E Diel, 1 Nëntor 2026

Transportonte 13 kg marijuanë me autobus, ndalohet emigranti

Policia e Kakavijes ka bërë të mundur bllokimin e 13 kg marijuanë, e cila do të transportohej në drejtim të shtetit helen

Gjirokastër Strukturat e Policisë së Shtetit në Kakavije kanë ndaluar një emigrant ndërsa tentoi të transportonte në drejtim të Greqisë me autobus udhëtarësh një sasi prej 13 kg marijuanë. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Kufirit në Gjirokastër, blutë e Kakavijes dispononin një informacion të marrë në rrugë operative sipas të cilit me një autobus pasagjerësh që udhëtonte në drejtim të Greqisë, po transportohej një ngarkesë me drogë. “Porsa autobusi i dyshuar i linjës Tiranë-Athinë ka hyrë në mjediset e doganës së Kakavijes, i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm nga ana jonë”, thonë burimet policore në Kakavije. Gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhet e autobusit, efektivat e policisë kanë gjetur një valixhe udhëtarësh në të cilën transportohej 13 kg marijuanë e paketuar në 13 pako të mbështjella me letër natriban. Ndërsa pas zbulimit të ngarkesës me drogë efektivat e policisë po hetonin për transportuesin e saj njëri prej pasagjerëve të autobusit ka tentuar të largohej me vrap nga mjediset e doganës. Pas ndalimit nga policia, ai është identifikuar si 25-vjeçari Erion Trifoni, nga Fieri, i cili prej disa vitesh jetonte si emigrant në Athinë. “Ishte pikërisht ky person të cilit i përkiste valixhja në të cilën u zbuluan 13 kg marijuanë”, thonë burime në grupin hetimor. Madje, gjatë hetimeve policia konstatoi se nëpërmjet celularit të tij ai kishte arritur të dërgonte edhe një mesazh me tekstin: “Më kapën!”. Pas mbledhjes së provave të para specialistët e antidrogës në Gjirokastër kanë bërë ndalimin e 25-vjeçarit Trifoni për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon hetimet për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast të trafikut të lëndëve narkotike me destinacion shtetin grek.

Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›