E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderët, sigurohet lista me 200 barna në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”



Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka përfunduar tenderimet në masën 100% për barnat e këtij viti.
Këtë e deklaroi dje, Ilir Dashi, drejtori i QSUT-së. Dashi tha se të gjitha procedurat e tenderimit kanë përfunduar dhe se këto ditë po negociohet me firmat farmaceutike për lidhjen e kontratës për t’iu dhënë kështu fund të gjitha procedurave të tenderimit. Kjo do të thotë që të gjitha spitalet në Qendrën Spitalore Universitare, kanë filluar të marrin medikamentet e nevojshme sipas kërkesave të tyre. "Ky proces ka përfunduar për të gjithë barnat, në listën tonë prej rreth 200 artikujsh. Ka përfunduar si proces tenderimi dhe pjesa e fundit është realizimi i kontratave që po bëjmë, bashkë me disa procese negocimi për ta realizuar komplet. Por si procedurë është mbyllur prej kohësh”, – tha Dashi. Sipas Drejtorit të QSUT-së fondi i përcaktuar këtë vit, ai që është planifikuar në buxhetin e 2010 për barnat, është prokuruar 100 për qind.

Medikamentet

Lista e medikamenteve spitalore këtë vit është më e gjerë si gamë, me rreth 200 lloje artikujsh. Në përmbajtje të listës ka ilaçe terciare në përshtatje me natyrën e shërbimit spitalor. Përsa u përket barnave buxheti është rritur me 67% krahasuar me vitin 2009 ndërkohë që edhe për mirëmbajtjen e aparaturave ka përfunduar 100% procesi i tenderimit. Sipas drejtorit të QSUT-së, rreth 621 milion nga i gjithë buxheti për medikamentet është vendosur të shkojë për prokurimin e barnave citostatike, 60% më shumë se në vitin 2009. Lista e barnave është tenderuar e para si procedurë, në bazë të kërkesave të shërbimeve, ashtu siç e parashikon ligji. Si rezultat, këtë vit do të ketë furnizim më të mirë me ilaçe në krahasim me vitet e tjera, ndërsa përsa i përket mungesave të hasura në barna deri më tani në spital, ato janë disa barna specifike për pacientë apo grupe pacientësh të veçantë. Tenderët kanë përfunduar edhe për mirëmbajtjen e aparaturave të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”. Në spitalet e QSUT-së janë më shumë se 90 aparatura që kryejnë ekzaminime të ndryshme. Ndodh që gjatë punës ato janë dëmtuar, çka ka krijuar problem te pacientët. Lidhur me këtë shqetësim janë marrë masa që në bazë të kontratave të detyrohen firmat të rikthejnë në gjendje pune aparaturat e prishura brenda 24 orëve. Kurse në rastet kur pajisjet janë të veçanta dhe duhet të vijnë nga jashtë shtetit, aparaturat duhet të vihen në funksion brenda një jave.
Ndërsa për materialet e mjekimit bëhet e ditur se janë marrë masa të shpejta për plotësimin e nevojave më emergjente brenda qershorit, muaj në të cilin përfundojnë procedurat elektronike për të gjithë sasinë vjetore.

