E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrimi, kombësitë e fetë që do deklarohen

Për herë të parë në vendin tonë në regjistrimin e popullsisë që pritet të nisë në vitin 2011, qytetarët shqiptarë do të deklarohen për kombësinë dhe besimin fetar të tyre. INSTAT, institucioni përgjegjës për realizimin e këtij projekti, ka zbardhur dje pyetësorin mbi të cilin do të kryhet regjistrimi. Lidhur me grupimin etnik të qytetarëve në këtë pyetësor janë 9 alternativat për deklarimin ku përfshihet kombësia: shqiptar, grek, maqedonas, rom, egjiptian dhe dy të tjerat janë preferoj të mos përgjigjem apo kombësi të tjera. Ndërsa pyetja për besimin ka 7 alternativa, ku përfshihet besimi mysliman sunit, bektashi, krishterë-ortodoks, krishterë-katolik, asnjë besim fetar, besime të tjera, apo dhe alternativa ku qytetari nuk preferon të përgjigjet rreth besimit të tij. Në një tryezë të përbashkët me grupet e interesit, OJF dhe përfaqësues të disa institucioneve të ndryshme, INSTAT ka zbardhur dje për herë të parë mënyrën si do të bëhet regjistrimi i popullsisë dhe banesave në vitin 2011. Në këtë debat të parë rreth këtij procesi është debatuar pikërisht për këto risi që sjell regjistrimi i popullsisë
mbi kombësinë dhe fenë.
Emira Galaxhi, drejtoresha e Statistikave Sociale pranë INSTAT ka shpjeguar se si do të kryhet pyetësori. Sipas saj, është kryer një testim më parë me 100 persona dhe anketimi i parë do të bëhet në fillim të muajit prill 2010, për t’i paraprirë procesit të regjistrimit në vitin 2011. Kombësia dhe besimi bëjnë pjesë në grupin e pyetësorit individual, i cili përfshin disa grupe pyetjesh, ndër të cilat janë: pyetjet individuale të lidhura me gjininë, datëlindjen, vendlindjen, statusin martesor etj. Galaxhi tha dje se këto të dhëna do të ndihmojnë për të marrë një informacion të plotë të popullsisë sipas gjinisë e moshës. Grupi tjetër ka të bëjë me pyetjet mbi grupin etnik, besimin fetar, gjuhët, të konsideruara si pyetje "sensitive", të cilat është hera e parë që përfshihen në pyetësor. Megjithëse janë pyetje të cilat janë të lidhura me të drejtat e individëve, për të cilat individët mund të zgjedhin edhe të mos përgjigjen, përsëri INSTAT është bindur se këto pyetje do të realizohen sepse rezultate të tilla janë arritur në anketat e realizuara nga INSTAT. Gjithashtu, të përfshira në këtë pyetësor janë edhe pyetjet mbi lëvizjet e brendshme dhe të jashtme të popullsisë që prej regjistrimit të mëparshëm e deri tani. Pyetjet synojnë të analizojnë migrimin e brendshëm, si dhe migrimin ndërkombëtar.
Një grup i rëndësishëm pyetjesh janë ato mbi arsimin, të cilat synojnë të japin një performancë mbi nivelin arsimor të popullsisë sipas niveleve të përcaktuara nga ISCED 1997. Po ashtu edhe pyetjet mbi punësimin janë të një rëndësie të veçantë. Analiza e këtyre pyetjeve është kryesore për të trajtuar vështirësitë aktuale dhe për të parashikuar ndryshime të ardhshme. Pyetje të vendosura për herë të parë janë edhe pyetja mbi aftësitë e kufizuara, pyetje të lidhura me një grup të veçantë të popullsisë, të cilët duhet të jenë pjesë e këtij projekti të madh. Po ashtu një risi është edhe pyetja mbi burimin e të ardhurave. Kjo pyetje nuk ka të bëjë me shumën e të ardhurave që një individ siguron, por synon vetëm burimin e këtyre të ardhurave.

