriteti i tretë në renditje nga qytetarët do të konkretizohet me përfundimin e punimeve në shtatë blloqe banimi, do të vijojë ndërhyrja në kolektorin e Selitës, si pjesë e bllokut 63, dhe do të vazhdohet me aplikimin e “fondit të komunitetit” dhe “mirëmbajtjes së thellë” në të gjitha njësitë bashkiake, ku do të ndërhyhet në 30 rrugë; do të vazhdojë me rikonstruksionin e rrugës “Hamdi Pepa”, sistemimin e shtratit të Lanës dhe ndërtimin e rrugëve paralele të saj, që pritet të përfundojë në 6-mujorin e parë të vitit. Një tjetër projekt që do të thithë buxhet këtë vit, është Unaza e Madhe, ku do të fillojnë punimet për ndërtimin e saj, si dhe urës mbi Lanë pranë Shkollës Teknologjike, të financuara që të dyja me kredi nga BERZH. Po ashtu do të vijohet edhe me projektet e Shërbimeve Sociale, si ai i arsimit parauniversitar, edukimit dhe njëkohësisht i strehimit social. Për strehimin social ka nisur ndërtimi i banesave të para sociale, ku do të ndërtohen 398 të tilla dhe kjo është bërë e mundur falë një kredie që ne kemi marrë nga Banka e Këshillit të Evropës. Në programin e arsimit është parashikuar që të rikonstruktohen një sërë shkollash dhe kopshtesh. Do të pilotohen për herë të parë sistemet e Efiçencës së Energjisë në një kopsht e shkollë dhe përkatësisht në shkollën 9-vjeçare “Dora D’Istria” dhe kopshtin nr. 35. Do të përfundojë shkolla e re 9-vjeçare tek rruga “Irfan Tomini”. Do të përfundojnë rikonstruksionet e shkollave “Siri Kodra”, “Kushtrimi i Lirisë”, “Kolë Jakova”, “Petro Nini Luarasi”, “Qemal Stafa” si dhe do të vazhdojë ndërhyrja në një sërë kopshtesh. Në total do të ketë 3 shkolla të reja, do të rikonstruktohen edhe 5 të tjera, do të rikonstruktohen edhe 9 kopshte si dhe do të përfundojnë punimet në 9 çerdhe”.
Të ardhurat në mbi 88% të tyre do të sigurohen nga taksat dhe tarifat vendore që paguajnë qytetarët dhe bizneset vendore
- 12% është shuma që financohet nga transferta e pakushtëzuar që qeveria qendrore u jep njësive të qeverisjes vendore

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›