Citostatikët

Rreth 621 milion nga i gjithë buxheti për medikamentet është vendosur të shkojë për prokurimin e barnave citostatike, 60% më shumë se në vitin 2009. Lista e këtyre barnave është tenderuar e para si procedurë, në bazë të kërkesave të shërbimeve, ashtu siç e parashikon ligji. Drejtori i QSUT-së u shpreh se këtë vit pjesa më e madhe e fondit të barnave i është lënë medikamenteve të spitalit onkologjik, të cilat muajt e fundit në QSUT kanë qenë të pakta. "Janë furnizuar me barna, në bazë të buxhetit të gjitha listat e barnave të planifikuara plotësisht, këtë mund ta themi me plot gojën. Po kjo nuk do të thotë që nevojat e spitalit janë të realizuara në mënyrë maksimale sepse kjo nuk ndodh as në vendet më të zhvilluara të globit", - tha Dashi. Në Spitalin Onkologjik kohët e fundit mungesa e barnave ishte problemi më shqetësues për pacientët. Prokurimi i barnave për një kohë të shkurtër në spitale është shumë i rëndësishëm për ta. Veçanërisht barnat citostatike, disa prej të cilave dhe shumë të shtrenjta sepse prej saj varet trajtimi i pacientëve në kohë dhe njëkohësisht përmirësimi i gjendjes së tyre. Pacientët e Onkologjikut shpesh janë ankuar edhe për mënyrën e zgjatur të prokurimeve, ata shpreheshin se koha që u merr ky proces është e pafavorshme sepse ndikon në përkeqësimin e shëndetit të tyre.

Luhatja e temperaturave, rritet numri i pacientëve në Spitalin e Pediatrisë në QSUT

Ulja e temperaturave në ditët e fundit, ka ndikuar negativisht mbi shëndetin e të vegjëlve. Kjo vihet re tek fluksi i madh i fëmijëve të paraqitur për ndihmë mjekësore në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”. Gjatë ditëve të fundit janë paraqitur më shumë se 400 të vegjël me temperaturë e të vjella. Spitali ka pasur fluks pacientësh, jo vetëm gjatë ditës por edhe gjatë natës. "Shumë fëmijë e kalojnë vetëm me temperaturë, por ka të tjerë që duhen shtruar patjetër për disa ditë, pasi kanë të vjella dhe domosdoshmërish duhet të marrin serum", - shprehen mjekët e Pavijonit të Pediatrisë. Sipas tyre, prindërit nuk duhet të neglizhojnë shenjat e këtyre virozave që kryesisht janë temperatura dhe të vjellat. "Edhe për një temperaturë rreth 37 gradë, prindërit duhet të konsultohen me mjekët, pasi kemi shumë raste që vijnë vetëm atëherë kur temperatura kalon 39 gradët", thonë mjekët. Fëmijët kryesisht nga 2-10 vjeç, vuajnë nga simptomat e virozëve të stinës si: temperaturë të lartë, këputje trupore dhe të vjella. Këto janë disa nga komplikacionet për të cilat janë paraqitur fëmijët në Spitalin e Pediatrisë. Virozat e stinës por edhe konsumimi i produkteve të ndryshme ushqimore, kryesisht jo të freskëta shpesh sipas mjekëve specialistë çojnë edhe në komlikacione më të renda. Ndërkohë, mjekët i këshillojnë prindërit t’i dërgojnë fëmijët e tyre sa më shpejt te mjeku specialist dhe të mos marrin përsipër të bëjnë vetë mjekun, duke u dhënë medikamente pa u konsultuar me specialistët. Për fëmijët e vegjël por edhe për të rriturit mjekët rekomandojnë të përdorin sa më shumë lëngje dhe të rrinë në ambiente sa më të pastra dhe të përshtatshme. Sipas mjekëve tani që temperaturat po ulen, fëmijët nuk duhet të luajnë për një kohë të gjatë jashtë shtëpisë në mënyrë që të mos djersiten dhe të ftohen. Virozave të stinës nuk u kanë shpëtuar as të rriturit, të cilët shpesh hezitojnë t’i drejtohen mjekut. Mjekët e konsiderojnë normale situatën duke “fajësuar” për këtë luhatjen e temperaturave. Kryesorja për këto raste është që prindërit të konsultohen me mjekët e familjes për çdo problem të fëmijëve të tyre, pasi shpesh alergjitë ngatërrohen me virozat e stinës, thonë mjekët. Alergjia në të shumtën e rasteve, manifestohet me teshtima të shpeshta, të herë pas hershme, kullim, kruajtje, skuqje dhe bllokim të hundëve. Shpesh herë kanë edhe kruajtje të syve dhe skuqje të tyre.

1 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›