REPOBA 2011, regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave

Ines Nurja, drejtoresha e INSTAT, solli në vëmendje se ky lloj regjistrimi bëhet një herë në 10 vjet dhe është një burim i rëndësishëm të dhënash që i shërben shumë grupeve shoqërore, institucioneve dhe ka një rëndësi për ekonominë e vendit. “Kjo tryezë me organizatat jofitimprurëse do të shërbejë për të evidentuar kërkesat, sugjerimet dhe propozimet e tyre mbi këtë regjistrim, pasi këto organizata janë përdorues të gjerë të të dhënave social-demografike. Regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë dhe Banesave është një proces madhor dhe një angazhim i shumë burimeve financiare, njerëzore dhe logjistike për një vend”, - tha Nurja. INSTAT e konsideron REPOB-AL 2011 "regjistrim evropian", sepse ky regjistrim bazohet në Rekomandimet e Kombeve të Bashkuara dhe Eurostatit për regjistrimet dhe rezultatet e tij do të jenë plotësisht të krahasueshme me të gjitha vendet e tjera. Ky regjistrim do të jetë pikënisja për ndërtimin e një regjistri statistikor të popullsisë dhe do të krijojë mundësinë që regjistrimi i ardhshëm të bazohet në përdorimin e regjistrit të popullsisë. Kjo do të krijojë mundësinë, për të pasur gjithmonë një popullsi të përditësuar jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në nivele më të vogla administrative (komuna, bashki). Për herë të parë regjistrimi do të bazohet tërësisht në harta dixhitale (GIS Evropian).
Regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë dhe Banesave është numërimi i plotë i të gjithë individëve, njësive ekonomike familjare dhe banesave, destinacioni i të cilave është banimi. Ky është një vrojtim tejet kompleks, i cili siguron një informacion të rëndësishëm jo vetëm për politikëbërësit, por edhe për komunitetin e gjerë të përdoruesve dhe të biznesit. Qëllimi kryesor i Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave është të japë një panoramë aktuale dhe të saktë të realitetit demografik, ekonomik dhe social në vend. Regjistrimi jep një fotografim të momentit mbi gjendjen sociale dhe nivelin e jetesës së popullsisë në një moment të dhënë (momenti kritik i regjistrimit). Vetëm regjistrimi mund të sigurojë të dhëna kaq të plota dhe të detajuara dhe rezultatet e tij janë jetësore për politikën dhe marrjen e masave. Ai është një investim i rëndësishëm afatgjatë në të gjithë sistemin statistikor të vendit për sa i përket kapacitetit dhe ndërtimit institucional.
Këto rezultate janë baza mbi të cilën një qeveri mund të punojë për të zbutur pabarazitë ekzistuese në zhvillimin ekonomik-shoqëror të rajonit të vendit, ose për të ndërtuar politikat e nevojshme, për të ulur papunësinë në ato rajone dhe në ato grup-mosha sipas gjinisë, për të cilat papunësia është problematike, si dhe në degët e ekonomisë ku është përhapur. Nga ana tjetër, angazhimi i burimeve njerëzore e financiare, si dhe pjesëmarrja në të e tërë banorëve të vendit i jepnin kësaj veprimtarie rëndësinë e një ngjarjeje të jashtëzakonshme në jetën e vendit. Projekti synon të sigurohen të dhëna në indikatorët demografikë, social-ekonomikë, kyç në nivel kombëtar dhe lokal. Të përmirësohen cilësia dhe qëllimi i informacionit. Të sigurohet dhe rifreskohet informacioni mbi çështjet që iu përkasin fenomeneve si edukimi, gjendja e tregut të punës, migracioni, si dhe impakti që kanë këto çështje në jetën e grave dhe burrave, në problemet e pabarazisë dhe të situatës së nivelit të jetesës. Të zhvillohen kapacitetet lokale për kërkimet dhe vëzhgimet, për të përmirësuar burimet njerëzore vendore, që merren me politikat sociale dhe çështjet e implementimit të tyre. Të informohen rregullisht institucionet e hartimit të politikave dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, për të dhëna të caktuara ose rezultate të ndryshme të vëzhgimeve, me qëllimin e mirë për të sjellë politikat publike më pranë njerëzve.
Për herë të parë do të merren të dhëna mbi përkatësinë etnike dhe besimin fetar.

INSTAT - Republika e Shqipërisë, Instituti i Statistikës

Pyetësorët

Pyetësorët që do të përdoren në regjistrim janë tre, ku pyetësori i parë ka të bëjë me pyetjet e ndërtesës dhe banesës. Ndërsa pyetësori i dytë përfshin pyetje në lidhje me Njësitë Ekonomike Familjare dhe pyetësori i fundit është ai individual, i cili i referohet pyetjeve që do t'i përgjigjet çdo individ.

Pyetësori i Ndërtesës dhe Banesës

Ky pyetësor ndahet në dy pjesë, ku në pjesën e parë pyetjet kanë të bëjnë me ndërtesën, ndërsa në pjesën e dytë janë pyetjet e banesës. Pyetjet për ndërtesën janë 5 dhe i referohen: llojit të ndërtesës, vitit të ndërtimit, numri i kateve të ndërtesës si dhe lloji i materialeve të ndërtimit të ndërtesës. Gjithashtu në këtë pyetësor pyetet nëse ndërtesa ka të instaluar rrjet interneti. Pyetjet për banesën janë 6 dhe lidhen me llojin e banesës, statusin e banimit, sistemin e furnizimit me ujë, tualetin, kuzhinën, pajisjet e banjo-dushit etj. Gjithashtu, INSTAT shikon të arsyeshme të përfshijë në këtë pyetësor edhe disa pyetje për pajisjet afatgjata, por akoma janë në diskutim.

Lista e pjesëtarëve të familjes

Përbëhet nga 3 tabela tek e para përfshihen anëtarët e Ekonomive Familjare që jetojnë në këtë banesë gjatë periudhës së vazhdueshme për më së paku 12 muaj para Ditës së Regjistrimit ose personat, të cilët janë të vendosur në banesë gjatë 12 muajve para ditës së regjistrimit me synimin që të qëndrojnë aty për më gjatë se një vit. Në tabelën e dytë përfshihen personat përkohësisht prezentë dhe në listën e tretë përfshihen personat që jetojnë jashtë shtetit.

Pyetësori i Njësive Ekonomike Familjare

Përmban një grup pyetjesh ku mund të veçojmë pyetjet në lidhje me bujqësinë. Në këtë grup pyetjesh përfshihen ato që kanë të bëjnë me pronësinë e tokës bujqësore dhe zotërimin e bagëtive. Qëllimi i pyetjeve është të ndihmojë në kontrollin e plotëshmërisë së të dhënave të regjistrimit të bujqësisë, që INSTAT aktualisht po ndërmerr.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›