Transporti shkollor, shenja dalluese për mjetet që transportojnë nxënës
Transporti me automjete të posaçme i fëmijëve, nxënësve dhe studentëve, i cili bëhet nga institucionet arsimore jopublike, do të hyjë në një fazë të re. Bashkija e Tiranës kërkon që ta disiplinojë këtë lloj transporti, duke nisur që nga etiketimi dhe “uniforma” e posaçme që duhet të kenë automjetet e transportit shkollor dhe ata që i drejtojnë ato, e deri te krijimi i stacioneve të posaçme për qëndrimin e këtyre lloj mjeteve. Deri tani, qëndrimi i këtyre automjeteve në vende të pamiratuara nga Bashkia e Tiranës, ka qenë një nga problemet më shqetësuese për këtë institucion. Në kuadrin e përgjithshëm të ndërhyrjeve të bashkisë së kryeqytetit për përmirësimin e shërbimeve të transportit, si dhe zbatimit të një plani masash për qarkullimin në qytetin e Tiranës, punonjësit e këtij institucioni vënë në dukje rrezikshmërinë që mund të kenë fëmijët që qarkullojnë gjatë ditës me mjetet e transportit publik. Bashkia e Tiranës kërkon plotësimin e kushteve të vendosura, për të rritur sigurinë rrugore në mjetet e transportit shkollor, në rast të kundërt ata bëjnë me dije se do të merren të gjitha sanksionet e nevojshme ligjore.
Kushtet e transportit
Deri tani si të gjitha llojet e transportit rrugor në vend, edhe transporti shkollor i nxënësve ka vepruar pa rregulla. Shpesh, furgonët dhe autobusët që shërbejnë për transportin e nxënësve, janë të supermbushur dhe në shumë raste fëmijët shihen të qëndrojnë në këmbë. Ndërkaq, shumë prej tyre nuk kanë asnjë shenjë dalluese që tregon se janë të mbushur me nxënës dhe jo furgonë të linjës. Këtë situatë, Bashkia e Tiranës e konsideron mjaft shqetësuese. Në kuadrin e përgjithshëm të ndërhyrjeve në përmirësimin e shërbimeve të transportit, si dhe zbatimit të një plani masash për qarkullimin në qytetin e Tiranës, ky institucion u ka dërguar dje një shkresë të gjitha kopshteve e shkollave të kryeqytetit. “Ju ribëjmë me dije se institucioni juaj, për vitin e ri shkollor duhet të zbatojë urdhrin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Nr. 83, datë 23.01.2008, ‘Mbi vendosjen e shenjave dalluese për mjetet e shërbimit të transportit, për sistemin shkollor, i cili synon përmirësimin e shërbimit të transportit në shkolla’”,- thuhet në shkresën zyrtare të bashkisë. Ky institucion kërkon me ngulm aplikimin pranë zyrave të bashkisë për miratimin e vendqëndrimeve të nisjes, e mbërritjes së mjeteve, me qëllim sigurimin e të rinjve që përdorin këto mjete për të qarkulluar në kryeqytet.
Shkresa
Në shkresën që mban firmën e drejtorit të transportit në bashki, Enton Punavia, këtyre institucioneve u bëhen me dije një sërë detyrimesh që kanë ndaj Bashkisë së Tiranës. "Dëshirojmë t'ju rikujtojmë se nga ana jonë konsiderohet shumë shqetësuese mënyra e kryerjes së transportit të fëmijëve, nxënësve dhe studentëve, në itinerarin e tyre të përditshëm të vajtjes nga shtëpia në shkollë e kthim, si dhe ndalimet në vendqëndrime të mjeteve të transportit, në vende jo të miratuara nga Bashkia e Tiranës", - thuhet në letër. Sipas saj, për vitin e ri shkollor duhet të zbatohet urdhri i kryetarit të Bashkisë Tiranë, Nr. 83. datë 23.01.2008, "Mbi vendosjen e shenjave dalluese për mjetet e shërbimit të transportit, për sistemin shkollor." "Ky urdhër synon përmirësimin e shërbimit të transportit në shkolla. Gjithashtu institucioni juaj duhet të aplikojë pranë Bashkisë së Tiranës për miratimin e vendqëndrimeve të nisjes, e mbërritjes së mjeteve. Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, Bashkia e Tiranës kërkon plotësimin e kushteve të vendosura, për të rritur sigurinë rrugore në mjetet e transportit shkollor, në rast të kundërt ju bën me dije se do të merren të gjitha sanksionet e nevojshme ligjore", - thuhet në letër.
Viti shkollor, më 6 shtator nis mësimi
Në 6 shtator rreth 600 mijë nxënës të arsimit parauniversitar nisin vitin e ri shkollor. Prej disa ditësh ka nisur shpërndarja e teksteve. Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është dërguar në çdo institucion arsimor. Por sipas udhëzimit, librat do të shiten pranë shkollave deri në datën 5 shtator. Ndërkohë që pas kësaj date, librat shkollorë do të mund të blihen në libraritë shkollore. Një pjesë e konsiderueshme e librave kanë mbërritur në të gjitha shkollat. Megjithatë, ka disa shtëpi botuese të cilat ende nuk e kanë dërguar të gjithë kontingjentin e nevojshëm. Në lidhje me çmimet mendohet se këtë vit nuk do të ketë abuzim, sepse çdo libër ka çmimin e përcaktuar mbrapa kopertinës. Sipas udhëzimit, deri në datën 5 shtator librat shiten në shkollë. Nëse brenda datës 15 shtator nuk i kanë dorëzuar të gjitha tekstet, atëherë do të merren dhe masa.
1 Shtator 2010